Ndërlidhjet

Kryesuesi i OSBE-së i premton mbështetje Kosovës


Kryesuesi i radhës i OSBE-së, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë, Audronius Azubalis, po qëndron në Prishtinë, ku ka realizuar takime me udhëheqësit e institucioneve vendase.

Gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, sipas një njoftimi zyrtar nga Presidenca, Azubalis ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për bashkëpunim me Kosovën.

Ai ka deklaruar se Lituania do ta përkrahë Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe do t’i ndajë përvojat dhe ekspertizën e integrimit, thuhet në njoftim.

Në emër të OSBE-së, Azubalis ka thënë se kjo organizatë do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën dhe institucionet e saj, ndërsa ka shfaqur interesimin e tij për të drejtat e komuniteteve në Kosovë dhe për trashëgiminë kulturore në vend.

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga e falënderoi ministrin Azubalis për mikpritjen që Lituania i ka ofruar gjatë vizitës, ku mori pjesë në konferencën “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira”.

Jahjaga e ka vlerësuar të rëndësishëm anëtarësimin e Kosovës në OSBE në një të ardhme të afërt. Ajo ka thënë se misioni i OSBE-së në Kosovë, në kuadër të kornizës së tij, ka ofruar mbështetje në fusha të ndryshme përfshirë përkrahjen në reformën e ligjit zgjedhor, në funksionimin demokratik dhe ndërtimin e kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës si dhe në avancimin e rendit dhe ligjit.

Azubalis është pritur në takime të ndara edhe nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi si dhe nga përfaqësues ndërkombëtarë dhe ata të komunitetit serb.
XS
SM
MD
LG