Ndërlidhjet

Arnal kërkon durim në hetimin e krimeve


Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) e ka publikuar një raport lidhur me punën e saj gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar, që ka të bëjë me arritjen në luftën kundër krimeve të rënda, përfshirë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në një njoftim për media të EULEX-it, thuhet se raporti përfshin periudhën ndërmjet muajve korrik 2010 dhe qershor 2011 dhe i përvijon aktivitetet në të cilat ka qenë e përfshirë PSRK-ja, përfshirë bastisjet dhe arrestimet e kryera nën mbikëqyrjen e prokurorëve specialë, si edhe një numër të rasteve, të cilat janë duke u hetuar aktualisht, në fushën e korrupsionit, të krimeve të luftës, terrorizmit, krimit të organizuar dhe krimit financiar.

Isabelle Arnal, udhëheqëse e PSRK-së citohet të ketë thënë se PSRK-ja është përballur në mënyrë efektive me sfidat e lëndëve të trashëguara nga UNMIK-u dhe me ato të aktivitetit të mëpastajmë kriminal.

“Jam plotësisht e vetëdijshme që duhet të bëhet edhe më shumë punë, por ky raport e tregon përparimin e vërtetë që është duke u bërë. Statistikat flasin vetë. Po ashtu, duhet t’ua përkujtoj të gjithëve që për të kryer hetime jashtëzakonisht të komplikuara dhe të vështira nevojitet kohë".

"Nuk pres që hetimet e tilla të kryhen më shpejtë se në çdo vend tjetër të BE-së. Pra duhet të jemi të durueshëm. Por, tashmë frytet e punës sonë janë të dukshme për të gjithë. Për shembull, dënimet në rastin e lumit Tisa, i cili ka të bëjë me trafikimin me qenie njerëzore dhe krimin e organizuar, janë një shembull shumë i mirë,” tha Arnal.

Ajo po ashtu ka lavdëruar bashkëpunimin ndërmjet personelit vendas dhe atij ndërkombëtar.

Arnal tha që ende mbesin shumë sfida.

Sipas saj, mentorimi i fuqishëm duhet të jetë pjesë e rëndësishme e punës në të ardhmen, ashtu që disa funksione ekzekutive të mund t’i barten gradualisht personelit vendas.

Gjatë periudhës të cilën e përfshin kur raport, PSRK-ja në bashkëpunim të plotë me PK-në dhe Policinë e EULEX-it ka ndërmarrë më shumë se 28 aktivitete operative para mbajtjes së gjykimit përfshirë bastisje dhe arrestime.

Sa ju përket dosjeve të UNMIK-ut të trashëguara nga EULEX-i, prej 179 hetimeve të filluara e të pazgjidhura janë përfunduar 111 sish, njofton Zyra për Informim e EULEX-it.
XS
SM
MD
LG