Ndërlidhjet

Kosovë, Serbi: U arritën tri marrëveshje


Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq, kryesues të delegacioneve në bisedimet Kosovë - Serbi.
Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq, kryesues të delegacioneve në bisedimet Kosovë - Serbi.
Përfundoi të shtunën raundi i pestë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Siç njoftohet nga Bashkimi Evropian, është arritur më në fund pajtim për çështje si: liria e lëvizjes, regjistri civil dhe njohja e ndërsjellë e diplomave.

Burime të BE-së thanë se takimi i së shtunës ka qenë më i gjatë sesa që ishte planifikuar, megjithëse ai ishte zhvilluar në formë konstruktive dhe se palët ishin të gatshme të vazhdojnë derisa të arrihej marrëveshja.

Takimi kishte filluar në mëngjes dhe ishte përmbyllur në mbrëmje, ndërsa para përfundimit të muajit korrik, parashihet të zhvillohet edhe një raund i ri bisedimesh, ku pritet po ashtu të arrihen disa marrëveshje.

Pos arritjes së tri marrëveshje, siç thanë zyrtarë të Bashkimit Evropian, janë disa pika ku janë afruar qëndrimet edhe më shumë dhe “jemi optimistë”, u shprehën ata, se do të ketë marrëveshje të reja.

Sipas burimeve të Bashkimit Evropian, marrëveshjet e arritura për pajtim ndërmjet palëve, do të përfshihen në të ashtuquajturat konkluzat e kryesuesit dhe ky dokument do t’u jepet palëve që do të marrin obligim politik për të zbatuar marrëveshjet e arritura.

Ndërkaq, do të krijohen edhe mekanizmat e mbikëqyrjes së implementimit të marrëveshjeve në fjalë dhe se BE-ja në këtë do të luajë një rol të rëndësishëm.

Thuhet se Bashkimi Evropian është i kënaqur se ka mundur të ndihmojë në arritjen e marrëveshjeve të para.
Takimi i Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut kishte nisur më 8 mars të këtij viti, ndërsa tash pothuajse pas 5 muajsh janë arritur rezultatet e para në këtë dialog.

Zyrtarët e BE-së kanë përsëritur se nuk do të ketë nevojë që marrëveshjet e arritura të nënshkruhen nga palët, sepse ato do të merren si obligim politik për t’u zbatuar nga to.
XS
SM
MD
LG