Ndërlidhjet

logo-print

(Mos) luftimi i ekonomisë joformale?!


Dogana kosovare në kufirin Kosovë - Serbi

Dogana kosovare në kufirin Kosovë - Serbi

Kosova ende vazhdon të ballafaqohet më praninë e madhe të ekonomisë joligjore. Edhe pse mungojnë shifrat zyrtare për pjesëmarrjen e kësaj dukurie, njohës të çështjeve ekonomike, konsiderojnë se rreth 50 për qind e tregut kosovar është e mbuluar më këtë lloj të ekonomisë. Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë thonë se luftimi dhe parandalimi i ekonomisë jo formale, është një ndër prioritete e saja.

Ekonomia jo ligjore në Kosovë vazhdon të mbetet problem për autoritetet e vendit, dhe që ky fenomen ka çrregulluar tregun legal, madje po sjell pasoja në realizimin e të ardhurave të pa mjaftueshme për financimin e buxhetit, thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit

Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thekson se funksionimi i dobët i administratës tatimore, gjyqësorit dhe policisë, në luftimin e ekonomisë joformale, ndikon në rritjen e këtij fenomeni.

Edhe pse në Kosovë nuk ka vlerësime zyrtare rreth përmasave të ekonomisë joformale, Sadiku konsideron se rreth 50 për qind është pjesëmarrja e kësaj lloji ekonomie në tregun kosovarë.

Në Kosovë ende nuk kemi studime serioze mbi nivelin e ekonomisë jo formale, mbi pasojat e ekonomisë jo formale dhe mbi politikat më të cilat duhet të adresohet ky problem i madh. Sipas vlerësimeve, pjesëmarrja e ekonomisë joformale është nga 40 – 50 për qind. Kjo ka të bëjë më jo formalitetin e bizneseve, jo formalitetin e rrjedhjes se parasë dhe jo formalitetin e tregut të punës”, thotë Sadiku.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, pohojnë se niveli i lartë i ekonomisë jo ligjore, po i sjell probleme të shumta kompanive të cilat veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në mënyrë ligjore.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se ky fenomen ka ndikuar në shuarjen e shumë kompanive private.

Shahini, ndërkaq thotë se burim i ekonomisë se paligjshme është pjesa veriore e Mitrovicës.

Fare thjeshtë mund të konkludojmë se Strategjia për Veriun, për të cilën mund të thuhet se ka dështuar, tregon se dal ngadalë institucionet vendore janë duke u tërhequr nga veriu për të kontrolluar atë pjesë. Dhe dyshoj se kjo po e çon Kosovën drejtë një ndarje ekonomike por edhe politike”, thotë Shahini.

Luftimi dhe parandalimi i ekonomisë joformale, përkatësisht futja e saj në kanalet e rregullta formale, është një ndër prioritete e qeverisë dhe sfidë e paraqitur në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, thotë Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave.

Për të punuar në drejtim të parandalimit të ekonomisë joformale, Shahini thotë se është krijuar bazë e mirë ligjore, janë nënshkruar marrëveshje të ndryshme, si me administratën tatimore dhe institucionet doganore, me të gjitha shtete për rreth, përveç më Serbinë, si dhe janë krijuar njësi mbështetëse për luftimin e kësaj dukurie.

Pavarësisht kësaj, Shahini thotë se sfidë kryesore për parandalimin e kësaj dukurie mbetet pjesa veriore e Kosovës.

Mirëpo, edhe përkundër këtyre zhvillimeve pozitive, si sfidë kryesore mbetet mos prezenca e doganës se Kosovës në portat 1 dhe 31, përmes se cilave është duke u zhvilluar edhe evazioni fiskal i cili sillet 35 deri në 40 milion euro . Këto janë shifra që janë prezantuar edhe nga EULEX-i. Me gjithë të arriturat pozitive, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave është e përkushtuar që të luftojë këtë fenomen në Kosovë”, bën të ditur ai.

Por, njohës të çështjeve ekonomike, thonë se përveç deklaratave publike për luftimin e kësaj dukurie, ekzekutivi i vendit nuk ka treguar vullnet dhe gatishmëri të duhur për parandalimin e ekonomisë joformale
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG