Ndërlidhjet

Rezultat absurd i regjistrimit


Prishtinë (Foto nga arkivi)

Prishtinë (Foto nga arkivi)

Sipas rezultateve preliminare, 1.7 milion është numri i banorëve, por në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në fund të vitit të kaluar, në listat e votuesve kanë qenë të regjistruar 1.6 milion banorë me të drejtë vote. Cila nga këto shifra mund të jetë e saktë? Njohës të procesit zgjedhor dhe të regjistrimit, japin vlerësime të ndryshme.


A është i saktë numri i përgjithshëm i popullatës së Kosovës apo lista e votuesve për zgjedhjet e përgjithshme që janë mbajtur në fund të vitit të kaluar?! Këto dyshime janë ngritur pas publikimit të rezultateve preliminare të regjistrimit të popullsisë.

Sipas statistikave zyrtare, 1.733.872 është numri i banorëve që jetojnë brenda vendit, duke përjashtuar pjesën veriore të Mitrovicës dhe diasporën. Por, 1.630.636 ishte numri në listat e votuesve për zgjedhjet e 12 dhjetorit, pa përfshirjen e personave nën moshën 18 vjeç.

Njohës të këtij procesi japin vlerësime të ndryshme rreth kësaj çështjeje. Ish-ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli, që ka qenë e përfshirë më herët në përgatitjet e procesit për regjistrimin e popullsisë së Kosovës, thotë se gabimi qëndron te numri i banorëve.

Sipas Tërmkollit, është absurde të mendohet që numri i banorëve të jetë pothuajse i njëjtë me numrin e përfshirë në listat e votuesve.

Melihate Tërmkolli

Lista e votuesve mund të jetë e tillë, por regjistrimi nuk është ai që duhet të jetë, sepse numri i njëjtë me listat e votuesve ka dy arsye. Së pari, në rezultatet preliminare të regjistrimit nuk figurojnë qytetarët tanë që jetojnë jashtë, pastaj pjesa më e madhe e tyre nuk janë regjistruar, e po ashtu nuk janë regjistruar edhe një numër i madh i qytetarëve që jetojnë brenda. Prandaj, neve na del ky absurd - lista e votuesve del po thuajse e njëjtë me numrin e banorëve të përgjithshëm”, thotë Tërmkolli.

Edhe Adnan Merovci, ish-kryeshef i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë se procesi i regjistrimit ka sfidat e veta, por në listat e votuesve janë përfshirë edhe persona të vdekur.

Sido që të jetë, numri i votuesve është dashur të jetë shumë më i vogël sesa numri i përgjithshëm i banorëve, thotë Merovci.


“Lista e votuesve është diçka tjetër. Kjo listë përbën numrin e votuesve, e cila në këtë rast është dashur të jetë shumë e vogël sesa numri i banorëve, duke marrë parasysh se lista e votuesve i merr vetëm votuesit me të drejtë vote deri në atë kohë që mbahen zgjedhjet”.

“Por, në krejt këtë diskrepancë janë disa faktorë që kanë ndikuar, sipas mendimit tim. Fillimisht, regjistrimi nuk është realizuar në tërë Kosovën, emigrantët nuk janë përfshirë”, thekson Merovci.

Analisti Leon Malazogu, ndërkaq, thekson se edhe pse në listat e votuesve janë përfshirë vetëm personat mbi moshën 18 vjeç, kjo listë, sipas tij, është e fryrë.

Siç thotë Malazogu, regjistrimi i popullsisë mund të ketë gabime të pjesshme, por megjithatë reflekton numrin e banorëve ekzistues në Kosovë, gjë të cilën nuk e pasqyron lista e votuesve. Në listën e votuesve janë përfshirë personat që jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe persona të vdekur.

“Në Kosovë llogaritet se 30 për qind janë të moshës minore, do të thotë nën moshën 18 vjeç, po t’i shtohet 1.6 milionëshit edhe 30 për qindëshi i moshës minore, rezulton që ne duhet të kemi 2.2 milionë banorë. Kjo gjë shpjegon faktin se ata 500 mijë banorë, që nuk figurojnë në regjistrim, ose janë serbë që kanë bojkotuar regjistrimin, ose të vdekur, ose janë pjesë e diasporës”, shpjegon Malazogu.

Ndryshe, në rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë, të paraqitura nga Enti i Statistikave të Kosovës, nuk janë paraqitur të dhënat rreth grupmoshave të caktuara në Kosovë.

Lexoni edhe këtë:
Regjistrimi i popullsisë: sukses apo dështim?!
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG