Ndërlidhjet

Medvedev: Defektet teknike, shkak i mbytjes së anijes


Presidenti rus, Dimitri Medvedev, tha se anija që u fundos në Lumin Vollga, ka qenë në gjendje të dobët teknike dhe bëri thirrje për rishikim të tërësishëm të infrastrukturës së transportit në vend.

“Tashmë është e qartë se ky incident nuk do të ndodhte, madje edhe në kushte të tilla atmosferike, në qoftë se do të ndiqeshin të gjitha rregullat e sigurisë teknike. Është e nevojshme të hetojmë përse ka ndodhur kjo dhe përse pronari i anijes e ka përdorur atë në kushte të tilla teknike”, tha Medvedev.

Ministria e Emergjencës në Rusi tha se nuk ka pothuajse asnjë shpresë për të mbijetuar të tjerë. Ministri Sergei Shoigu tha se anija ishte e ngarkuar me 208 njerëz në bord kur ajo u përmbyt në afërsi të kryeqytetit të Tatarstanit – Kazan.

Ai po ashtu bëri të ditur se 80 veta kanë shpëtuar, shumica nga ta pasi kishin kaluar mbi një orë në ujë.

Ekipet e shpëtimit deri më tash kanë nxjerrë 13 trupa, ndërsa mbi 100 të tjerë ndodhen ende brenda anijes. Rreth 50 fëmijë mendohet të jenë në mesin e tyre.
XS
SM
MD
LG