Ndërlidhjet

logo-print

Nuk diskutohet embargoja


Prishtinë

Prishtinë

Përfundoi takimi i CEFTA-s, i cili u mbajt në Prishtinë. Në këtë takim, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kanë qenë të pranishëm të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, përpos Malit të Zi dhe Moldavisë, të cilat kishin dërguar komentet e tyre.


Përfaqësuesit e vendeve anëtare të CEFTA-s në takimin e parë në Prishtinë, diskutuan për implementimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë nga të gjitha palët që janë nënshkruese të këtij mekanizimi, por nuk u bisedua për bllokimin e mallrave kosovare nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Këto komente u bënë në një konferencë për media, pas takimit të CEFTA-s.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Cuneyd Ustaibo, theksoi se takimi ka qenë i ndarë në dy pjesë - njëra në kuadër të grupit të ekspertëve të CEFTA-s, ndërsa pjesa e dytë ka qenë një prezantim nga zëvendësministrat e vendeve anëtare të CEFTA-s.

“Në takimin e parë u diskutua për hapat e ardhshëm për implementimin e CEFTA-s, si dhe çështjet tjera si për formatin për ndihma shtetërore, portali i CEFTA-s dhe prioritet për kryesuesit për vitin e ardhshëm që do t’i takojë Shqipërisë. Ndërsa, në takimin e zëvendësministrave u diskutua për liberalizimin e tregtisë mbi shërbime, prezantimi i gjetjeve kryesore nga studimi i barrierave të fundit për tregtinë dhe shërbimet, një projekt i Bankës Botërore”, tha Ustaibo.

Zëvëndësministri Cuneyd Ustaibo paraljmëroi se takimi i radhës i CEFTA-s, ai për tregti e shërbime, do të mbahet në shtator, po ashtu, në Prishtinë.

Berndar Nikaj, këshilltar i lartë politik dhe shef i Kabinetit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, theksoi se niveli i organizimit të CEFTA-s, nuk ishte në atë nivel ku do të mund të diskutohej problemi i CEFTA-s.

“Shkeljet e marrëveshjes nuk janë pjesë e takimeve multilaterale, kur këto shkelje janë çështje të shteteve individuale dhe nuk janë pjesë e shteteve të tjera që janë anëtarë të CEFTA-s. Ministrja Kusari ka paralajmëruar se nëse prej procesit të dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk dilet me një zgjidhje, do të merren masa reciproke ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës”, theksoi Nikaj.

CEFTA
Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë thanë se çështja e embargos është dashur të jetë në agjendë të këtij takimi. Musa Limani u shpreh:

“Në këtë takim nuk është shtruar bojkoti i mallrave të Kosovës nga ana e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Kjo është e palogjikshme. Kosova, jo vetëm si kryesuese, por edhe si anëtare e barabartë, duhet ta shtrojë këtë problem dhe të diskutohet, pasi paraqet një pengesë shumë të madhe”.

Për t’u zgjidhur problemet e prodhuesve kosovarë, sidomos embargoja e mallrave nga Serbia dhe Bosnja, ekspertët mendojnë se takimi është dashur të jetë në kuadër të zyrtarëve më të lartë shtetërorë të të gjitha vendeve anëtare.

Limani theksoi se kjo çështje duhet të diskutohet dhe të zgjidhet.

Kosova duhet të jetë në agjendë. Duhet ta organizojë një mbledhje tjetër, ku me anëtarët e CEFTA-së do të diskutojë përse këto vende sillen në mënyrë jo të drejtë dhe të merren masa konkrete. Unë jam për atë se duhet të vlejë parimi i reciprocitetit dhëmbë për dhëmbë. Ky është mendimi im”, tha Limani.

Republika e Kosovës këtë vit kryeson Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, mekanizëm ky që në 2010-n u udhëhoq nga Serbia.


Lexoni edhe këtë:
S'ka gatishmëri për reciprocitet
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG