Ndërlidhjet

Kthesë e befasishme


Ish - shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus Kan, pas lirimit nga arresti shtëpiak.
Ish - shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus Kan, pas lirimit nga arresti shtëpiak.
Në një kthesë mahnitëse, gjykata e Nju Jorkut, e ka liruar ish-shefin e Fondit Monetar Ndërkombëtar nga arresti shtëpiak, duke ia kthyer atij miliona dollarë, që i kishte lënë si kaucion dhe garanci. Ndërsa, akuzat se Shtraus Kan kishte tentuar të dhunonte një shërbyese hoteli nuk janë hequr, vendimi vjen në mesin e dyshimeve në rritje për kredibilitetin e viktimës.



Ish-shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus Kan, është liruar nga arresti shtëpiak pa kaucion nga një gjykatës në Nju Jork, në mes të dyshimeve në rritje rreth kredibilitetit të shërbyeses së hotelit, e cila e akuzoi atë për sulm seksual.

I rrethuar nga avokatët dhe turma e fotografëve, Shtraus Kan u shfaq i buzëqeshur nga gjykata, pasi që gjykatësi Majkëll Obus, i reduktoi kufizimet e vëna ndaj francezit.

Në një kthesë mahnitëse, Shtraus Kanit, po ashtu do t’i kthehen 6 milionë dollarët e kaucionit dhe të garancisë.

Ndërsa, dokumentet e tij të udhëtimit do t’iu mbesin autoriteteve, Shtraus Kan nuk do të kufizohet më vetëm me qëndrimin në shtëpinë në Manheten, ku qëndroi që nga lirimi i tij nga burgu i sigurisë së lartë më 20 maj.

Ai, po ashtu, nuk do ta mbajë më shiritin elektronik për t’u vëzhguar lëvizjet e tij. Pas arrestimit të tij më 14 maj, ai dha dorëheqje nga FMN-ja, dhe si duket hoqi dorë edhe nga shpresat për të garuar për presidencën franceze në vitin e ardhshëm.
Ish-shefi i FMN-së, Dominik Shtraus Kan, me bashkëshorten e tij, pasi gjykata e Nju Jorkut e liroi atë nga arresti shtëpiak.

Derisa prokurorët nuk i kanë hedhur poshtë akuzat për tentim dhunimi të shërbyeses 32-vjeçare në një hotel luksoz në Nju Jork, vendimi jep indikacione se rasti po lëkundet në favor të mbrojtjes.

Avokati i tij, Benxhamin Brafman, tha se ai ishte i bindur se akuzat ishin të pabaza.

“Ne që nga fillimi kemi besuar se ky rast nuk është ashtu siç është dukur, dhe ne jemi të bindur se derisa sot është një hap gjigant në drejtimin e duhur, hapi i ardhshëm do të çojë në heqjen e plotë të akuzave”, tha Brafman.

Paraqitja e radhës se Kanit në gjykatë është më 18 korrik. Vendimi i gjykatës erdhi në kohën kur u rritën dyshimet për kredibilitetin e akuzueses.

“New York Times” raportoi se prokurorët kishin zbuluar se viktima, një imigrante nga Guinea, vazhdimisht kishte gënjyer, përfshirë edhe se ishte dhunuar në të kaluarën.

Prokurorët, në një letër drejtuar mbrojtjes, thanë se gruaja e kishte pranuar se ka sajuar rrëfime se ishte rrahur dhe dhunuar nga bandat në atdheun e saj, me qëllim që të aplikonte për azil politik në SHBA.

“New York Times”, po ashtu, raportoi për lidhje të mundshme ndërmjet të akuzuarës dhe aktiviteteve kriminale, dhe tha se një ditë pas sulmit të pretenduar, ajo bisedoi me një njeri në burg në lidhje me përfitimet e mundshme nga lëshimi i akuzave në drejtim të Shtraus Kanit.

I burgosuri raportohet të ketë qenë një nga individët që i kishte depozituar 100 mijë dollarë në xhirollogarinë bankare të gruas në dy vitet e fundit.

Ndonëse këto dyshime nuk minojnë direkt rastin e dhunimit, ato rrisin dyshimet serioze nëse kredibiliteti i dëshmitarëve do të ishte i mjaftueshëm për të bindur porotën se ajo që thotë gruaja për Shtraus Kanin, është e vërtetë.

Kenet Tompson, avokati i viktimës, u tha gazetarëve, se ajo nuk i ka ndryshuar fjalët në lidhje me sulmin seksual.

“Ajo e ka përshkruar sulmin seksual disa herë para prokurorëve dhe meje dhe asnjëherë nuk ka ndryshuar asgjë nga deklaratat e deponuara”, theksoi Tompson.

Aleatët e Shtraus Kanit në Partinë Socialiste të Francës, përshëndetën kthesën e befasishme.

“Më duhet të them se lajmin e kemi marrë nga shtypi amerikan, me një një gëzim të madh, sikurse edhe për krejt ata që janë të afërt me Dominikun. Shpresoj nga thellësia e zemrës se sistemi amerikan i drejtësisë do ta dëshmojë të gjithë të vërtetën dhe do ta lërë Dominikun të dalë nga ky ankth”, tha liderja e partisë, Martinë Aubry.

Teksa rasti ndaj Shtraus Kanit po bëhet gjithnjë e më i paqartë, më e paqartë mbetet edhe e ardhmja e tij, po qe se shpallet i pafajshëm.

Ai nuk duket se do të mund të kthehet në FMN, ku ish-ministrja franceze e Financave është emëruar si drejtoreshë e re e Fondit.

Në Francë, ndërkaq, perspektiva e së ardhmes papritur duket më pak e dënueshme, se ç’ishte disa ditë më parë. Ai mbetet i popullarizuar në Francë, ku kthesa e papritur ka ringjallur bisedat për kandidaturën e tij të mundshme për president. (a.i.)
XS
SM
MD
LG