Ndërlidhjet

Jahjaga i ndan Louise Arbour medaljen “Nëna Terezë”


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ia ka ndarë medaljen humanitare “Nëna Terezë” kryetares së Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Louise Arbour.

Këtë medalje, Jahjaga ia ndau zonjës Arbour në shenjë nderimi për përkushtimin e saj personal dhe kontributin dhënë në fushën e humanizmit.

Zonja Arbour e falënderoi presidenten për ndarjen e medaljes dhe respektin e treguar, thuhet në një njoftim nga Presidenca.

“Ajo tha se Kosova ka shënuar përparime në fusha të ndryshme dhe theksoi nevojën e zhvillimit ekonomik të vendit”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, presidentja Jahjaga e vlerësoi kontributin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për paqen dhe demokracinë në rajone të ndryshme, përmes raporteve e rekomandimeve të paraqitura.

Sipas saj, Kosovës i duhet marrëdhënia kontraktuale me BE-në, meqë do të qartësohej rruga e integrimeve evropiane.

Edhe me këtë rast, Jahjaga ka përsëritur se është kundër ndarjes së Kosovës, shkëmbimit të territoreve dhe riaranzhimeve të brendshme.
XS
SM
MD
LG