Ndërlidhjet

Veteranët e UÇK-së ende në grevë


Tendat e grevistëve të UÇK-së...
Tendat e grevistëve të UÇK-së...
Greva e rreth 100 veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon edhe sot, në ditën e 49 të saj, ndërkaq që gjendja shëndetësore e grevistëve po përkeqësohet në vazhdimësi, vlerësojnë vetë grevistët dhe zyrtarët shëndetësor.

Xhevdet Qeriqi, kryetar i këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, i cili gjithashtu po bën grevë, thotë se kërkesa e grevistëve për përshpejtimin e miratimit të Ligjit për veteranët e UÇK-së nuk është përfillur fare nga institucionet e larta të vendit.

Temperaturat e larta, plagët, të gjitha e kanë bërë, është një situatë shumë alarmante e veteranëve të luftës. Jam duke u habitur me institucionet e Kosovës. Kalojnë pranë neve dhe e kthejnë kokën në anën tjetër”, thotë Qeriqi.

Ndërkaq, doktor Shpend Rrustemi nga urgjenca mjekësore e qytetit të Prishtinës, i cili u ka bërë vizitë mjekësore grevistëve, thotë se gjendja e tyre shëndetësore është e përkeqësuar.

Shumica janë me tension të lartë dhe sëmundje kronike dhe në këto temperatura është shumë problem që të përballohen. Sidomos në tenda, sepse këtu temperaturat mund të shkojnë edhe deri në 50 gradë celsius. Kështu që, unë ju kam rekomanduar disa prej grevistëve që urgjentisht ta lëshojnë tendën dhe të shkojnë në ambiente shtëpiake, për shkaqe shëndetësore, që të mos rrezikohet më shumë shëndeti i tyre”, shprehet ai.

Por, Qeriqi thotë se vullneti i grevistëve është që greva të mos ndërpritet, ndërkq që ka paralajmëruar edhe një protestë të tyre .

Ne do të vazhdojmë deri në javën e ardhshme. Në javën e ardhshme e kemi një protestë, ku do t’i ftojmë të gjithë ata veteran, rreth 6 mijë, të cilët kanë qenë pjesë përkrahëse e jona dhe janë nënshkruar këtu, kanë qenë dhe na kanë vizituar”, deklaron Qeriqi.

Ndryshe, Fehmi Mehani, një nga grevistët, thotë se mospërfillja e institucioneve ndaj kërkesës së tyre mund ta përkeqësoj edhe gjendjen shpirtërore të grevistëve..

Gjendja e grevistëve është shumë rëndë. Qeveria nuk ka ndërmarrë asgjë. Qeveria, në njëfarë mënyre, na tërheq neve kah ‘sindromi amerikan i Vietnamit’. Prandaj edhe ju bëj lutje, se po u shfaq ‘sindromi amerikan’, mendimi im personal është, atëherë nuk i duhet as Qeverisë. Pra, po e lus Qeverinë që të marrë masa më të shpejta dhe të mos arrihet deri te ajo”, thotë Mehani.

Në anën tjetër, Sami Kurteshi, avokat i popullit, thotë se kërkesat e veteranëve të UÇK-së, të cilët po bëjnë grevë, janë të drejta dhe ata, fillimisht, nuk bën të lihen në gjendjen në të cilën janë.

Këta njerëz kanë të drejtë që t’i kërkojnë të drejtat e tyre, që nuk janë privilegje, por janë të drejta... edhe s’ka ku iket. Qeveria e bën punën ose lojën e vet dhe ka disa kufizime dhe disa skrupulla. Njëherë arsyetohet me ‘ende nuk është bërë ligji’, mandej me koston e lartë. Tash arsyetohet me kufizimet që ia bën Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por, kur i shohim në vazhdimësi këto arsyetime, ne shohim se ka pasur ligje të tjera, me kosto tjetër, për çështje tjera, që megjithatë, janë miratuar”, thotë Kurteshi.

Ndërkaq, eksperti për çështje të ekonomisë, Musa Limani, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se mund të gjenden forma që Ligji për veteranët e UÇK-së të miratohet dhe zbatohet, pa ra ndesh me rekomandimet e Fondit Monetar ndërkombëtar..

Unë e respektoj Fondin Monetar Ndërkombëtar, sepse jemi anëtar dhe anëtarët duhet të sillen ashtu si janë rregullat e këtij institucioni ndërkombëtar financiar. Mirëpo, brenda për brenda, do të thotë, duke mos paraqitur deficit, duhet të zgjidhet problemi i ligjit të veteranëve të luftës”, bën të ditur Limani.

Sido që të jetë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kohë parë, përmes medieve kanë kërkuar ndërprerjen e grevës së veteranëve të UÇK-së, ndërkaq, grevistët kanë deklaruar se nuk do ta ndërprejnë grevën pa u plotësuar kërkesa e tyre.
XS
SM
MD
LG