Ndërlidhjet

Roli i BDI-së në integrimet evropiane


Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
Albert Musliu, nga Instituti për Zhvillime Demokratike, thekson se drejtimi i dikastereve kyçe, që kanë për qëllim kryesor integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke përfshirë këtu edhe postin e zëvendëskryeministrit për Integrime Evropiane nga ana e partisë shqiptare, BDI, njëherësh dhe mospërfshirja e platformës së partisë shqiptare në agjendën e Qeverisë së ardhshme, mund të llogaritet si kompromis për bashkëqeverisje ndërmjet dy partive fituese nga zgjedhjet e 5 qershorit për të bashkëqeverisur.

“Mendoj se kjo do të jetë një lëvizje pozitive në saje të proceseve integruese. Gjithsesi se kjo nuk mund të ndodhë pa pjesëmarrjen aktive edhe të partisë maqedonase VMRO-DPMNE, por shqiptarët mund të luajnë rolin lëvizës të të gjithë këtij procesi për integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Gjithsesi këtu duhet theksuar dhe faktin se zhbllokimi i procesit integrues dhe përmbyllja e negociatave për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, ishte dhe parakusht për fillimin për bashkëqeverisje të BDI-së me VMRO DPMNE-në”, thekson Musliu

Sipas Musliut, e gjithë kjo çështje do të varet dhe nga personi që do të vijë në krye të kësaj detyre, sepse, sipas tij, pos zgjidhjes së emrit, Maqedonia duhet t’u qaset me seriozitet obligimeve të marra nga faktori ndërkombëtar. Ndër obligimet është edhe realizimi i reformave, të cilat dukshëm ngecin në disa institucione, pavarësisht të harmonizimit të legjislaturës së vendit me atë të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, Zdravko Savevski, profesor universitar, shprehet më i përmbajtur sa i përket impusit pozitiv që mund t’i japë shtytje procesit të integrimit nëse dikasteri përkatës drejtohet nga përfaqësuesit shqiptarë.

“Vetë fakti se lufta nga ana e BDI-së zhvillohet në atë që të marrë sa më shumë poste në kuadër të ekzekutivit, flet qartë se kemi të bëjmë me një retorikë sesa përcaktim fundamental, ku qartë do të kushtëzohej pjesëmarrja e kësaj partie në Qeveri, me afatizimin e datës konkrete për të zgjidhur çështjen e emrit me këtë dhe i hap rrugë procesit të integrimit”, konsideron Savevski.

Ai thotë se mungon vullneti politik në anën maqedonase që të zgjidhet kjo çështje dhe shqiptarët ka pak mundësi që të ndikojnë në përshpejtimin e procesit.

Ndryshe, sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi, sqaron se BDI-ja në negociatat me partnerin maqedonas, VMRO-DPMNE, insiston të drejtojë ministritë që kanë për qëllim kryesor integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ndër to edhe postin e zëvendëskryeministrit të çështjeve evropiane, pastaj Ministrinë e Mbrojtjes, si bartëse për integrimin e Maqedonisë në NATO, si dhe Ministrinë e Drejtësisë, që do të bartë reformat në gjyqësi.
XS
SM
MD
LG