Ndërlidhjet

logo-print

Edhe një padi për sulm seksual

  • RFE /RL

Dominik Shtraus-Kan

Dominik Shtraus-Kan

Një shkrimtare franceze ka paraqitur ankesë juridike, me të cilën pretendon se politikani Dominik Shtraus Kan kishte tentuar ta dhunonte atë tre vjet më parë.

Avokati i Tristan Banonit, Dejvid Koubi, tha se ia ka dorëzuar ankesën e klientes së tij 32-vjeçare prokurorëve në Paris, të cilët tash do të vendosin nëse ka bazë për të nisur hetimet.

Banon pretendon se Shtraus Kan ishte përpjekur ta dhunonte atë derisa ajo po e intervistonte në apartmentin e tij në Paris, në vitin 2003.

Në muajin maj, Shtraus Kan, dha dorëheqje nga posti i shefit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për t’u marrë me akuzat për sulm seksual të kryer ndaj një shërbyeseje, në një hotel të Nju Jorkut.

Avokatët e Shtraus Kanit hedhin poshtë pretendimet e Tristan Banonit, duke i quajtur ato si “imagjinare”, ndërkaq njoftojnë se ish-shefi i FMN-së i ka udhëzuar ata që të ngrenë padi kundër shkrimtares 32-vjeçare, Tristan Banon, për shpifje.

Avokati i Banonit, Dejvid Koubi, konfirmoi se incidenti pretendohet që ka ndodhur kur ajo kishte shkuar ta intervistonte ish-ministrin e Financave në apartamentin e tij në Paris.

Mund të konfirmoj udhëzimet që i kam marrë nga klientja ime Tristan Banon. Ato janë jashtëzakonisht të qarta dhe kanë të bëjnë me paraqitjen e ankesës penale për tentim-dhunim kundër zotit Dominik Shtraus Kan. Faktet datojnë nga fillimi i 2003-s. Faktet kanë të bëjnë me një dhunë ekstreme. Ankesa do t’i dorëzohet prokurorit në Tribunalin e Instancës së Lartë në Paris. Ajo që mund të them është se nëse ky rast nuk përfundon në gjykatë, dhe nëse ky rast nuk dëgjohet nga një juri popullore, siç është rregulli, atëherë do ta dimë se sistemi francez i drejtësisë nuk është në rregull”, tha Koubi.

Banon pretendon se i është dashur të luftojë kundër Shtraus Kanit, kur ai kishte filluar ta zhvishte në apartamentin e tij në Paris.

Tristane Banon

Kur e kuptova se ai vërtet dëshironte të më përdhunonte, nisa ta shqelmoj me çizmet e mia”, i ka thënë Banon, të përjavshmes franceze “L'Express”.

Unë isha e tmerruar”, ka thënë ajo.

Banon nuk e ka paraqitur rastin në polici në atë kohë, por ka thënë se e kishte përmendur incidentin e pretenduar gjatë një emisioni televiziv në vitin 2007.

Nëna e Banonit, En Mansuret, tha se e kishte shkurajuar të bijën nga ngritja e padisë në atë kohë. Tash, Mansuret thotë se i vjen keq për vendimin.

Akuzat për tentim-dhunim, sipas ligjit francez, mund të ngrihen edhe 10 vjet pas kohës kur pretendohet se ka ndodhur krimi.

Shtraus-Kan është liruar nga arresti shtëpiak javën e kaluar në Nju Jork- ku në një rast tjetër është përballur me akuzat për sulm seksual.

Prokurorët në Shtetet e Bashkuara, thanë të premten, se ka pasur dyshime mbi kredibilitetin e shërbyeses së hotelit, e cila pretendon se zoti Shtraus-Kan e ka sulmuar seksualisht atë në njërën nga dhomat e hotelit.

Dy ditë pas arrestit të Strauss-Kahn, Banon deklaroi se Kan ishte përpjekur që edhe atë ta sulmojë seksualisht gati një dekadë më parë.

Dobësimi i rastit të Shtraus Kanit, ka çuar në spekulime se ai mund t’i kthehet politikës në Francë.

Para arrestimit në Nju Jork, Shtraus Kan- anëtar i Partisë Socialiste të Francës- ishte konsideruar si shansi më i mirë për të fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2012.

Megjithatë, zëdhënësi i partisë, Benoit Hamon, tha se ideja që Shtraus Kan të garojë tash për presidencë, është skenari “më i dobët” i mundshëm.

Po qe se Banon bën ankesën, do të nisë një hetim preliminar për të përcaktuar nëse ka dëshmi të mjaftueshme për të mbështetur akuzat kundër Shtraus -Kanit.

Mund të marrë kohë të gjatë, para se të vendoset nëse rasti duhet të shkojë para një gjykatësi.

I njëjti proces aplikohet edhe në ankesën për shpifje kundër Banonit.(a.i.)
XS
SM
MD
LG