Ndërlidhjet

logo-print

Marrëveshjet presin vendimin për zbatim


Kabineti qeveritar

Kabineti qeveritar

Kryeministri Hashim Thaçi ia dorëzoi konkluzionet e marrëveshjeve me Beogradin, presidentes Atifete Jahjaga. Këto marrëveshje tashmë po cilësohen si konkluzione të bisedimeve dhe, si të tilla, nuk pritet të ratifikohen nga Kuvendi. Ndërkohë, opozita dhe analistët vazhdojnë të kritikojnë ashpër sjelljen e Qeverisë në raport me këto bisedime.


Qeveria e Kosovës i njoftoi instancat më të larta të institucioneve të vendit me marrëveshjet e arritura me Beogradin, për lirinë e lëvizjes, librat amzë dhe diplomat shkollore e universitare.

Megjithatë, ekzekutivi nuk do të kërkojë miratimin e tyre nga Kuvendi. Njëherësh, Qeveria nuk po i quan më këto si marrëveshje, por si konkluzione të bisedimeve.

Kryeministri Hashim Thaçi u tha gazetarëve se Qeveria nuk ka çka të fshehë dhe se të gjitha rezultatet e dialogut me Serbinë do t’ua bëjë publike institucioneve tjera dhe opinionit.
Hashim Thaçi

“Parlamenti i Kosovës i ka konkluzionet edhe zyrtarisht, gjithashtu edhe Presidenca, dhe gjithçka ka qenë, është dhe do të mbetet transparente në institucionet e vendit, por edhe për opinionin publik”, u shprehur Thaçi.

Gjatë paradites, kryeministri Thaçi i dorëzoi konkluzionet e bisedimeve edhe presidentes Atifete Jahjaga. Këshilltari politik i presidentes, Arbër Vllahiu, tha se në takim u diskutua edhe në lidhje me zhvillimet tjera aktuale politike ne Kosovë.

“Gjatë takimit të sotëm, kryeministri Hashim Thaçi ia ka dorëzuar presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, konkluzionet e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Robert Kuper, të arritura këto gjatë procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zhvilluar në Bruksel”, konfirmoi Vllahiu.

Në anën tjetër, opozita, por edhe analistët politikë, kritikojnë ashpër Qeverinë për mënyrën se si po sillet në kuadër të dialogut me Serbinë.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se ky dialog dhe këto marrëveshje po e degradojnë shtetësinë e Kosovës.

Sipas Konjufcës, marrëveshjet nuk janë të Kosovës, por të kryeministrit Thaçi. Ai thekson se kryeministri Thaçi po nënshkruan marrëveshje me Serbinë për t’ia lehtësuar vetes udhëtimet në Bruksel dhe takimet me zyrtarët e BE-së.

Zyrtari i Vetëvendosjes shpreh mendimin se rrëzimi i konceptit dhe projektit politik të Hashim Thaçit do të ishte shpëtim për Kosovën.

Glauk Konjofca

“Mendoj se duhet t’ia thyejmë konceptet politike që i përfaqëson Hashim Thaçi, për arsye se kemi të bëjmë me një person, i cili përfaqëson një projekt politik dhe që më së shumti po e shtyn përpara këtë projekt politik. Me argumente dhe me fakte t’ia hedhim poshtë Hashim Thaçit këtë pretendim se ky qenka koncepti më i mirë politik”.

“Koncepti i tij është i keq për Kosovën, është Plani i Ahtisarit, është ndarja e Kosovës, janë negociatat me Serbinë, është shitja e pasurive të Kosovës dhe nëse e rrëzojmë poshtë projektin e tij politik, atëherë mendoj se është arritja më e madhe
”, thekson Konjufca.

Zbatimi i marrëveshjeve Kosovë - Serbi mund të fillojë me nxjerrjen e disa vendimeve apo udhëzimeve administrative nga të dyja qeveritë. Sipas konkluzioneve, ato zbatohen me reciprocitet.

Por, analisti Belul Beqaj vlerëson se të dyja palët nuk po i trajtojnë problemet reale midis të dyja shteteve dhe po sillen me hipokrizi. Përderisa ka sjellje të tilla të palëve, Beqaj thotë se nuk pret ndonjë zbatim të marrëveshjeve apo konkluzioneve, pavarësisht se si do të quhen në fund.
Perspektiva e kësaj marrëveshjeje dhe marrëveshjeve që do të bëhen të ardhmen, do të jetë shumë e zymtë.


“Ekziston vetëm një reciprocitet i sinqertë, ai i hipokrizisë së palëve që janë në negocim, duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian. Perspektiva e kësaj marrëveshjeje dhe marrëveshjeve që do të bëhen të ardhmen, do të jetë shumë e zymtë. Këta tregojnë që s’janë konsekuentë, janë të rastit e të çastit dhe nuk ka politikë të paramenduar, i kanë hyrë një pune pa e ditur se nga do të dalin. Kjo është joserioze dhe është e rrezikshme për shtet-ndërtimin e ardhshëm të Kosovës”, tha Beqaj.

Përveç marrëveshjeve të 2 korrikut, Prishtina dhe Beogradi kanë paralajmëruar edhe konkluzione tjera, që pritet të dalin si rezultat i këtyre bisedimeve, ku ndër tjera, përfshihen edhe fushat e energjisë e telekomit.

Lexoni edhe këto:
Opozita skeptike për marrëveshjet
Kush fitoi nga marrëveshjet?!
Eshton inkurajon zbatimin e marrëveshjeve
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG