Ndërlidhjet

Opozita skeptike për marrëveshjet


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës
Partitë opozitare i kanë cilësuar të padobishme për Kosovën marrëveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Opozita vlerëson se nuk bëhet fjalë për marrëveshje ndër shtetërore, por për konkluzione me të cilat palët janë pajtuar në formë gojore pa përcaktuar afate kohore dhe modalitete të zbatimit të tyre.

Opozita i sheh me pesimizëm tri marrëveshjet e para ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të arritura gjatë raundit të fundit të bisedimeve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Fakti se marrëveshjet janë të panënshkruara, nuk përmbajnë afate dhe nuk përmendet ratifikimi i tyre në Parlament, sipas opozitës, dëshmon se ato nuk i përmbushin karakteret e marrëveshjeve ndër-shtetërore.

Ish-ministri i jashtëm, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni thotë se në bazë të asaj që deri më tash është prezantuar, nuk mund të flitet për karakterin e marrëveshjeve ndër-shtetërore.

Këto nuk janë marrëveshje ndër–shtetërore sepse nuk janë marrëveshje fare tek e fundit. Unë nuk e di, por në bazë të asaj që është prezantuar në media, thuhet se është Komisioni Evropian ai i cili do të mbikëqyrë dhe do të jetë njëfarë garantuesi. Ka disa konkluzione të ndërmjetësit dhe madje nuk quhen as marrëveshje”, thotë Hyseni.

Një çështje tjetër shqetësuese që u prezantua si marrëveshje e këtij dialogu, sipas Skënder Hysenit, është edhe përmbajtja e konkluzioneve të cilat palët i quajnë marrëveshje.

Ai thotë se cilësimi i kufirit ndër shtetëror Kosovë – Serbi si një linjë administrative paraqet një lëshim të madh të palës negociuese kosovare.

Kosova do të duhej të bënte dialog me Serbinë vetëm mbi bazën e dialogut shtet me shtet. Nëse vijës kufitare midis Kosovës dhe Serbisë një marrëveshje, hipotetikisht po flas, i referohet si linjë apo kufi administrativ, atëherë kam frikë që ky është një lëshim i madh, një koncesion që nuk guxon dhe nuk ka guxuar të bëhet, nëse është bërë, flas nga ajo që është publikuar. Pastaj nuk ka marrëveshje të nënshkruar dhe kjo po ashtu është problematike në afat të gjatë”, thekson Hyseni.

Rezultatet e para të dialogut Kosovë - Serbi shihen me skepticizëm edhe nga dy partitë tjera të opozitës.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca thotë se marrëveshjet e Brukselit u ngjajnë marrëveshjeve gjentëllmene.

Ai i cilëson këto si marrëveshje të njëanshme dhe të dëmshme për Kosovën.

Koha do të tregojë se këto marrëveshje nuk janë ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Këto marrëveshje më duket që janë ndërmjet Hashim Thaçit dhe Serbisë. Partitë tjera dhe populli i Kosovës do të bëjnë çmos që kanë në duar, duke përfshirë presionin qytetar deri te puna institucionale, që ta argumentojnë se këto marrëveshje janë të dëmshme për Kosovën, dhe se këto marrëveshje janë shumë të njëanshme. Pra që Kosova me këto marrëveshje e njeh Republikën e Serbisë por Serbia nuk po e njeh Republikën e Kosovës”, vlerëson Konjufca.

Në anën tjetër Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se përmbajtja e marrëveshjeve nuk është bërë publike, ngase ajo që u tha publikisht nuk shtjellon në thelb se për çfarë janë pajtuar Prishtina dhe Beogradi në marrëveshjet e tyre të panënshkruara.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së dhe deputeti i kësaj partie, Burim Ramadani thotë se kryenegociatorja Edita Tahiri dhe qeveria, duhet të dalin para Kuvendit dhe të prezantojnë çdo detaj të këtyre marrëveshjeve në mënyrë që ato të mund të zbatohen.

Insistojmë që ato marrëveshje të vijnë në Parlament dhe të shqyrtohen rresht për rresht ën mënyrë që të marrin mbështetjen ose refuzimin nga Parlamenti i Kosovës. Normalisht që shohim një angazhim të Brukselit dhe angazhimin e tij duhet përshëndetur për punën që po bën për rajonin dhe Kosovën, porse në bazë të Rezolutës dhe deklarimeve të deritashme të qeverisë, ne duhet ta shqyrtojmë në Parlament çfarëdo lloj marrëveshje që arrihet”, thotë Ramadani.

Ndërkohë, Glauk Konjufca i Vetëvendosjes, thotë se Serbia është përkujdesur në detaje, që të mos bëjë shkelje të Kushtetutës së vet, përderisa Kosova është pajtuar me ato zgjidhje.

Fakti që lëvizja e lirë në të dyja vendet është mundësuar me letërnjoftime ka dy anë të medaljes, sipas Konjufcës, pasi që me këtë akt, Serbia ka dashur të thotë se Kosova është pjesë e saj dhe qytetarët nuk kanë nevojë për pasaporta gjatë lëvizjes nëpër Serbi.

Ai kritikon po ashtu edhe marrëveshjen për librat amzë.

Duket qartë që Kosova ka pranuar që t’i ketë kopjet e regjistrave civil dhe ky është po ashtu një hap prapa në imponimin e sovranitetit tonë ndaj Serbisë dhe vet fakti që delegacioni i Kosovës është pajtuar edhe me këtë pikë, pra me kopjet e regjistrave civil, më duket që nuk e ka mbrojtur mirë aspektin e sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës”, deklaron Konjufca.

Për dallim nga opozita, qeveria i ka vlerësuar pozitivisht marrëveshjet e arritura me Beogradin.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se me këto marrëveshje Serbia po e njeh shtetin e Kosovës.

Ajo ka vlerësuar po ashtu me marrëveshjet janë një hap përpara në shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri dhe janë goditje për strukturat paralele serbe atje.
XS
SM
MD
LG