Ndërlidhjet

Të nisë dialogu për liberalizim me Kosovën

  • RFE /RL

Kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Kryeministri i Hungarisë, vendi i të cilit kishte kryesimin e radhës të BE-së në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Viktor Orban, u ka dërguar një memorandum liderëve të vendeve tjera të Bashkimit Evropian, me të cilin kërkon një riangazhim më të fuqishëm në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbështet nisjen e dialogut për liberalizim të vizave me Kosovën.

Nuk mund të mbeten vrima të zeza në hartën e Evropës dhe për këtë kemi nevojë të forcojmë perspektivën evropiane të Kosovës.

“Nuk mund të mbeten vrima të zeza në hartën e Evropës dhe për këtë kemi nevojë të forcojmë perspektivën evropiane të Kosovës. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo është posaçërisht e vështirë për arsyen se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën. Por, ne mund të bëjmë progres në fushën, siç është adoptimi i një udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave”, thuhet në memorandumin e kryeministrit hungarez.

“Ne besojmë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të sjellë rezultate konkrete për qytetarët në një afat të shkurtër, por edhe të ndihmojë në realizimin e qëllimit të bashkëpunimit afatgjatë”.

“Suksesi i këtij procesi bart më vete edhe rëndësinë për stabilitetin afatgjatë në tërë rajonin”,
thuhet në memorandumin që kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u ka dërguar liderëve të vendeve të BE-së.

Sipas kryeministrit të vendit që deri më tash kishte kryesimin e radhës të BE-së, pozita gjeografike e vendeve të Ballkanit Perëndimor bën që integrimi i këtyre shteteve në BE të mos jetë vetëm një zgjerim i thjeshtë i Bashkimit Evropian, por më shumë kompletim i një pune të papërfunduar të ribashkimit të Evropës.

Orban është angazhuar në memorandumin e tij që para fundit të këtij viti të vendoset për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi, gjithashtu të bëhet një gjë e tillë edhe me Maqedoninë.

Për Serbinë, Orban ka thënë se ky shtet është kyç në rajon dhe se pas arrestimit të Mlladiqit tash BE-ja do të duhej të jepte statusin e kandidatit Serbisë, por menjëherë të vendosë edhe për vendimin për nisjen e negociatave.

Orban ka theksuar se edhe Shqipërisë, deri në fund të vitit, do të duhej t’i jepej statusi i kandidatit, sepse, sipas tij, debatet e tashme politike nuk e kanë rrezikuar funksionimin e demokracisë në Shqipëri.

Orban ka shprehur shqetësim për situatën në Bosnjë Hercegovinë, por ka propozuar që bashkësia ndërkombëtare të tërhiqet më shumë në aspektin politik dhe t’u lërë më shumë përgjegjësi liderëve vendorë.

Kryeministri i Hungarisë posaçërisht ka përmendur suksesin që është arritur me Kroacinë, e cila tashmë ka përmbyllur negociatat e anëtarësimit dhe ka kërkuar një rifokusim në procesin e zgjerimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se është evidente se në Bashkimin Evropian nuk ka ndonjë vullnet të madh të zgjerimit të BE-së dhe se kjo duhet ndryshuar.

Polonia, e cila tashmë ka marrë kryesimin e radhës të BE, ka thënë se do të vazhdojë procesin e zgjerimit, si një proces parësor të BE-së, dhe po ashtu do të jetë e fokusuar në aspektin e ndihmës së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG