Ndërlidhjet

Për një hapësirë të përbashkët ekonomike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Zëvendëskryeministri i Kosovës Behxhet Pacolli, në një forum politiko-akademik, shpalosi nismën e tij për një hapësirë të përbashkët ekonomike Kosovë - Shqipëri.

Këtë iniciativë për herë të parë zoti Pacolli e kishte bërë publike pak kohë më parë në Tiranë, por aso kohe në një vizitë zyrtare në cilësinë e presidentit të Kosovës.

Tashmë dy universitete të njohura në dy krahët e kufirit, “Universiteti Evropian i Tiranës” dhe “Fama” në Kosovë, në cilësinë e bashkorganizuesve të këtij forumi bënë hapin e parë të madh drejt konkretizimit të iniciativës, duke afruar së bashku mendime akademikësh për ta bërë atë të realizueshme.

Zoti Pacolli tha se iniciativa mbështetet në një bazë të fortë siç është nevoja për të krijuar mirëqenie për kombin dhe siç u shpreh Pacolli, ky është një model evropian, e aspak shpikje e rastit.

“Duhet të punojmë pa e trembur askënd se mund të krijohet ideja e Shqipërisë së madhe. Shqipëria e madhe krijohet jo duke bashkuar administratën por duke bashkëpunuar, duke pasur ide të njëjta si në zhvillimin ekonomik, si në qasjet themelore duke u nisur nga tekstet shkollore”, tha Pacolli.

Duke promovuar këtë iniciativë të tij, Pacolli foli dhe mbi mundësitë e krijimit të zonave të lira ekonomike. Ai tha se po punon për këtë projekt për zonë të lirë ekonomike në Gjakovë dhe Mitrovicë.

“Pse ajo zonë e veriut e Shqipërisë, shumë patriotike, e ndershme, me njerëz të dashur, të mos lidhet ekonomikisht me Gjakovën?! Zona tjetër e lirë ekonomike është paraparë të bëhet me Mitrovicë. Siç e dini kemi një problem politik në Mitrovicë sot dhe jam i bindur se ky problem do të përpiqet të qëndrojë. Është një problem që me forcë asnjëherë nuk do të zgjidhet. Unë jam kundër aplikimit të forcës kudo dhe me krijimin e një zone të lirë ekonomike do të vinin investitorët, do të investonin dhe të krijonin një ardhmëri pse jo edhe për atë serbe”, u shpreh Pacolli.

Derisa politika e konsideron ende tabu të flasë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, edhe në aspektin territorial, kjo gjë nuk vlen për akademikët.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani, e shpjegon kështu idenë e tij për të mbërritur deri te ky objektiv:

“Këtu duhet menduar në mënyrë globale por dhe vepruar. Pikërisht në këtë kuadër global të menduari, duhet azhurnuar për ne aksioni lokal i cili nuk duhet të ndikohet as nga radikalizmi as nga euforia as nga ngazëllimi folklorik. Në saje të padrejtësive historike, një aksion i tillë lokal mbetet për shqiptarët bashkimi kombëtar edhe pse në kuptim tradicional një proces i tillë nënkupton bashkim territoresh në rrafshin juridik dhe të banorëve në rrafshin qeverisës . Realizimi i këtij të fundit natyrisht është një nga detyrat e rëndësishme të nivelit kombëtar”.

Në takim folën dhe përfaqësuesit e dy dhomave të tregtisë. Iniciativën për një treg të përbashkët ekonomik, ata e konsideruan një shans të madh për investimet dhe investitorët në të dy vendet.
XS
SM
MD
LG