Ndërlidhjet

Vazhdon autostrada Morinë-Merdarë...


Kryeministri Hashim Thaçi - arkiv

Kryeministri Hashim Thaçi - arkiv

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u paraqit në interpelancë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me projektin për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdarë. Interpelanca është thirrur, kohë më parë, nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila përkrah partive të tjera opozitare, kërkoi transparencë të plotë për ndërtimin e autostradës.


Partitë opozitare hodhën një varg kritikash në adresë të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kabinetit të tij qeveritar lidhur me projektin për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdarë.

Gjatë seancës plenare të së enjtes të Kuvendit të Kosovës, në të cilën kreu i ekzekutivit u thirr në interpelancë për këtë çështje, deputetët kërkuan sqarime lidhur me koston financiare dhe mënyrën se si do të mbikëqyret ndërtimi i kësaj autostrade.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që kërkoi interpelancën, Visar Ymeri, tha se projekti i autostradës Morinë-Merdarë tregon se si Qeveria e Kosovës po e keqpërdor paranë publike.

Visar Ymeri
“Ne po e shohim dhe Qeveria na e ka dëshmuar disa herë, e edhe me këtë rast, që përdorimi i parasë publike - kur vjen puna te përdorimi i parasë publike këta janë jashtëzakonisht të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve, ndaj të drejtave dhe interesave të tyre”, u shpreh Ymeri.

Pavarësisht kritikave të shtuara të opozitës lidhur me mungesën e transparencës dhe shpenzimet e mëdha financiare që thuhet se e kanë përcjellë projektin për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdarë, kryeministri Thaçi tha se do të vazhdojnë punimet në këtë autostradë, për ndërtimin e së cilës është përgjegjës konsorciumi amerikano-turk “Bechtel&Enka”.

“Tani, jemi diku 12 muaj para planit, për shkak të angazhimeve të shumanshme dhe të gjitha kapaciteteve të konsorciumit dhe nën-kontraktuesve lokalë. Do të vazhdojë të mbetet prioritet i rëndësishëm partneriteti për rikuperimin e komunitetit të biznesit vendor në këtë projekt madhor sipas kontratës së nënshkruar nga autoritetet përkatëse”, theksoi Thaçi.

Punimet në ndërtimin e autostradës Prishtinë - Merdarë
Kryeministri Thaçi shprehu bindjen se deri në fund të tetorit, e më së largu deri në fillim të muajit nëntor, kompania amerikano-turke do të arrijë t’i përfundojë 40 kilometrat e para nga Morina deri në Therandë.

Thaçi tha se për të mundësuar vazhdimin e punimeve, Qeveria e Kosovës ka ndarë nga buxheti për vitin 2011 rreth 250 milionë euro.

Mirëpo, përfaqësuesi i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, kritikoi këtë mënyrë të planifikimit financiar. Çmimi i autostradës mund të gjendet në marrëveshjen “stand-by”, të cilën Qeveria e Kosovës e nënshkroi në korrik të viti të kaluar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Shala tha se, bazuar në dokumentin në fjalë, autostrada Morinë-Merdarë do të kushtojë 1 miliard e 4 milionë euro. Ai theksoi se, sidomos pas ngrirjes së marrëveshjes me FMN-në, Kosova nuk mund të zbatojë projekte me një planifikim të tillë financiar.
Projekte të tilla kapitale realizohen në forma të tjera, këtë e pranoi dhe kryeministri pak më parë, e jo me paratë që merren nga buxheti i Kosovës.



Projekte të tilla kapitale realizohen në forma të tjera, këtë e pranoi dhe kryeministri pak më parë, e jo me paratë që merren nga buxheti i Kosovës. Rëndom realizohen me kredi të buta, me përkrahjet financiare të instancave më të fuqishme ndërkombëtare, e shumë rrallë, apo gati kurrë, nuk realizohen duke marrë nga kuleta apo buxheti i shtetit”, tha Shala.

Megjithatë, deputetët nuk i miratuan rekomandimet e Vetëvendosjes, sipas të cilave, Qeveria e Kosovës duhej të publikonte menjëherë të gjithë dokumentacionin lidhur me autostradën Morinë-Merdarë, që Kuvendi i Kosovës të angazhojë një grup ekspertësh për rishikimin dhe rivlerësimin e kontratës për t’i dhënë rekomandimet e veta brenda 30 ditëve.

Këto rekomandime duhet të merren parasysh nga Qeveria e Kosovës dhe kjo e fundit të raportojë çdo tre muaj para Kuvendit të Kosovës për shpenzimet dhe pagesat lidhur me autostradën.
XS
SM
MD
LG