Ndërlidhjet

BE-ja, optimiste për rezultate konkrete


Bruksel
Bruksel
Bashkimi Evropian pret që në raundin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i cili do të zhvillohet të shtunën në Bruksel, të arrihet pajtimi i parë konkret për disa çështje.

Një zyrtar i Bashkimit Evropian tha të premten se BE-ja mirëpret raundin e takimit dhe se është optimiste se në të edhe formalisht do të arrihen marrëveshjet e para.

Sipas të gjitha gjasave, në takim nuk do të nënshkruhen marrëveshjet, por ato çështje, për të cilat palët do të bien dakord, do të përfshihen në të ashtuquajturat “konkluzat e kryesuesit”, e që në këtë rast është Robert Kuper, zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel (Foto nga arkivi)

Po ashtu, në Bashkimin Evropian shprehen optimistë se ndër pikat ku do të mund të arrihej pajtim, është lëvizja e lirë e njerëzve, pastaj më vonë edhe telekomunikacioni, energjia, kadastrat, si dhe njohja e diplomave universitare.

Bashkimi Evropian nuk pret që për të gjitha këto pika të arrihet marrëveshja të shtunën, por është optimist se marrëveshjet për këto gjashtë pika të arrihen para fillimit të pushimeve të verës.

Në Bashkimin Evropian thonë se takimi i së shtunës do të nisë në mëngjes dhe do të zgjasë gjatë tërë ditës, derisa të arrihen marrëveshjet konkrete. Tash për tash nga BE-ja nuk dëshirojnë të japin hollësi tjera rreth këtyre pikave, për të cilat pritet të arrihet marrëveshja.

Në anën tjetër, mësohet se pas arritjes së marrëveshjes dhe pasi që ato në hollësi të shpjegohen në konkluzat e kryesuesit të takimit, do të formohen edhe mekanizmat për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të tilla, edhe në ata mekanizma Bashkimi Evropian pritet të ketë një rol të rëndësishëm.
XS
SM
MD
LG