Ndërlidhjet

Maqedoni: Sindikatat kërcënojnë me greva


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka përkujtuar qeverinë për premtimin e dhënë gjatë fushatës zgjedhore, për caktimin e shkallës së garantuar për pagën minimale. Në të kundërtën, LSM-ja, ka paralajmëruar organizimin e grevës së përgjithshme të punëtorëve

Kryetari i lidhjes së sindikatave të Maqedonisë Zhivko Mitrevski, në një intervistë për Evropën e Lirë, ka bërë të ditur se nëse qeveria nuk mban premtimin e dhënë për garantimin e pagës minimale, do të ballafaqohet me grevë të përgjithshme të të gjithë punëtorëve në vend.

Në agjendën e Sindikatës së Punëtorëve, nëse dështojnë bisedimet me qeverinë, si masë, kemi paraparë fillimisht organizimin e protestave, por nëse edhe protestave autoritetet qeveritare u përgjigjen me vesh të shurdhër, do të pasojë organizimi i një greve të përgjithshme të punëtorëve të Maqedonisë, meqë ekzistenca e tyre financiare është më se e kërcënuar dhe është devalvuar fuqia punëtore”, shprehet Mitrevski.

Ndërkohë, këshilltari shtetëror i dikasterit të punës dhe politikës sociale Stojan Trajanov, bën të ditur se tashmë një javë është formuar grupi i punës, i cili shqyrton mundësitë për të realizuar kërkesat e punëtorëve.

Fillimisht kemi kërkuar që të definohet gjendja e nivelit të pagave në sektorët më të ndjeshëm, në bazë të së cilave të dhëna, dhe do të vlerësojmë se cila duhet të jetë paga minimale në veprimtari të ndryshme ekonomike”, thotë Trajanov.

Nga ana tjetër, ende pa filluar negociatat mes LSM-së dhe dikasterit të punës dhe politikës sociale, Organizata e Punëdhënësve ka theksuar se si pasojë e klimës së pavolitshme ekonomike, biznesi nuk mund të mbajë mbi shpatull në këtë moment rritjen e pagave.

Asgjë nuk do të arrihet nëse përcaktohet një paushall i lartë i garantuar për pagat minimale, e nga ana tjetër punëdhënësit detyrohen të largojnë një pjesë të punëtorëve, për të cilët nuk kanë kapacitet të sigurojnë rrogë. Pra, si pasojë e një presioni të qeverisë për të rritur rrogat, në anën tjetër rritet edhe numri i të papunëve”, thekson Angell Dimitrov, zëvendës kryetar i Organizatës së Punëdhënësve në Maqedoni.

Edhe ekspertët vlerësojnë se rritja e pagës pa krijimin e kushteve për zhvillimin e ekonomisë është e pamundur.

Për t’u rritur niveli i pagës minimale, nevojitet gatishmëria nga biznesi dhe nga politika, sepse qeveria mund të sjellë vendim për rritjen e pagave por njëkohësisht të mos krijojë mekanizma që të mbrohet ajo pagë. Pra, ne si shoqëri, me këtë ekonomi, në gjendjen në të cilën ndodhet, nuk kemi kushte që ta mbrojmë klasën punëtorë, duke siguruar një minimum të mjeteve financiare. Kjo çështje do të lakohet edhe një kohë të gjatë dhe s’besoj që sindikata dhe qeveria të arrijnë ujdi për një zgjidhje e cila edhe do të mund të zbatohet në interes të punëtorëve”, shprehet Xhevdet Haredini, ish ministër i financave.

Sipas të dhënave zyrtare, afro 10 për qind e punëtorëve në Maqedoni, vitin e kaluar janë paguar me pagë prej 3 deri në 8 mijë denarë, gjegjësisht rroga e tyre ka qenë 50 deri 130 euro.

Punëtorët në industrinë e tekstilit paguhen me 5500 denarë, rreth 85 euro, gjersa në industrinë lëkurës, rroga minimale sillet diku në 5200 denarë, gjegjësisht 80 euro.
XS
SM
MD
LG