Ndërlidhjet

Marrëveshjet nuk ratifikohen në Kuvend


Çështja e marrëveshjeve të arritura domosdo duhet të jetë trajtim i një seance urgjente të Kuvendit të Kosovës, thonë analistët. (Foto arkiv)
Çështja e marrëveshjeve të arritura domosdo duhet të jetë trajtim i një seance urgjente të Kuvendit të Kosovës, thonë analistët. (Foto arkiv)
Kërkesat e opozitës që marrëveshjet Prishtinë - Beograd të dalin para Kuvendit për shqyrtim dhe ratifikim, duket se nuk mund të realizohen, për faktin se ato janë të panënshkruara. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është kthyer nga Brukseli, ku ka biseduar me baroneshën Eshton për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, por ai nuk ka folur për detajet, duke ia lanë këtë përgjegjësi kryenegociatores Edita Tahiri.


Qeveria e Kosovës vazhdon të mos japë detaje të marrëveshjeve që ka arritur me Beogradin gjatë procesit të dialogut, që në raunde të caktuara po zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili qëndroi dy ditët e fundit në Bruksel, tha se takimi që zhvilloi atje me shefen e diplomacisë evropiane, baroneshën Kethrin Eshton, ishte i fokusuar në procesin e integrimit, kurse dialogu dhe marrëveshjet me Serbinë, sipas tij, ishin vetëm një pikë e diskutimit.

Ai e komentoi fare shkurt çështjen e marrëveshjeve duke ia lënë në përgjegjësi kryenegociatores Edita Tahiri që të flasë për to.

Kryeministri Hashim Thaçi
“Theksi i diskutimit tim me baroneshën Eshton ka qenë agjenda evropiane për Republikën e Kosovës. E rikonfirmoj se si kurrë më parë, në Bruksel ka konsensus të plotë për agjendën dhe perspektivën evropiane të shtetit të Kosovës. Kështu që zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ju ka informuar për disa çështje teknike që ndërlidhen në raportet e reciprocitetit”, tha Thaçi pas kthimit nga Brukseli.

Në anën tjetër, opozita po insiston që marrëveshjet të sillen në Kuvend për shqyrtim dhe miratim eventual. Por, përkundër këtij insistimi, fakti se ato nuk janë të nënshkruara duket se e pamundëson një veprim të tillë të Kuvendit.

Se Kuvendi nuk ka informacion në lidhje me këto marrëveshje, u konfirmua nga vetë kryetari Jakup Krasniqi.

Ai tha se nuk e preferon t’i komentojë marrëveshjet për të cilat mëson nga mediat.

“Vazhdoj ta kem atë qëndrim që ne nuk kemi qenë të informuar zyrtarisht me zhvillimin e këtij dialogu, nuk kemi një dokument zyrtar, në bazë të të cilit do ta formonim qëndrimin tonë. Nga ajo që kemi mësuar nga mediat, nuk do të komentoja”, tha Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, ai ia bëri të qartë Qeverisë se nëse ekziston ndonjë dokument i nënshkruar me Serbinë, atëherë ai duhet të vijë në Kuvend.

Por, nga pozita e tij si kryetar i Kuvendit, Krasniqi tha se nuk është ai që vendos nëse duhet të debatohet për këtë çështje në Parlament, ngase, sipas tij, janë grupet parlamentare ato që duhet të kërkojnë diskutime të tilla.

Ndërkohë, partitë e opozitës ritheksojnë qëndrimet e tyre se marrëveshjet nuk janë në dobi të Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, tha se Kosova ka hyrë e papërgatitur në këtë dialog dhe kjo, sipas tij, u pa dhe u vërtetua me këto marrëveshje, të cilat Kosovën nuk e qesin në pozitë të barabartë me Serbinë.

“Përderisa marrëveshjet nuk nënshkruhen, është vështirë të flitet për marrëveshje ndër-shtetërore. LDK-ja ka qenë vazhdimisht për dialog, por për dialog mbi bazën e bisedave midis dy shteteve të pavarura e sovrane”, tha Hyseni.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të premten, por, siç është konfirmuar sot në kryesi, nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare nga grupet parlamentare që çështja e marrëveshjeve të trajtohet në këtë seancë.


Kërkojnë publikimin e marrëveshjeve

Bekim Bislimi

Marrëveshjet e arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë çështje serioze dhe ato duhet të bëhen më transparente, e jo vetëm të shpjegohen në vija të trasha, thonë analistët e çështjeve politike.

Ylli Hoxha, nga Instituti për Politikë të Jashtme, thotë se mungojnë informatat mbi përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura, ndërsa kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, sipas tij, duhet t’i bëjë ato më transparente para institucioneve të Kosovës.

“Mendoj se kemi të bëjmë me një prej çështjeve më serioze të muajve të fundit dhe si të tillë mendoj se duhet trajtuar brenda institucioneve të Kosovës dhe brenda një debati shumë më të intensifikuar publik”.

“Arritja e marrëveshjeve ndërkombëtare, arritja e marrëveshjeve sidomos me

Serbinë, me të cilën ende nuk e kemi arritur paqen dhe me të cilën kemi një raport tejet të ndjeshëm, domosdo duhet të jetë trajtim i një seance urgjente të Kuvendit të Kosovës, ku kryenegociatorja do t’i informonte deputetët mbi përmbajtjen e secilës marrëveshje dhe do të merrte riafirmimin e tyre mbi procesin e dialogut në të ardhmen”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Agron Bajrami, analist i çështjeve politike, vlerëson se jo vetëm opinioni, por as edhe vetë palët në dialog nuk e dinë saktë në detaje se çfarë përmbajnë marrëveshjet për të cilat janë dakorduar, meqë, sipas tij, palët ende nuk e kanë marrë dokumentin final.

“Askush nuk e di saktësisht se si do të funksionojnë këto marrëveshje. Ne i dimë vetëm vijat e trasha, të cilat janë dhënë publikisht. Nuk dimë diçka në detaje, sepse ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigjen, e për të cilat ende nuk kemi përgjigje të saktë se si do të funksionojnë”.

“Para së gjithash, kjo për mua vlen për pikën e lëvizjes së lirë. Mbetet e paqartë se si do të funksionojë lëvizja e lirë dhe çfarë do të thotë reciprociteti që përmendet nga negociatorja kosovare, Edita Tahiri - nëse do të lejohet që të përdoret i njëjti standard për qytetarët e Serbisë që vijnë në Kosovë, sikurse që thuhet se do të përdoret për qytetarët e Kosovës që duan të shkojnë në Serbi”
, thotë Bajrami.

Se sa mund të jenë të zbatueshme këto marrëveshje, kur kihet parasysh se ato janë të garantuara nga Bashkimi Evropian, por nuk janë të nënshkruara nga palët, sipas analistëve, kjo varet nga ajo se çfarë fshihet pas detajeve të vetë marrëveshjeve.

Hoxha thotë se vlerësimet e sakta mund të jepen vetëm pasi të publikohen këto detaje.

“Pasi të jenë të informuara institucionet dhe publiku mbi përmbajtjen, atëherë do të mund të japim vlerësimin tonë përfundimtar se a do të mund të arrihen dhe a do të ketë kapacitet për obstruksione të mëtutjeshme nga ana e Serbisë, në modalitetin e marrëdhënieve që i kemi parë në vitet e fundit”, thekson Hoxha.

Por, Bajrami nuk beson se mund të arrihet zbatimi i marrëveshjeve, për shkak se, sipas tij, për Beogradin nuk është e rëndësishme që të arrihet një funksionalitet në çështje praktike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, për Serbinë është e rëndësishme që të krijojë përshtypjen se është partner konstruktiv, në mënyrë që t’i hapen dyert e Bashkimit Evropian.

“Dialogu, siç po e shohim tani, nuk po prodhon ndonjë rezultat pozitiv në kuptimin politik, për qeverinë dhe për vendin tonë. Ndërkohë që për Serbinë ofron një afrim në Bashkimin Evropian, i cili do të konkretizohet diku kah fundi i vitit me arritjen e statusit të kandidatit. Pas atij momenti, unë besoj se dialogu do të futet në krizë”, shprehet Bajrami.

Marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, regjistrin civil dhe njohjen e ndërsjellë të diplomave, janë të parat pas 5 muajve që kur ka nisur dialogu në mes këtyre dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG