Ndërlidhjet

Greqia miraton masat e kursimit

  • RFE /RL





Parlamenti i Greqisë votoi të mërkurën për masat e kursimit, të cilat shkaktuan protesta të ashpra. Tash pritet edhe votimi i nesërm në Parlament, për përcaktimin e mënyrës së implementimit të masave. Greqia rrezikohej që të mos ketë mjete për pagesën e borxheve të saj dhe kjo mund të shkaktonte krizë më të thellë financiare.



Në Athinë shpërthyen përleshje ndërmjet policisë dhe protestuesve, para votimit në Parlamentin e Greqisë për masat për kursime.

Ky plan përfshinë 28 miliardë euro dhe në seancën e së enjtes të Parlamentit do të përcaktohet mënyra e implementimit të masave, të miratuara sot.

Tash pritet që Greqia t’i fitojë 12 miliardë euro prej paketës prej 110 miliardë eurosh, të garantuara nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në ditën e dytë të grevës së përgjithshme, protestuesit thanë se ata ishin të përkushtuar për ta rrethuar Parlamentin dhe për të mos lejuar ligjvënësit që të votojnë në favor të masave të kursimit.

Disa protestues dhe policë raportohet se janë lënduar në përleshjet ndërmjet tyre.

Ja se çka i tha agjencisë Rojters, Thanasis Didagelos, protestues...

Ekziston një dallim i madh ndërmjet vullnetit të popullit dhe atyre në qeveri. Populli i Greqisë po demonstron. Unë kam ardhur nga Selaniku, jam mjek nga Selaniku. Unë jam njëri nga ata që jam më pak i prekur nga masat, por kam ardhur këtu për fëmijët e mi dhe për të ardhmen e këtij vendi”, tha protestuesi Dediagelos.

Afro 80 për qind e popullit grek i kundërshton masat për kursim, pasi do të zvogëlohen rrogat, do të rriten taksat dhe do të shkurtohen fondet për shërbime.

Aleka Papariga, nga Partia Komuniste e Greqisë, lidhur me këtë çështje deklaroi:

“Populli tashmë ka bankrotuar. Masat po ndërmerren me qëllim që të mbrohen të pasurit”.

Sa u përket forcave në Parlamentin e Greqisë, Partia Socialiste e kryeministrit George Papandreu, ka një shumicë të vogël prej 155 deputetësh prej gjithsej 300 sa ka Parlamenti i Greqisë.(f.b.)
XS
SM
MD
LG