Ndërlidhjet

Mlladiqi injoron, gjykata e përjashton nga salla


Një banor i Bosnjës e shikon seancën e mbajtur në Tribunalin e Hagës të ish komandanti ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq
Një banor i Bosnjës e shikon seancën e mbajtur në Tribunalin e Hagës të ish komandanti ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq
Tribunali i Kombeve të Bashkuara për krime të luftës në Hagë, sot e ka mbajtur seancën në të cilën ish komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është dashur të deklarohet se a e ndjen veten fajtor apo jo, lidhur me 11 akuzat, përfshirë edhe atë për gjenocid.

Por, për shkak të pengesave të shpeshta ndaj procesit, që i bënte Mlladiqi, 69 vjeçar, gjyqtarët urdhëruan largimin e tij nga salla.

Tribunali, në emër të të akuzuarit, u shpreh se Ratko Mlladiqi nuk e ndjen veten fajtor ndaj të gjitha pikave të aktakuzës.

Ish komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është i akuzuar për krime të luftës lidhur me rrethimin e përgjakshëm të Sarajevës dhe masakrën e afro 8 mijë djemve dhe burrave myslimanë, në qytetin Srebrenicë në Bosnjë.

Gjyqtari Alfons Orie, sipas rregullave të gjykatës, kur i akuzuari refuzon të deklarohet se a është fajtor apo jo, u shpreh se Ratko Mlladiq nuk e ndjen veten fajtor, pasi disa çaste më herët e kishte përzënë Mlladiqin nga salla e gjykatës.

Zoti Mlladiq. Gjykata urdhëron që ju të largoheni nga salla e gjyqit. I lutem sigurisë që ta përcjellë zotin Mlladiq jashtë sallës”, urdhëroi gjyqtari Orie.

Ju nuk jeni gjykatë”, tha Mlladiq para se të përcillej jashtë sallës.

I akuzuari 69 vjeçar, më herët ishte kërcënuar me bojkot të seancës dëgjimore, që ishte e dyta prej se ai u arrestua dhe u ekstradua nga Serbia në muajin maj, pas 16 vitesh në ikje.

Ratko Mlladiq në seancë u paraqit me ton injorues, ndërsa refuzoi që ta hiqte kapelën duke kërkuar përfaqësim tjetër juridik dhe shtyrje për një muaj të kësaj seance.

Tribunali refuzoi t’i mundësojë atij shtyrje dhe tha se Mlladiqi do të përfaqësohet nga avokati i caktuar nga gjykata, derisa ajo ta bënte kontrollin e kredencialeve të dy avokatëve të tjerë, njëri serb, e tjetri rus, që Mlladiqi i dëshironte në ekipin e mbrojtjes së tij.

Në këtë kuadër, gjyqtari Ori theksoi:

Nuk ekziston e drejta për audiencë për çfarëdo këshilli, i cili nuk është i kualifikuar, dhe si rezultat, të pranohet në listë. E kuptoj se regjistrimi po punon në verifikimin nëse këshilli të cilin ju e preferoni, nëse ata do të pranohen në listë, po ose jo, nëse ata janë të kualifikuar, po ose jo”, tha gjyqtari Alfons Ori.

Ratko Mlladiqi, i cili i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat kundër tij, duke i vlerësuar ato si “të neveritshme” dhe “monstruoze”, ka mundësi që ta ndryshojë deklarimin se nuk ndjehet fajtor, në çdo kohë.

Data e seancës së ardhshme do të caktohet pasi gjykata të vendosë nëse do ta miratojë kërkesën e Mlladiqit për avokatët e preferuar.

Në Sarajevë, banorët e shikonin transmetimin e procesit në një ekran të madh.

Sikur shumë qytetarë të Bosnjës, Fikret Grabovica, vajza 11 vjeçare e të cilit ishte vrarë nga predhat në vitin 1993, ka shfaqur shpresën se procesi do të sjellë drejtësi dhe lehtësim për familjet e viktimave.

Në 20 vitet e fundit në skenë është lufta ndërmjet së vërtetës dhe gënjeshtrës, drejtësisë dhe padrejtësisë. Ne të gjithë dëshirojmë dhe kërkojmë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë dhe përfundimisht në këtë vend të burgosen ata që janë përgjegjës për krime, në mënyrë që ne të kemi kushte për jetë më të mirë për brezat e ardhshëm”, tha Fikret Grabovica.

Procesi me interesim po ndiqet edhe në Serbi, ku shumë Mlladiqin e konsiderojnë hero dhe thonë se ai vetëm e mbrojti vendin e tij gjatë luftës në Bosnjë.

Procesi gjyqësor është shumë domethënës edhe për udhëheqjen serbe, pasi ai mund të zbulojë dëshmi se Beogradi kishte ditur ose bile i kishte urdhëruar vrasjet masive.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2007, kishte konkluduar se Serbia kishte dështuar ta parandalojë gjenocidin, por nuk ishte përgjegjëse për të, duke e parandaluar Bosnjë Hercegovinën nga kërkesa për kompensim për masakra. (f. b.)
XS
SM
MD
LG