Ndërlidhjet

Afganistan: Një javë krize


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Afganët janë mësuar me lajme të këqija, por kriza e shumëfishtë e javës së kaluar, ia ka dalë të sfidojë, edhe pritjet më të vogla.

Afganistani ka qenë në kaos në 30 vjetët e kaluara, duke lënë pak hapësirë për optimizëm.

Por, ngjarjet e kësaj jave i kanë shokuar edhe vëzhguesit më pesimistë.

Të martën në mbrëmje, militantët talibanë sulmuan një hotel luksoz në Kabul, sulm ky që përfundoi, vetëm pasi që trupat afgane të sigurisë kërkuan ndihmën ndërkombëtare.

Sulmi erdhi vetëm disa orë, pasi që shefi i bankës qendrore të Afganistanit iku nga shteti dhe dha dorëheqje.

Të hënën ai u shfaq në Uashington për të denoncuar qeverinë e Karzait për dështim në zgjidhjen e skandalit bankar, që po kërcënon të nxjerrë nga binarët financat e qeverisë dhe të destabilizojë ekonominë kombëtare edhe ashtu të brishtë.

Një javë më parë, më 23 qershor, një gjykatë speciale u hoqi ulësen e deputetëve 62 parlamentarëve nën dyshimet për manipulim në zgjedhje.

Vendimi pezulloi punën e Kuvendit, deri në zëvendësimin e ligjvënësve.

Vendimi i gjykatës ishte një nga faktorët që çoi më vonë në krijimin e një aleance të re kundër Karzait, e cila bëri bashkë liderët e grupeve të mëdha jo pashtune - ku u përfshinë disa nga komandantët më të fuqishëm.

Të bëra të gjithë së bashku, këto ngjarje ngrenë pyetjen themelore rreth stabilitetit të Afganistanit në kohën kur komuniteti ndërkombëtar gradualisht po lëviz kah largimi prej shtetit të trazuar.

Sulmi ndaj hotelit, sipas ekspertëve të sigurisë, ishte pa dyshim fitore për kryengritësit, edhe pse nuk shkaktoi numër të madh viktimash siç ishte pritur.

Por, megjithatë, shkaktoi dridhje në Kabul, ku banorët u habitën se si ia kanë dalë sulmuesit të depërtojnë tri rrethet e rojeve të hotelit Interkontinental.

Nora Bensahel, një analiste në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane në Uashington thotë se sulmuesit zgjodhën me kujdes caqet që të maksimizojnë efektet politike dhe psikologjike të sulmit.

"Sulme të tilla nuk bëhen vetëm për shkaqe ushtarake, por edhe për të dërguar mesazhe politike dhe mendoj se koha e sulmit dhe natyra spektakulare e tij, për shkak se përfshinte shumë sulmues vetëvrasës në një zonë të siguruar rëndë, ishte disenjuar për të dërguar mesazh politik, ndërsa Afganistani po përgatitet që të marrë përgjegjësinë në fushën e sigurisë. Ky ishte një kalkulim për të treguar se forcat afgane të sigurisë nuk janë të pëgatitura për t’u marrë me sigurinë dhe për të minuar beismin në qeverinë afgane”, tha Bensahel.

Sulmi shihet edhe si përpjekje për të penguar bisedimet me talebanët, të cilat, edhe SHBA edhe Karzai i kanë vënë si prioritete në muajt e ardhshëm.

Për të gjitha këto arsye, Bensahel thotë se sulmi i së martës ka të ngjarë të mos jetë i fundit.

Talibanët duket se janë mbërthyer nga skandalet e vazhdueshme në sektorin financiar në vend.

Rejmond Gilpin, një ekonomist në Institutin e Paqes në SHBA, tha se efektet e skandalit bankar janë të gjera:

“Debakli në ‘Kabul Bank’ shkon përtej ndërmjetësimit financiar dhe mbikëqyrjes financiare. Kjo flet për ekonominë e brishtë politike të Afganistanit dhe ka implikime në stabilitet dhe siguri”, tha Gilpin.

Por, nuk është vetëm kjo aferë, ajo bën që komuniteti ndërkombëtar të mos ketë besim në qeverinë e Karzait.

Edhe para skandalit, disa agjenci ndërkombëtare pezulluan ndihmat për qeverinë afgane.

FMN-ja po i mban pezull 70 milionë dollarë, të parapara për pagat e shërbyesve civilë.

“Ju dëshironi të shihni një qeveri shumë aktive dhe një program anti-korrupsion që shkon pas atyre që janë përgjegjës për korrupsionin, që i ndjek dhe i dënon ata. Nëse kjo do të ndodhte, do të ndryshonte dinamikën dhe do të ndryshonte nga rrafshi i brendshëm - besimin e afganëve në qeverinë e tyre, ndërsa në rrafshin e jashtëm - besimin e donatorëve. Deri më tash kjo nuk ka ndodhur”, thotë Mark Shnajder i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.


Në anën tjetër, ideja se amerikanët dhe aleatët ndërkombëtarë nuk do të jenë gjatë në vend, ka ndihmuar në krijimin e një aleance politike kundër Karzait, e cila i bashkon figurat kryesore të komuniteteve uzbeke, hazara dhe taxhike, të cilat e kanë krijuar të ashtuquajturën “Aleancën Veriore”.

Ky bllok është kundër bisedimeve me talibanët, të cilët i mbajnë përgjegjës për vrasjet masive, përderisa ata ishin në pushtet.

Nuk dihet nëse aleanca e re do të krijojë parakushte për një garë të shëndoshë politike, apo do të mbjellë farat për ndasi dhe një konflikt vdekjeprurës. (a.i.)
XS
SM
MD
LG