Ndërlidhjet

Eshton inkurajon zbatimin e marrëveshjeve

  • RFE /RL

Hashim Thaçi dhe Kethrin Eshton / foto arkiv

Hashim Thaçi dhe Kethrin Eshton / foto arkiv

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kethrin Eshton, që është edhe nënkryetare e Bashkimit Evropian, ka thënë sot pas një dreke pune në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin, që BE-ja është e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën në realizimin e perspektivës evropiane dhe me afrimin e saj në BE.

Ajo në mënyrë të veçantë ka shprehur kënaqësi për marrëveshjet e para të cilat janë arritur në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe ka inkurajuar palët që me përkushtim të zbatojnë atë që është arritur në to.

Eshton ka thënë se pret që edhe në takimet e radhës të ketë marrëveshje edhe pika tjera, si energjia, transporti dhe disa tema që janë në rend dite.

Marrëveshjet e arritura i ka quajtur si marrëveshje evropiane, nga të cilat fitojnë të dyja palët dhe ka përsëritur se me këto marrëveshje asnjëra palë nuk ka hequr dorë nga qëndrimet e veta.

Marrëveshja e arritur këtë të shtunë është zgjidhje evropiane për disa çështje shumë të vështira por shumë të rëndësishme. Dëshiroj të përgëzoj kryeministrin Thaçi dhe zonjën Tahiri, si edhe palën nga Serbia, për lidershipin e tyre, për kurajën dhe punën e vështirë”, tha Eshton, duke shtuar se dialogu është në të mirë të qytetarëve dhe të të dyja vendeve po ashtu.

Qëllimi i këtij dialogu është sjellja e të dyja palëve më afër Bashkimit Evropian, për të përmirësuar koordinimin, dhe çka është më e rëndësishmja, për të përmirësuar jetën e njerëzve të rëndomtë”, u shpreh Eshton.

Ndërsa kryeministri i Kosovës ka thënë se dialogu është një proces me parime evropiane, i cili ndihmon në krijimin e raporteve të fqinjësisë së mirë në rajon.

Dialogu është themeli mbi të cilin është themeluar edhe Bashkimi Evropian. Mbi këtë parim, do ta evropizojmë edhe ne Ballkanin, dhe në këtë drejtim ne jemi duke punuar të gjithë, që të kemi bashkëpunim fqinjësor shumë të mirë me të gjithë fqinjët, edhe me Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, por edhe me Serbinë. Mesazhet janë shumë të qarta edhe te konkludimi për marrëveshje të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, për tri çështjet e së shtunës”, tha Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, ka përsëritur në Bruksel se edhe Kosova është e përkushtuar që ta ndjekë agjendën evropiane dhe se do të punojë për reformat e nevojshme në këtë drejtim, përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit.

Këto janë çështje teknike, për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie. Janë çështje që i kemi diskutuar edhe me vendet tjera të rajonit, dhe janë zgjedhur sipas parimeve dhe standardeve evropiane. Kosova si vend me perspektivë evropiane do të vazhdojë me qeverisjen e mirë, të sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar”, theksoi kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, nënvizoi po ashtu se Kosova nuk sheh ndonjë rrugë tjetër, pos të asaj të integrimit në BE, dhe se qeveria është e përkushtuar për të punuar në realizimin e perspektivës evropiane, përfshirë edhe nisjen e dialogut të vizave.

Tani Kosova po kalon në një fazë të thellë të reformave demokratike me perspektivë evropiane, reforma këto edhe gjithëpërfshirëse edhe në legjislacion e në ekonomi, por edhe në politikë, edhe në krijimin e një realiteti demokratik dhe multnietnik”, tha Thaçi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG