Ndërlidhjet

logo-print

Shtëpia e Bardhë publikon strategjinë kundër terrorizmit

  • RFE /RL

Xhon Brenan

Xhon Brenan

Shtetet e Bashkuara do t’i zgjedhin me kujdes pajisjet sulmuese, mbrojtëse dhe diplomatike për të sulmuar Al Kaidën, aty ku është më së shumti e cenueshme, për të luftuar ekstremizmin në rritje brenda territorit amerikan dhe për të siguruar që terroristët të mos përfitojnë nga trazirat, në të cilat po kalon Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore.

Xhon Brenan, këshilltar kryesor i Obamës për luftën kundër terrorizmit, e bëri publike strategjinë e re amerikane gjatë një fjalimi të mbajtur në Universitetin Xhon Hopkins në Uashington.

“Të udhëhequr nga strategjia që do ta bëjmë publike sot, ne asnjëherë nuk do të lëkundemi në përpjekjet tona për të mbrojtur popullin amerikan. Ne do të vazhdojmë të jemi të qartë dhe precizë kundër armikut tonë. Ne do të vazhdojmë të përdorim çdo pajisje në mundësitë tona dhe do t’i aplikojmë ato me mençuri dhe në mënyrë të drejtë. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë partneritet të fuqishëm në gjithë botën, duke ndërtuar një kulturë fleksibile në vendin tonë”, tha Brenan.

Më 22 qershor, Obama deklaroi se SHBA është duke arritur qëllimet e saj për të mundur Al Kaidën dhe talibanët në Afganistan, derisa do t’i kthejë në SHBA 33 mijë trupat - që i bie një e treta e forcës amerikane në atë shtet - gjatë 18 muajve të ardhshëm.

Brenan tha se vdekja e Osama bin Ladenit dhe vdekjet e liderëve kryesorë të Al Kaidës “na lejojnë neve që për herë të parë të parashikojmë çrrënosjen e udhëheqësisë kryesore të Al Kaidës gjatë viteve të ardhshme”.

Ai tha se informatat e marra nga hapësira ku është vrarë bin Ladeni tregojnë dobësinë brenda organizatës terroriste dhe në të njëjtën kohë tregojnë se “bin Ladeni e ka pasur të qartë se Al Kaida është duke e humbur betejën e madhe të fitimit të mendjeve dhe zemrave”.

Presidenti Obama dhe anëtarët e tjerë të ekipit të sigurisë duke përcjellë informacionet mbi misionin "bin Laden", 1 maj 2011.
“Duke ecur tutje, ne do të jemi të kujdesshëm për atë nëse kombi ynë kërcënohet. Mbrojtja jonë më e mirë nuk do të jetë dërgimi i forcave tona të mëdha ushtarake jashtë SHBA-së, mirëpo më shumë duke bërë presion ne caqe të duhura ndaj grupeve që na kërcënojnë”, vazhdoi më tej fjalimin e tij Brenan.

Shtëpia e Bardhë thotë se derisa përgjigjja amerikane ndaj Al Kaidës ka evoluar gjatë dy vjetëve e gjysmë, gjithashtu ka ndryshuar edhe natyra e kërcënimeve që bëjnë rrjetet terroriste.

Në strategjinë e re, duke e cituar rastin e Faisal Shahzadit, pakistanezit me nënshtetësi amerikane që provoi të hidhte në erë një veturë në sheshin kryesor të Nju Jorkut, majin e vitit të kaluar, është mjaftueshëm për t’u fokusuar në mundësinë e Al Kaidës që të inspirojë sulme që kryhen brenda SHBA-së.

Strategjia e re amerikane thotë se duke mbetur vigjilentë, kjo strategji përfshin edhe partneritetin e krijuar me komunitetin mysliman në gjithë SHBA-në.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu e ka parasysh edhe mundësinë që terroristët të përfitojnë nga vakumet e krijuara, si rezultat i kryengritjeve që po bëhen në Lindje të Mesme dhe Afrikën Veriore.

“Është e vërtetë se këto ndryshime mund të sjellin sfida të reja dhe pasiguri në afatin e shkurtër, siç po e shohim në Jemen. Është gjithashtu e vërtetë se organizatat terroriste dhe kombet që i përkrahin ato, do të bëjnë përpjekje që të përfitojnë prej mungesës së stabilitetit që ndryshimi nganjëherë sjell me vete. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, për të siguruar që aktorët keqdashës të mos kenë sukses në sulmimin e këtij momenti të shpresës për ta kthyer në fundin e dhunës së tyre”, tha Brenan.

Në Jemen, muaj të tërë të trazirave kundër regjimit të presidentit Ali Abdullah Saleh kanë nxitur frikën që degë lokale të Al Kaidës mund të arrijnë sukses. Brenan tha se Al Kaida në Gadishullin Arab “mbetet dega më aktive operacionale e Al Kaidës”.

Së bashku me Al Kaidën, strategjia identifikon Hezbollahun dhe Hamasin si organizata që vazhdojnë të kërcënojnë interesin amerikan. Strategjia gjithashtu thotë se Siria dhe Irani mbesin shtete që e sponsorizojnë terrorizmin. (a.h.)

Lexoni edhe këtë:
Si u zbulua dhe u vra bin Ladeni?
XS
SM
MD
LG