Ndërlidhjet

Gjuha shqipe, pjesë e marrëveshjes për Qeverinë


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Çështja e gjuhës shqipe është një nga pikat më të ndjeshme në bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar ndërmjet VMRO DPMNE-së dhe BDI-së.

Bashkimi Demokratik për Integrime, pavarësisht miratimit të një ligji të veçantë, insiston në ndryshimin dhe plotësimin e të njëjtit për të krijuar mundësi më të gjerë të përdorimit të shqipes.

Vllado Popovski, i cili ka marrë pjesë në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit, thotë se ky dokument, i cili inicioi ndryshimet kushtuese, në paragrafin e dytë e përcakton qartë shqipen si gjuhë zyrtare, por, siç specifikohet më poshtë, “ku në mënyrë taksative numërohen në formë taksative rastet kur shqipja mund të përdoret si gjuhë zyrtare në nivel shtetëror”.

“Miratimi i një ligji të veçantë para dy vjetësh dhe limitimi që i bëhet përdorimit të shqipes, është vullnet i përcaktuar nga partnerët e koalicionit qeveritarë. Po qe se Qeveria, ose më saktësisht partnerët e koalicionit qeverisës propozojnë plotësimin e ligjit që rregullon përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare për të rritur kapacitetin e aplikimit të shqipes në të gjitha nivelet, kjo do të ishte plotësisht konform Marrëveshjes së Ohrit”, thotë Popovski.

Nga ana tjetër, Naser Ziberi, i cili gjithashtu ka marrë pjesë në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit, konsideron se faji qëndron te kapaciteti politik i shqiptarëve.

“Partneri shqiptar i koalicionit ka mungesë të resurseve profesionale për ta bindur partnerin e koalicionit, i cili është i pabindur, VMRO DPMNE-në, që kjo çështje duhet zgjidhur në mënyrë që të funksionojë edhe në praktikë, ngase politikisht nuk është mirë edhe për ata që dy vjet pasi është miratuar ligji, të detyrohen t’i kthehen të njëjtit përsëri".

"Njëherësh kjo bën që çdo herë të kihet parasysh edhe opinioni publik, sepse pikërisht çështja e gjuhës është thelbësore edhe për raportet ndëretnike”,
shprehet Ziberi.

Ai nënvizon se zgjidhja e kësaj çështjeje, duke mos lënë hapësirë për keqinterpretim, kontribuon në eliminimin e asaj që e quan ndjellje të përkeqësimit të raporteve ndëretnike.

Ziberi thotë se instalimi i gjuhes shqipe në të gjitha nivelet, njëherësh do të thotë edhe obligim që shqiptarët e Maqedonisë të kultivojnë ndjenjën e lojalitetit ndaj shtetit dhe të gjitha institucioneve shtetërore:

Gjuha mund të jetë element i rëndësishëm koheziv, i mbjelljes së vetëbesimit, i krijimit të unitetit, si dhe shtimit të mirëbesimit për ndërtimin e një shteti të përbashkët, në të cilin dy etnitete kryesore, shqiptarët dhe maqedonasit, do të ndihen të barabarta, siç është rasti në Kosovën ose Zvicrën”.

Ndërsa, eksperti maqedonas, Vllado Popovski, vlerëson se kapaciteti i ligjit për përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare, nuk është dhe aq limitues sa është mosinformimi i qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën për t`iu drejtuar institucioneve shtetërore në gjuhën shqipe.

“Çdo kërkesë e adresuar në ministritë e ndryshme të vendit, qytetarët mund ta bëjnë edhe në gjuhën shqipe, për ç’gjë të njëjtat (ministritë) janë të obliguar të përgjigjen po në gjuhën e qytetarit që u është drejtuar. Kurse, çështje krejtësisht tjetër është mungesa e kapaciteteve për ta aplikuar këtë në praktikë, si pasojë e mungesës së mjeteve financiare”, thekson Popovski.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG