Ndërlidhjet

Kërkesë legjitime apo radikalizim i fesë?


Protesta e mbajtur për të kërkuar ndërtimin e xhamisë

Protesta e mbajtur për të kërkuar ndërtimin e xhamisë

Protestat e fundit të besimtarëve mysliman për ndërtimin e një xhamie në Prishtinë, kanë nxitur reagime të ndryshme, duke mos përjashtuar edhe mendimet se po shpërfaqet një radikalizim i fesë. Bexhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, shpreh mendimin se askush nuk po e merr seriozisht mundësinë e radikalizmit të rrymave fetare. Por, përfaqësuesit OJQ-së “Bashkohu”, që ka organizuar protestat dhe ata të Bashkësisë Islame të Kosovës, hedhin poshtë mundësinë e këtij radikalizmi.

Protestat, të cilat në tri javët e fundit janë mbajtur ditëve të premte nga besimtarët mysliman në Prishtinë, me kërkesën për ndërtimin e një xhamie, kanë nxitur dronë tek organizatat për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut nga, siç kanë thënë, radikalizmi i rrymave fetare.

Bexhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, thotë se gjatë protestave të besimtarëve myslimanë, të organizuara nga organizata joqeveritare “Bashkohu”, ka pasur shpërfaqje të elementëve radikal, gjë që ka pasuar me përplasjen e tyre me policinë, rreth një javë më parë.

Ndonëse ka deklarime se nuk do të lejohet radikalizmi i rrymave fetare, mendoj se askush nuk po merret seriozisht me këtë, madje as ndërkombëtarët, të cilët këtë gjithmonë e kanë potencuar si rrezik që i kanoset Kosovës. Edhe ata po e tolerojnë një radikalizim, sepse përmes kësaj, më lehtë po e mbajnë nën kontroll situatën e sigurisë në Kosovë dhe nuk po janë të interesuar që për shkak të një radikalizmi në fushën fetare, të vij deri te destabilizimi i situatës në përgjithësi”, thotë Shala.

Por, Fuad Ramiqi, drejtues i organizatës joqeveritare “Bashkohu”, ka përjashtuar mundësinë që protestat e besimtarëve mysliman në tri javët e fundit, të kenë qenë produkt i ndonjë radikalizmi të rrymave fetare.

Ai thotë se kërkesa e vetme ka qenë ndërtimi i një xhamie për përmbushjen e nevojave të besimtarëve në Prishtinë.

Sa i përket radikalizmit, sikur po tentohet t’i jepet një konotacion tjetër, por radikalizim nuk ka. Ka vetëm tentim të ‘ngjyrosjes’, por thelbi është që ne e dimë se çka është demokracia. Duam shtet demokratik, shoqëri demokratike dhe zbatim të vlerave demokratike që janë të garantuara edhe me konventa ndërkombëtare dhe me kushtetutën tonë”, shprehet Ramiqi.

Ditë më parë, në hapësirën universitare, para Fakultetit Filologjik në Prishtinë, disa persona kanë hapur, siç i kanë quajtur, themelet e xhamisë. Policia e Kosovës ka shoqëruar një person që ka marrë pjesë në këtë akt.

Bashkësia Islame e Kosovës, e ka përkrahur kërkesën e protestuesve, por nuk ka përkrahur vet protestën, eskalimin e saj, si dhe mënyrat eventuale të paligjshme të veprimit.

Ajo e ka hedhur poshtë mundësinë që protestat kanë qenë pasojë e radikalizmit apo edhe politizimit të fesë në përgjithësi.

Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora thekson se kërkesa e protestuesve nuk ka qenë ekstreme, por siç thotë ai, thjeshtë, një kërkesë shumë legjitime, e cila përputhet me kërkesën e Bashkësisë Islame të Kosovës, tash e 12 vite, për ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë.

Ne, thjeshtë, dëshirojmë që të mos i jepet ngjyrim i tillë politik e as ngjyrim fetar, sepse është një kërkesë shumë e natyrshme, meqë Prishtina vërtetë ka nevojë për një xhami të madhe, e cila do të plotësonte boshllëkun apo nevojat e besimtarëve”, tregon ai.

Në anën tjetër, Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, shpjegon se Komuna e Prishtinës është duke bërë përpjekje për gjetjen e një hapësire adekuate për ndërtimin e xhamisë. .

Udhëheqja komunale ka para vetes disa opsione, të cilat është duke i shqyrtuar. Kreu i Prishtinës u ka dhënë detyrë drejtorëve të drejtorive që të kërkojnë hapësira të mundshme në lagjet qendrore të qytetit dhe do të gjendet një hapësirë e përshtatshme. Në momentin kur do t’i kemi lokacione të identifikuara, atëherë do të ftohet kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe do të bisedohet për ato lokacione, si dhe në mënyrë të përbashkët do të vendoset për opsionin e mundshëm”, bën të ditur Gashi.

Kërkesa e Bashkësisë Islame të Kosovës , e cila tashmë është bërë publike, është që xhamia të ndërtohet përballë Institutit Albanologjik në Prishtinë, në hapësirën ku aktualisht ndodhet një institucion parashkollor apo çerdhe e fëmijëve.

Por, kryemami Bajgora, thotë se BIK-u do të jetë fleksibil lidhur me këtë çështje.

Nëse kjo nuk ndodhë te çerdhja, atëherë do të shohim alternativat që mund të na i ofroj Kuvendi Komunal dhe pastaj, si bashkësi islame, ne do të përpiqemi. Mirëpo, ne shpresojmë se ky lokacion, i cli është miratuar në parim edhe nga vet Kuvendi Komunal, do të jetë hapësira e dëshiruar për ta ndërtuar xhaminë”, thotë Bajgora.

Ndërkaq, Ramiqi nga organizata “Bashkohu”, ka paralajmëruar se mbajtja ose jo e protestave të mëtutjeshme do të varet nga ajo se a do të arrihet një marrëveshje konkrete për ndërtimin e xhamisë.

Është e mundur që ne, deri në një afat kohor ta bëjmë një ‘marrëveshje paqeje’ dhe t’i ndërprejmë protestat, por pa i pasur disa hapa konkret, ne nuk e kemi ende vendimin e sigurt se si do të veprojmë”, thotë ai.

Kërkesën për ndërtimin e xhamisë e përkrahë edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, por sipas drejtuesit të saj, një gjë e tillë nuk duhet bërë përmes shantazhit dhe protestave që potencialisht mund të eskalojnë në dhunë.

Në qoftë se kjo kërkesë kushtëzohet, shantazhohet, shoqërohet me bllokimin e rrugëve, me dërgimin e porosive kërcënuese se do të radikalizohet situata, atëherë kjo është e papranueshme. Mendoj se as feja Islame e as një besim tjetër nuk e pranon kërcënimin, shantazhimin ose nuk do të duhej ta pranonte që të rrënohen shkollat dhe objektet arsimore dhe mbi to të ndërtohen objektet fetare”, shprehet Bexhet Shala.

Gjetja e lokacionit për ndërtimin e xhamisë, sipas zyrtarëve komunal të Prishtinës, pritet të bëhet në afatin më të shkurtë të mundshëm kohor.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG