Ndërlidhjet

(S’)neglizhohet shpërndarja e 20-përqindëshit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Shpërndarja e 20-përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, vazhdon të mbetet temë debati ndërmjet sindikatave të punëtorëve. Përderisa përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Lira thonë se ky proces po neglizhohet, për përfaqësuesit e BSPK-së ky proces është duke shkuar me ritëm normal. Ndërkaq, zyrtarë të AKP-së, tregojnë se shumë shpejt do të bëhet shpërndarja e 20 përqindëshit për 1500 punëtorë të 16 ndërmarrjeve të shituara.


Agjencia Kosovare e Privatizimit shumë shpejt do të bëjë shpërndarjen e pjesshme të shumës prej 20 për qind për punëtorët e 16 ndërmarrjeve shoqërore që tashmë janë privatizuar, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci.

Sipas një rregulloreje të administratës ndërkombëtare, 20 për qind nga shuma e përgjithshme e shitjes së ndërmarrjeve, u takon punëtorëve.

“Shuma e tërësishme e mjeteve të shpërndara për këto ndërmarrje është 2.5 milion euro, shuma kjo nga e cila do të përfitojnë rreth 1500 punëtorë”, deklaron Kaloshi.

Por, procesi i shpërndarjes së 20-përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara, është bërë temë debati ndërmjet sindikatave të punëtorëve.

Përderisa përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës thonë se ky proces vazhdimisht është neglizhuar nga autoritetet kompetente, përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës thonë se kohëve të fundit procesi i shpërndarjes së 20-përqindëshit, po shkon me ritëm normal.


Haxhi Arifi, nga BSPK-ja dhe njëherësh anëtar i Bordit të AKP-së, thotë se ky proces dita-ditës po përshpejtohet, pasi në çdo në takim, bordi po aprovon listat e punëtorëve, të cilët përfitojnë nga 20-përqindëshi.

“Ky proces dita-ditës është duke u përshpejtuar dhe janë duke u përfunduar ndërmarrjet, të cilat janë privatizuar. Kështu që, për momentin, puna është duke shkuar jashtëzakonisht mirë”, thotë Arifi.

Në anën tjetër, Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thotë se procesi i shpërndarjes së 20-përqindëshit, është neglizhuar, nënvlerësuar dhe nënçmuar nga anëtarët e bordit të ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, tash Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Dragusha thotë se shumë ndërmarrje shoqërore janë privatizuar, por obligimet ndaj punëtorëve ende nuk kanë përfunduar.

“Ne kemi dhënë vërejtje dhe vazhdojmë të japim vërejtje të shumta, duke pasur parasysh se nuk ka asnjë arsye që për mjetet, të cilat u takojnë punëtorëve dhe u dedikohen punëtorëve, të ketë këso lloj neglizhence edhe pas gjahstë vjetësht e më shumë, të ketë ndërmarrje shoqërore, që nuk e kanë realizuar atë 20-përqindësh për punëtorët", thekson Dragusha për Radion Evropa e Lirë.

Mirëpo, Ylli Kaloshi, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, thotë se procesi i shpërndarjes së 20-përqindëshit ka qenë i ngulfatur deri në fillim të vitit 2010, por është përshpejtuar me miratimin e një strategjie për shpërndarje të pjesshme nga ana bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Sipas Kaloshit, kohëzgjatja e shpërndarjes së 20-përqindëshit nuk varet vetëm nga Agjencia, por edhe nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Mund të them se nuk është faji i AKP-së për vonesat në shpërndarjen e 20 përqindëshit, pasi deri në vitin 2010, procesi në një mënyrë ka qenë i ngulfatur dhe agjencia ka qenë e varur tërësisht në shpërndarjen e 20-përqindëshit nga vendimet e Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës”, shpjegon Kaloshi.

Agjencia Kosovare e Privatizimit deri më tani ka bërë shpërndarjen e mjeteve të 20-përqindëshit që u takojnë punëtorëve nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në shumën prej 42 milionë eurosh, prej të cilave 15.6 milionë euro janë shpërndarë në kohën e ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, ndërsa mbi 26 milionë euro janë shpërndarë nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ndërkaq, që nga fillimi i procesit të privatizimit, e deri më tani, autoritetet kompetente kanë privatizuar 300 ndërmarrje shoqërore, nga të cilat janë krijuar 657 ndërmarrje të reja.

Nga privatizimi i këtyre ndërmarrjeve, në Fondin e Mirëbesimit janë grumbulluar 556 milionë euro.
XS
SM
MD
LG