Ndërlidhjet

Gabimi kompjuterik i anulon 22 mijë “Green Card”-a

  • Nik Krastev

Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Një gabim kompjuterik është fajësuar për anulimin e 22 mijë vendimeve për të zgjedhurit për fitimin e “Green Card”-ës së Shteteve të Bashkuara.

Gabimi kompjuterik u ka sjellë dëshpërim shumë personave, që më herët e kishin marrë informatën se ata e kishin fituar statusin për qëndrim në Shtetet e Bashkuara dhe, praktikisht, i kishin nisur përgatitjet për vendosje në Amerikë.

I riu 26-vjeçar, Ilija Smirnov, i lindur në Siberi, më 1 maj mësoi se ishte ndër personat e lumtur, pasi i ishte dhënë “Green Card”-a amerikane.

Ilija Smirnov dhe gruaja e tij Olga
Ai qëndronte në Shtetet e Bashkuara me vizë të përkohshme dhe kishte konkurruar për programin “Green Card” në Departamentin Amerikan të Shtetit, program ky që 50 mijë njerëzve u mundëson të jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Ishte gëzim i jashtëzakonshëm për Ilija Smirnovin dhe gruan e tij 20-vjeçare nga Ukraina, Olga Leonova, kur mësuan se ishin ndër të zgjedhurit.

“Ne ishim shumë të gëzuar, nuk kemi fjetur tërë natën. Në mëngjes shkova në punë me sy të skuqur, por shumë i lumtur. E njëjta situatë ishte edhe me gruan time. Ne ishim shumë të lumtur dhe nuk kemi mundur të flemë dy net”, tha Ilija Smirnov.

Ai kishte ëndërruar të vendosej në Amerikë përgjithmonë. Ai e kishte thirrur nënën e tij në Rusi, që ta shiste automobilin dhe banesën e tij në Moskë.

Por, gëzimi i tij nuk zgjati shumë. Dy javë pasi e mori lajmin e mirë, në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit, u paraqit ky mesazh: “Me keqardhje ju informojmë ju se për shkak të një gabimi programues në kompjuter, rezultatet e programit Diversity Lottery 2012, janë të pavlefshme”.

Ilija Smirnov nuk ishte i vetëm në dëshpërimin e papritur. Ai ishte vetëm një nga 22 mijë njerëzit, që ishin informuar se ata e kishin fituar ‘Green card”-ën, e pastaj u ishte tërhequr vërejtja se ky ishte një gabim kompjuterik.

Ilija Smirnov ishte personi i parë që e kishte paditur Departamentin Amerikan të Shtetit, në një gjykatë federale në Uashington, më 16 qershor, në emër të tij dhe të 35 personave të tjerë, që kishin kandiduar për “Green Card”, e të cilëve ajo pastaj u ishte anuluar.

Avokati Kenet Uajt, nga firma White&Associates, që ka përvojë të gjatë në ligjin për imigracion, po e udhëheq këtë rast.

“Janë 36 paditës nga 20 vende të ndryshme. Ne do të bëjmë kërkesë në gjykatë për miratimin e aksionit të përbashkët dhe atje janë 22 mijë paditës potencialë. Pra, nëse gjykata thotë - në rregull, ne e konsiderojmë këtë veprim të përbashkët - atëherë të gjithë 22 mijë individët, do të jenë pjesë e procesit gjyqësor”, tha avokati Kenet Uajt.

Departamenti Amerikan i Shtetit, që planifikon mbajtjen e lotarisë së re më 15 korrik, refuzoi të komentojë, por tha se po zhvillohen “hetime” për atë që ka ndodhur.

Ilija Smirnovi ishte detyruar që ta tërheqë banesën e tij në Moskë nga shitja, por automobilin e kishte shitur me çmim të ulët.

Irina Voropaeva, 33-vjeçare nga Moska, që e kishte vizituar Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara dhe menjëherë kishte rënë në dashuri me këtë shtet, tha se ishte e shokuar kur dëgjoi për anulimin.

Irina Voropaeva me familje

“Të premten, më 13 maj, në mbrëmje ne mësuam se rezultatet ishin anuluar. Ky ishte shok. Mora pushim mjekësor nga puna, pasi nuk isha në gjendje të mendoja për asgjë".


"Më ndodh edhe të qaj, pasi nuk e di se si do të përfundojë e gjithë kjo. Kam frikë se mund të mbyllet edhe më keq për ne. Duke i plotësuar letrat e aplikimit, ne i kemi zbuluar synimet tona për imigrim dhe tash, me gjasë, nuk do të kualifikohemi as për viza turistike
”, u shpreh Irina Voropaeva. (f.b.)
XS
SM
MD
LG