Ndërlidhjet

Seancë e jashtëzakonshme për marrëveshjet


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Opozita në Parlamentin e Kosovës ka mbledhur 40 nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet për marrëveshjet e arritura në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Të tri partitë opozitare këtë nismë e arsyetuan me shqetësimet që kanë për marrëveshjet e arritura, të cilat i cilësuan kthim prapa të Kosovës.


Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kërkuan seancë të jashtëzakonshme lidhur me marrëveshjet apo konkluzionet e arritura gjatë dialogut Prishtinë - Beograd.

Shefat e grupeve parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vetëvendosjes dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, u paraqitën në një konferencë të përbashkët para mediave dhe sqaruan se kanë mbledhur 40 nënshkrimet e nevojshme dhe kërkojnë seancë të veçantë për këto marrëveshje.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se kërkesa për seancë të jashtëzakonshme vjen si rrjedhojë e shqetësimeve të opozitës në lidhje me marrëveshjet apo konkluzionet e këtyre bisedimeve.

Ismet Beqiri

“Sigurisht që ka disa pika që lënë për të dyshuar në implementimin e tyre, thjesht nuk mund të ketë reciprocitet nëse, ta marrim shembull, qytetarët nga Serbia vijnë me automjete (targa) të Serbisë, ndërkaq qytetarët tanë duhet të shkojnë atje me tabela ‘KS’, do të thotë po kthehemi pas në kohën e UNMIK-ut. Kjo është krejtësisht e papranueshme, por ka edhe çështje tjera”, tha Beqiri.

Ndërkohë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se Kuvendi duhet të debatojë për këto marrëveshje, sepse ato kanë të bëjnë me fatin e popullit dhe shtetin e Kosovës. Ymeri tha, po ashtu, se Qeveria e ka për obligim që ta informojë Kuvendin për këto bisedime.

“Konsiderojmë që këto marrëveshje janë tejet të rëndësishme për Kosovën dhe kanë të bëjnë jo vetëm me fatin e qytetarëve, por edhe të asaj që do të mund të quhej shtetësi e Kosovës dhe si të tilla, konsiderojmë se Qeveria e ka për obligim ligjor e kushtetues, por edhe moral, që t’i informojë deputetët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh Ymeri.

Marrëveshjet e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë u cilësuan si kthim prapa edhe nga shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini. Ai tha se këto marrëveshje nuk janë në interes të Kosovës.

Ardian Gjini
“Çfarëdo bisedash, negociatash apo marrëveshjesh që bëhen në emër të popullit të Kosovës, nuk mund të bëhen pa dijeninë e popullit të Kosovës".

"Pavarësisht faktit se janë shumë lehtë të shpjegueshme të gjitha këto elemente të marrëveshjeve si kthim prapa për Kosovën, një qeveri e dështuar, e cila po hyn në këto bisedime, e ka ekskluzivisht qëllimin që ta shpëtojë veten, e jo që ta nxjerrë popullin e Kosovës dhe Kosovën prej këtij kolapsi, ku e ka futur vetë”,
theksoi Gjini.

Kësaj nisme të opozitës iu kundërpërgjigj shefi i Grupit më të madh Parlamentar, atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci. Ai tha se me rëndësi është që pala kosovare është ulur e barabartë me Serbinë në tavolinën e bisedimeve dhe shprehu besimin e plotë se Qeveria dhe ky delegacion po i mbron dhe do t’i mbrojë interesat e shtetit të Kosovës.


Qëndrimet e opozitës Grabovci i cilësoi si përpjekje për përfitime politike nga ky proces i bisedimeve.

“Ne kemi besim të plotë te përfaqësuesit tanë që na përfaqësojnë në bisedimet me Serbinë, që ata do të nxjerrin vendime të drejta, do të nënshkruajnë marrëveshje që janë në dobi të vendit, shtetit tonë sikurse edhe për marrëveshjet e fundit që janë arritur midis dy delegacioneve. I bëj thirrje opozitës le të mendojë pozitivisht, le të mendojë për interesat e vendit, e jo për interesat partiake”, deklaroi Grabovci.

Seanca e jashtëzakonshme, sipas procedurave, tani duhet të thirret brenda 5 ditësh nga ana e Kryesisë së Kuvendit. Kërkesat e opozitës janë që në atë seancë të shpalosen detajet e marrëveshjeve, të dëgjohen arsyetimet e kryeministrit Hashim Thaçi apo edhe të kryenegociatores Edita Tahiri.

Krejt në fund, të merret ndonjë vendim, edhe pse te çështja e vendimeve bazuar në praktikën e deritashme, opozita zakonisht nuk arrin të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave, për shkak se pozita ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvend.

Lexoni edhe këto:
Kush fitoi nga marrëveshjet?!
Marrëveshjet presin vendimin për zbatim
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG