Ndërlidhjet

Korrupsion me rezonancën magnetike


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Rezonanca magnetike në Qendrën Klinike Universitare nuk po mund t’i mbulojë kërkesat e pacientëve, të cilët duhet të ekzaminohen me këtë aparat. Andaj, shumë prej tyre duhet të kërkojnë një gjë të tillë në ordinancat private, duke u referuar nga mjekët. E, kërkesat për një rezonancë të tillë, janë rritur shumë kohëve të fundit, prej kur mjekët kanë filluar të marrin provizion nga ordinancat private, për secilin pacient që referohet të bëjë një gjë të tillë. Zyrtarë shëndetësorë janë të informuar mirë për këtë çështje, duke thënë se një gjë e tillë është e kundërligjshme.

Pritjet e tejzgjatura të pacientëve për të kryer një rezonancë magnetike, në Qendrën Klinike Universitare, në Repartin e Radiologjisë, me apo pa dëshirën e tyre, kanë detyruar pacientët të orientohen në ordinanca private.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, udhëzimi nga mjeku për të bërë një rezonancë magnetike shpeshherë është i paarsyeshëm.


Kjo ndodh sepse mjekët, të cilët udhëzojnë pacientin në njërën nga ordinancat private për të bërë një ekzaminim të tillë, marrin provizion prej 100 eurosh për çdo pacient.

Këtë e pohon vetë radiologu Arben Kutllovci, i cili thotë se prej kur janë rritur provizionet për mjekët e sektorit publik nga institucionet private, edhe kërkesat për rezonancë janë rritur tej mase.

Po derisa nuk janë bërë këto përqindje të mëdha, kjo kërkesë e madhe nuk ka ekzistuar. Kur filluan të rriten provizionet nga ordinancat private për mjekët, filluan të rriten edhe kërkesat nga pacientët për rezonancë magnetike. Provizioni për mjek, i cili i preferon të shkojë në njërën nga ordinancat është rreth 100 euro, derisa 250 euro kushton një rezonancë magnetike në klinika private”, thotë Kutllovci për Radion Evropa e Lirë.

Por, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë, Mehmet Maxhuni, klinikë kjo që më së shumti e frekuentojnë pacientë që kanë nevojë për rezonancë magnetike, e mohon një gjë të tillë, duke thënë se ka rritje të numrit të pacientëve, që kërkohet ta kenë rezonancën magnetike.


Maxhuni thotë se mjeku ka të drejtë të kërkojë metoda diagnostikuese, duke thënë se nuk ka informata që mjekët marrin provizione nga ordinancat private.

Çdo analizë që kërkon mjeku është e arsyeshme. Unë për ordinancat private nuk di asgjë. Unë e di se secili njeri kërkon zgjidhje dhe unë jam i mendimit që mjeku nuk kërkon pa arsye. E, sa për provizion, unë nuk kam informata”, shprehet Maxhuni.

Por, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë në dijeni për një gjë të tillë. Ata e quajnë të kundërligjshme metodën që mjekët e sektorit publik po e përdorin.

Ilir Tolaj, sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk ka pasur ankesë zyrtare nga ndonjë pacient apo familjar se një ekzaminim me rezonancë magnetike është referuar nga sektori publik në atë privat.

Ne nuk kemi pasur ndonjëherë ndonjë paraqitje të rasteve të tilla, edhe pse këto bëhen në mes të mjekëve dhe institucioneve private, derisa pacientët në kërkim të një trajtimi adekuat, janë më të interesuar ta kryejnë shërbimin sesa të merren me prapavijën e gjithë kësaj. Është e njohur që mjekët, të cilët i orientojnë pacientët nga sektori publik në atë privat, kompensohen nga pronarë të këtyre institucioneve me shuma të caktuara. Një gjë e tillë është e kundërligjshme është jo morale, por ja që ekzistojnë devijime të asaj natyre”, pohon Tolaj.

Ndërsa, Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare, thotë se mënyra e referimit të pacientëve për rezonancë magnetike prej QKUK-së në ordinancë private duhet të paraqitet përmes kutive të ankesave.

Në kuadër të QKUK-së ekzistojnë kutitë e ankesave, ku pacientët mund të shkruajnë ankesa, por që nuk kemi pasur ankesa të tilla. Ne apelojmë te pacientët që të referohen nëse ndonjë mjek keqpërdor detyrën dhe në të tilla raste, ne do të ndërmarrim masa adekuate për ata mjekë”, sqaron Fazliu.

Në Klinikën e Radiologjisë, çdo ditëekzaminohen rreth 15 pacientë me rezonancë magnetike, bën të ditur Kutllovci dhe shton se kërkesat janë shumë të mëdha.

Ne punojmë me një ndërrim, jo me dy ndërrime dhe një ekzaminim merr kohë rreth 30 minuta, do të thotë që është një punë e madhe që bëhet, por kërkesat janë shumë më të mëdha. Pacientët duhet të presin rreth 4 javë për të hyrë në një ekzaminim me rezonancë magnetike”, tregon Kutllovci.


Ilir Tolaj thotë se Ministria e Shëndetësisë është duke e shqyrtuar mundësinë që në këtë klinikë të punohet me ndërrime, e jo vetëm paradite, në mënyrë që sa më shumë pacientë të mund të përfitojnë nga ky aparat.

Në qoftë se do të ishte shfrytëzuar në mënyrë adekuate, dhe para se të dërgohet pacienti në rezonancë, do të ishin kryer disa ekzaminime tjera te pacienti, atëherë edhe me një aparat do të mbuloheshin nevojat e pacientëve që frekuentojnë nga gjithë Kosova. Sido që të jetë, kur kapacitetet ekzistuese nuk shfrytëzohen si duhet, kur pacienti dërgohet drejt e në rezonancë magnetike, atëherë ngarkesa është më se evidente dhe hapen manipulime të natyrës çfarë po e përmendi ju. Do ta shqyrtojmë mundësinë e punës në këtë klinikë edhe gjatë orëve të pasdites”, thotë Tolaj.

E, janë të shumtë pacientët që vazhdojnë të ekzaminohen me këtë aparaturë shumë të shtrenjtë në klinika private, duke paguar nga 250 euro për një ekzaminim, derisa në Qendrën Klinike Universitare, pasdite dera për të bërë një rezonancë magnetike është e mbyllur për ta.
XS
SM
MD
LG