Ndërlidhjet

Guardian: Sudani Jugor - shtet me perspektivë të artë


"Guardian"

Nëntë korriku është dita e pavarësisë e Republikës së Sudanit Jugor. Kjo është dita, për të cilën, shumë sudanezë kanë menduar se nuk do të vijë kurrë.

Ka qenë një luftë e pafund civile me veriun, që nisi në vitet 1950. Kur përfundimisht përfundoi me një marrëveshje paqe në vitin 2005, ajo menjëherë u kërcënua nga vdekja e liderit jugor dhe nënpresidentit të Sudanit, Xhon Garang, në një aksident me helikopter.

Por, përfundimisht, gjashtë vjet pas kësaj ngjarjeje, me referendumin e janarit dhe tash me pajtimin e Kartumit - u arrit kulminacioni - lindi kombi i ri.

Është kjo një arritje e madhe për OKB-në, që ndihmoi edhe me shtyrjen e presidentit Obama; është një ditë e madhe për sudanezët jugorë, jetët e të cilëve qenë mallkuar nga pasiguria për dy gjenerata me radhë: dy milionë të vdekur dhe po aq të zhvendosur.

Ata kanë rast të mirë për të vallëzuar në rrugët e Xhubas.

Por, ky është vetëm fillimi i fundit dhe e ardhmja është një vend i pasigurt. Raportet me veriun mbesin të vështira dhe raportet e brendshme nuk janë premtuese.

Shumica, që përbëhet nga dinka, ka marrë pothuaj tërë pushtetin që ekziston - qeverinë dhe armatën, duke lënë popullatën jo dinke jashtë pozitave të larta dhe duke i mohuar qasjet në fondet zhvillimore.

Me gjithë premtimet e bëra gjatë periudhës së bashkëpunimit që siguruan rezultate triumfuese të referendumit, propozimet për një strukturë federale të qeverisë, që do të çonin në zhvillim, tani duken të pavlera. Xhuba ka vendosur që të ruajë kontrollin.

Ky është një shtet që duhet të ketë perspektivë të artë.

Mund të bëhet briri i bollëkut të miellit dhe mishit për shtetet fqinje fertile nga thatësira, si Etiopia dhe Kenia në lindje.

Krahas burimeve bujqësore, Sudani Jugor ka edhe rezerva të mëdha të naftës, arit dhe mineraleve tjera. Ka një popullatë të vogël, por me një numër të madh të të kthyerve rishtazi me arsimim të lartë. Pritjet e tyre janë të pakufishme.

Kështu, që pyetja për komunitetin ndërkombëtar është, pas rolit konstruktiv që pati në dhënien fund të luftës, si të mbështesë zhvillimin, që do ta bënte këtë pasuri një bekim dhe jo mallkim?!

Miqtë e shtetit të ri mund të ndihmojnë me mbështetjen e qëllimeve të mira, duke u fokusuar në kryeqytetet rajonale dhe duke shpërndarë mbështetje teknike për agrikulturën.

Ajo që ata duhet të bëjnë është që të mos ikin.

Pavarësia është një ngjarje, por është po ashtu një proces i ngadalshëm, i vështirë dhe me rrezik.(a.i.)
XS
SM
MD
LG