Ndërlidhjet

Kosovë: Liderët e PPL i vizutan serbët e arrestuar


Liderët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila merr pjesë në qeverinë e Kosovës, i kanë vizituar sot pesë serbët, që ishin arrestuar në Kosovë pas tubimit në Gazimestan, të dyshuar se me gurë e kanë sulmuar policinë e Kosovës.

Siç thuhet në njoftimin e PPL-së, të arrestuarit i kanë vizituar lideri i partisë, Sllobodan Petroviq, njëherësh zëvendës kryeministër i Kosovës, dhe zëvendës ministri i punëve të brendshme, Sasha Rashiq.

Pesë serbëve u është caktuar masa e paraburbimit për një muaj. Katër prej tyre janë në paraburgim në Gjilan, ndërsa njëri në Prishtinë.

Petroviq dhe Rashiq kanë biseduar me të arrestuarit, të cilët kanë thënë se autoritetet në burg ndaj tyre sillen sipas rregullave të institucionit, përkatësisht në mënyrë korrekte.

Zoti Petroviq ka shprehur keqardhje për incidentin në Gazimestan, por i ka hedhur poshtë raportet në disa media, për gjendjen e keqe shëndetësore të serbëve të paraburgosur dhe se ndaj tyre po bëhet torturë.

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviq, ka shfaqur shpresën se organet e drejtësisë në Kosovë do të jenë efikase dhe të drejtë në këtë rast dhe tha se respektimi i të drejtave të njeriut është qëllim kryesor.

Më herët gjatë ditës, sekretari shtetëror në ministrinë e Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka protestuar për shkak të serbëve të arrestuar, duke thënë se ka bazë për dyshim se policia e Kosovës në masë të tepërt e ka përdorë forcën.
XS
SM
MD
LG