Ndërlidhjet

logo-print

Pak shpresë për të mbijetuar të tjerë në Lumin Volga


Ministria e Emergjencës në Rusi tha se nuk ka pothuajse asnjë shpresë për të mbijetuar të tjerë nga fundosja e anijes në Lumin Volga.

Ministri Sergei Shoigu tha se anija ishte e ngarkuar me 208 njerëz në bord kur ajo u përmbyt në afërsi të kryeqytetit të Tatarstanit – Kazan.

Ai po ashtu bëri të ditur se 80 veta kanë shpëtuar, shumica nga ta pasi kishin kaluar mbi një orë në ujë.

Ekipet e shpëtimit deri më tash kanë nxjerrë 13 trupa, ndërsa mbi 100 të tjerë ndodhen ende brenda anijes. Rreth 50 fëmijë mendohet të jenë në mesin e tyre.

Punëtorët e shpëtimit thanë se nuk mund të gjejnë viktima në lumë:

“Nuk kemi mundur të gjejmë asgjë përgjatë bregut – asgjë, asnjë trup s’kemi parë as dëgjuar. Asgjë, qetësi, vetëm valët… Nuk ka asnjë trup”, tha një punëtor rus i shpëtimit.

Moti i keq, dështimi mekanik dhe mbipopullimi i anijes janë përmendur si arsye të mundshme të fatkeqësisë.

Kreu i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ministri i Jashtëm lituanez, Adronius Azubalis, tha se “është thellë i tronditur” nga tragjedia dhe shprehu ngushëllimet e tij.

Rusia do të mbajë ditë zie të martën.
XS
SM
MD
LG