Ndërlidhjet

Petifer: Bisedimet me Beogradin - të gabuara


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Mendoj se zotëri Thaçi dhe qeveria e tij përballen me presione të shumta për të bërë lëshime ndaj Beogradit - gjendje në të cilën nuk do të duhej të ishin. Ata kanë bërë tashmë lëshime substanciale për Serbinë për shumë çështje, brenda katër-pesë viteve të fundit. Besoj se ka ardhur koha që të balancohet ky proces. Tani, Beogradi do të duhej të bënte lëshime të mëdha nga qëndrimet tradicionale, tha në një intervistë për radion Evropa e Lirë, publicisti britanik, profesor në Universitetin e Oxfordit, James Pettifer.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor Petifer, Prishtina dhe Beogradi kanë paralajmëruar se Brenda këtij muaji do të arrihen rezultatet e para konkrete në kuadër të dialogut të cilin janë duke e zhvilluar që nga muaji mars. Çfarë prisni se do të dalë nga ky dialog?

XHEJMS PETIFER
Duhet të shohim se cilat janë detajet. Unë i kam parë disa gjëra të cilat i ka sugjeruar zonja Edita Tahiri, por nuk i njoh ende detajet. Mendoj se këto bisedime janë të gabuara.

Është në rregull nëse dalin gjëra pozitive nga ato, por sa do të ketë gjasa të ndodhë kjo? Serbia ende nuk është e gatshme ta njoh realitetin në Kosovë. Këto janë gjëra të imëta, por mendoj çështja e auto-targave diskutohej edhe në kohën kur Kushneri ishte shef i UNMIK-ut, që do të thotë diku para 10 vjetësh.

Këto nuk janë tema të reja, janë të dobishme, por në përgjithësi nuk janë të rëndësishme. Ekziston rreziku që Kosova të futet në një proces në të cilin do të komprometohej sovraniteti i Kosovës, gjë që e dëshiron Tadiqi.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni hapësirë për ndarjen e Kosovës e cila ende po kërkohet në Beograd?

XHEJMS PETIFER
Kjo ishte një ndër politikat e Millosheviqit, si shumë gjëra të tjera që vijnë nga Beogradi, andaj nuk është e re në qeverinë aktuale.

Mendoj se do të jetë shumë e rrezikshme. Jam ithtar i mendimit që ndryshimet e kufijve në Ballkan janë gjithmonë të vështira, ato shpesh çojnë në dhunë, dhe mendoj se do të ishte një fitore e madhe për nacionalizmin serb.

Ajo që na duhet është sundimi i ligjit në veri dhe që EULEX-i e Bashkësia Ndërkombëtare të bëjnë ndonjë gjë vendimtare atje. Mirëpo, për momentin nuk shoh shumë shenja në këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor, janë prezantuar shumë modele deri më tani lidhur me zgjidhjen e problemit të veriut. Cili mendoni se do të ishte modeli i cili do të prodhonte rezultate pozitive?

XHEJMS PETIFER
Po që serbët do të pranonin realitetin në Kosovë, e po që se Kosova do të njihej në Beograd, do të ndryshonte situata.

Atëherë do të ishte e mundshme që serbëve t’iu transferohen disa të drejta në fushat si për shembull edukimi, apo në fushën gjuhësore, nëse ata përbëjnë një shumicë të komunitetit lokal.

Por, e tërë kjo varet nga çështja e sovranitetit dhe ata duhet të ballafaqohen me këtë, me realitetin në botë, në vend se të hezitojnë ta njohin realitetin. Kjo nuk po u bëhet e qartë sa duhet nga ana e Bashkimit Evropian apo nga administrata e Obamës.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, a do të duhej të kishte më shumë presion ndaj Beogradit lidhur me veriun dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës?

XHEJMS PETIFER
Po mendoj se duhet të ketë, sepse patëm publicitetin qesharak lidhur me arrestimin e Mlladiqit. Arrestimi i Mlladiqit është i mirëpritur, por kjo nuk ndryshon politikat bazike mbi çështjet kryesore në Serbi.

Mendoj se atyre duhet t’iu thuhet që, po që se duan të jenë pjesë e botës më të gjerë, ata duhet të bëjnë ndryshime substanciale në vend se të bëhen gjithmonë lëshime ndaj Beogradit. Mendoj se zotëri Thaçi dhe qeveria e tij përballen me presione të shumta për të bërë lëshime ndaj Beogradit - gjendje në të cilën nuk do të duhej të ishin.

Ata kanë bërë tashmë lëshime substanciale për Serbinë për shumë çështje brenda katër - pesë viteve të fundit. Besoj se ka ardhur koha që të balancohet ky proces. Tani, Beogradi do të duhej të bënte lëshime të mëdha nga qëndrimet tradicionale.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të duhej njohja e Kosovës të ishte një nga kushtet të cilat do t’i viheshin Beogradit për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në këtë mekanizëm?

XHEJMS PETIFER
Absolutisht. Kjo gjë kërkohet edhe ligjërisht, sepse Bashkimi Evropian nuk pranon anëtarë të rinj në procesin e anëtarësimit nëse ata janë në konflikt me shtetet fqinjë. Andaj, sipas ligjit evropian ata duhet ta bëjnë këtë.

Por, sërish mund të shihet një dobësi e tmerrshme në Bruksel karshi qeverisë në Beograd. Proceset e gjata të aktivitetit serb atje kanë dhënë frute për Beogradin dhe nuk po shohim ndonjë politikë të balancuar në të cilën njohja e Kosovës do të bëhej pjesë e një procesi normal të njohjes së sovranitetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, në anën tjetër Bashkimi Evropian po vazhdon t’i kërkoj Prishtinës të bëjë më shumë lidhur me sundimin e ligjit. Çfarë kanë bërë autoritetet në Kosovë, deri më tani, në këtë drejtim?

XHEJMS PETIFER
Është vështirë të komentohet kjo, sepse shumëçka varet nga detajet. Secili e di që ka korrupsion në Kosovë, por ka korrupsion edhe në shumë vende të tjera si në Parlamentin Britanik për momentin.

Ka çështje të mëdha këtu, por mendoj se politikat e qeverisë së Thaçit nuk janë mjaft të qarta. Ata do të duhej të thoshin se do të bëjnë gjithçka për të përmirësuar sundimin e ligjit, por kjo mund të bëhet vështirë nëse nuk kemi sovranitet të efektshëm mbi territorin tonë.

Çdokush e di që kontrabandimi bëhet kryesisht në veri, në Sanxhak dhe në territoret përreth. Zotëri Thaçi nuk mund të kontrollojë se çfarë ndodhë në Sanxhak, kjo i takon Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor, mungesa e sundimit të ligjit-në njërën anë, pastaj problemet me Serbinë e problemi lidhur me veriun duket se kanë pasur një ndikim në imazhin e Kosovës në sferën ndërkombëtare. Çfarë mendoni se ka bërë Kosovës kur bëhet fjalë për procesin e njohjeve. Deri më tani Kosova është njohur nga 76 vende...

XHEJMS PETIFER
Mendoj se do të ndodhin edhe më shumë dhe nuk është edhe aq keq; nëse e merrni si shembull Bosnjën, ekziston një gjendje e ngjashme me progresin e njëtrajtshëm i cili natyrisht se është shumë i ngadaltë.

Mirëpo, mendoj se një mundësi e mirë tani është Lindja e Mesme, ngase me risitë në Arabi, dhe me ndryshimet e atmosferës në Lindjen e Mesme, madje edhe në vendet ku nuk ka pasur ndërrim të qeverisë, ka më shumë mundësi që të pranohet Kosova. Ishte mirë ta shohim zotëri Thaçin në Turqi, por mendoj se ai do të duhej të ishte edhe në Kajro, në Tripol, në Damask, madje edhe në regjimet të cilat nuk pëlqehen nga shumëkush.

Ata njerëz, megjithatë, kanë po ashtu të drejtë vote në Kombet e Bashkuara. Ky do të duhej të ishte prioriteti kryesor për qeverinë tani. Nuk mendoj se ja vlen të humbet koha për shtetet si Spanja. Ata duket se nuk do ta njohin kurrë Kosovën për shkak të problemeve të brendshme lidhur me separatizmin.

Por, mendoj se shumë vende të Lindjes së Mesme mund të binden për ta njohur Kosovën. Ishte shumë inkurajuese që një nga anëtarët e familjes mbretërore në Jordani, tha se do ta ndihmonte procesin. Ky pra duhej të ishte një prioritet për qeverinë; ekziston një rrezik i madh që qeveria të bëhet shumë e përqendruar në Bruksel dhe në Bashkimin Evropian-Kosova ka shumë miq dhe do të duhej t’i shfrytëzonte ata.
XS
SM
MD
LG