Ndërlidhjet

Tadiq premton përmirësim raportesh me Bosnjen


Presidenti serb Boris Tadiq u zotua se do të përmirësojë relacionet me Bosnjen gjatë një vizite që i bëri Sarajevës.

Ai ka thënë se shteti i tij dëshiron që të ndërtojë “relacione të afërta, miqësore me Bosnjën në frymë të bashkëpunimit të plotë”.

“Serbia tashmë ka ofruar dhe do të ofrojë në të ardhmen çfarëdo lloj ndihme për drejtësinë, dhe do të ndihmojë në ekstradimin e të gjithë të dyshuarve për krime lufte. Ne presim që insitutcionet e krimeve të luftës të ofrojnë procese të drejta dhe korrekte. Kushdo që ka kryer krime lufte duhet të marrë dënimin e merituar.

Është e rëndësishme jo vetëm për rindërtimin e besimit dhe ripajtimit, por po ashtu edhe për ndërtimin e një shoqërie ku sundon ligji. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të ndërtojmë shoqëri që kanë të ardhme, vetëm kështu mund të ndërtojmë institucione te besueshme dhe më e rëndësishmja, mund të ndërtojmë institucione, të cilat besohen nga qytetarët në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Tadiq.

Relacionet Serbi-Bosnje mbesin të trazuara pas luftës së hidhur të viteve 1992-1995. Vizita e sotme shënon udhëtimin e dytë të Tadiqit në Bosnje, që kur përfundoi konflikti. Vizita vjen pak kohë pas arrestimit të komandantit të luftës, Ratko Mlladiqit, i cili ishte në arrati për 16 vjet me radhë.

Tadiqi është akuzuar se ka mbështetur liderin radikal të serbëve të Bosnjes, Millorad Dodik, i cili në të kaluarën ka shtyrë përpara ndarjen e entitetit serb nga Bosnja.
XS
SM
MD
LG