Ndërlidhjet

IT: Srebrenica, njollë në vetëdijen ndërkombëtare





Mijëra njerëz janë mbledhur në Qendrën Përkujtimore Potoçari, për të shënuar përvjetorin e Masakrës së Srebrenicës, vetëm disa javë pas arrestimit të organizatorit të dyshuar të vrasjeve, Ratko Mlladiq.

Njëmbëdhjetëvjeçari Nesim Muhiq është viktima më e re nga 613 të tilla që varrosen sot në Potoçari.

Drejtori i kësaj qendre, Mersed Smajloviq, ka thënë se deri më tash në këtë kompleks janë varrosur 4.524 viktima. Në lokacione të tjera janë varrosur 188 viktima.

Kjo bën që në përvjetorin e 16-të, të identifikuara dhe të varrosura të jenë 5.325 viktima të Masakrës së Srebrenicës.

Sipas të dhënave zyrtare, në listën e të pagjeturve, që nga qershori i vitit 1995, figurojnë edhe më tej 3.040 persona.

Në Potoçari sot ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Bosnjë, Patrik Mun:

“Ne mbajmë mend se çfarë është bërë dhe çfarë ka dështuar bota të bëjë para 16 vjetësh. Ata që e mohojnë këtë gjenocid apo bëjnë përpjekje ta minimizojnë, shtojnë së tepërmi pikëllimin e atyre që janë mbledhur sot këtu. Sa herë që ata mohojnë atë që vërtet ka ndodhur këtu, mohojnë dhembshurinë dhe humanizmin e tyre”, tha ambasadori Mun.

Këtë vit është mbajtur edhe marshi tradicional “Marshi i Paqes", në të cilin më shumë se 6 mijë njerëz nga tërë bota kanë kaluar në rrugën, në të cilën më 1995 boshnjakët e Srebrenicës ikën dhe kërkuan shpëtimin nga granatat e Ushtrisë së Republikës Serbe.

Masakra e Srebrenicës është quajtur gjenocidi më i rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.


"Irish Times"

Mijëra njerëz mblidhen sot në Srenrenicë për të shënuar 16-vjetorin e masakrës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, në mes të paralajmërimeve se bllokada politike në mes të myslimanëve, serbëve dhe kroatëve mund të çojë në rikthimin e dhunës.

Disa mijëra njerëz kanë përmbyllur marshin treditësh paqësor për të përshkuar rrugën malore 110 kilometërshe, të cilën myslimanët e përdorën për t’i ikur masakrës së vitit 1995.

Një nga ta, Himzo Hoxhiq, tha se shumë nga ata që kanë marrë pjesë, janë tmerruar nga rrëfimet e të mbijetuarve, të cilët shpesh kanë rënë në pritë, janë qëlluar dhe granatuar nga trupat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga Ratko Mlladiq.

Disa nga ta më thonë se nuk mund ta imagjinojnë atë çfarë po e përshkruaj. Të tjerët vetëm ecin dhe qajnë”, shpjegon ai.

Mlladiq përfundimisht gjendet në Tribunalin e Hagës, krahas shefit të tij politik të kohës së luftës, Radovan Karaxhqiit.

Por, arrestimi i vonuar i tyre, nuk ka sjellë ripajtimin në mes të komuniteteve të Bosnjës: ata shihen si heronj nga shumë serbë të Bosnjës.

Turma njerëzish me lule në duar dhe fotografi të të vdekurve, janë mbledhur në Sarajevë për të shikuar ngarkimin e arkivoleve në kamionë, ndërsa bëheshin gati për t’u dërguar në Srebrenicë.

Qindra viktima të masakrës janë identifikuar çdo vit nga mbetjet mortore të gjetura në varrezat masive- si rezultat i aksioneve të forcave serbe, të cilat kishin përdorur buldozerët për të gërmuar trupat pas varrimit, dhe për t’i rivarrosur ata në vend tjetër, në përpjekje për të fshehur krimet e tyre.

Srebrenica është plaga më e thellë e myslimanëve të Bosnjes. Ajo është një njollë në vetëdijen e komunitetit ndërkombëtar dhe një njollë në vetëdijen e atyre që kanë kryer krimet”, thotë lideri i myslimanëve të Bosnjës Bakir Izetbegoviq.

Drejtësia nuk do të arrihet kurrë në këtë botë. Karaxhiqi dhe Mlladiqi janë arrestuar, por qindra të tjerë që kanë kryer krime lufte fshihen. Vetëm Zoti, do të shohë se është arritur drejtësia”, ka thënë Izetbegoviq.

Sistemi kompleks politik i krijuar që të ndihmojë përfundimin e luftës së viteve 1992-1995, tanimë është paralizuar në mes të mosmarrëveshjeve mes palëve myslimane, serbe dhe kroate, duke lënë kështu Bosnjën në nëntë muajt e fundit pa qeveri, dhe duke shkaktuar krizën më të madhe në vend që nga ndalimi i vrasjeve.

Gjysma e Bosnjës - e quajtur Federata Myslimano-Korate, mbështet në masë të madhe planin pro-perëndimor për forcimin e shtetit boshnjak.

Megjithatë, liderët serbë të gjysmës tjetër të shtetit kërcënojnë se më parë do të kërkojnë pavarësi, sesa t’i nënshtrohen qeverisë qendrore në Sarajevë.

Tensionet tash janë ushqyer edhe nga thirrjet e anëtarëve të partisë kryesore kroate për një entitet në të cilën kroatët do të udhëhiqnin punët e tyre pa ndërhyrjen myslimane.

Bllokada ka bërë që Grupi Ndërkombëtar i Krizave të paralajmërojë së fundi se dhuna është “një perspektivë reale… në të ardhmen, po që se të gjitha palët nuk heqin dorë nga cikli i pozicioneve të tyre maksimaliste”. (a.i.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG