Ndërlidhjet

Opozita: Kuvendi t’u thotë “stop” bisedimeve


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Partitë opozitare në Kosovë thonë se do të mbajnë një qëndrim unik në seancën e radhës në Kuvend, ku do të flitet për marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë. Ato presin që edhe pozita t’i mbështes në kërkesën e tyre për t’i ndërpre bisedimet me Serbinë, përderisa Kosova, sipas tyre, të mos jetë palë e barabartë.

Opozita në Kuvendin e Kosovës planifikon të kërkojë përkrahjen e pozitës për ta obliguar Qeverinë e Kosovës t’i ndërpresë bisedimet dhe marrëveshjet e reja me Serbinë, në kuadër të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Një kërkesë e tillë pritet të bëhet publike gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit e cila pritet të mbahet brenda javës.

Të tri partitë e opozitës i kanë proceduar tashmë Kryesisë së Kuvendit 40 nënshkrime të deputetëve, me të cilat e ftojnë këtë organ të thërrasë seancë të jashtëzakonshme në lidhje me bisedimet me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, thotë se kryesia do të vendosë të martën për ditën e mbajtjes së seancës, ku ai pret që edhe pozita të reflektojë pozitivisht në raport me kërkesat e opozitës.

Presim një debat të sinqertë, të hapur dhe presim që Qeveria e Kosovës t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve dhe brengave të cilat i kanë deputetët e Kosovës, lidhur me të ashtuquajturin dialog i cili po ndodhë. Me siguri që do të synojmë ta kemi një vendim. Do të akordohemi edhe për kërkesën për vendim dhe shpresojmë që edhe deputetët e partive në pushtet do të jenë po aq të brengosur sa janë edhe deputetët e partive në opozitë”, thotë Gjini.

Partitë në pushtet janë treguar të përmbajtura nga deklaratat përderisa të mos i shohin kërkesat e definuara në letër të opozitës.

Zyrtarë të këtyre partive vetëm rikujtojnë se Kuvendi tashmë ka miratuar një rezolutë me të cilën delegacionit dhe qeverisë së Kosovës, i janë përcaktuar vijat e kuqe në lidhje me dialogut e filluar me Serbinë.

Por, opozita mendon se këto vija të kuqe tashmë janë shkelur nga ana e qeverisë.

Andaj, është Visar Ymeri, deputet i Vetëvendosjes, ai i cili kërkon që Kuvendi të marrë rolin që i takon, dhe të vendosë për hapat në vijim në raport me bisedimet me Serbinë.

T’i debatojmë këto marrëveshje, meqenëse konsiderojmë që Kuvendi në një Republikë Parlamentare duhet doemos të jetë organi më i lartë edhe politik edhe legjislativ, e që është në kundërshtim me atë se si po vepron qeveria e Hashim Thaçit, e cila vazhdimisht po synon ta minimizoj rolin e Kuvendit, duke i marrë të gjitha përgjegjësitë mbi vete”, thotë Ymeri.

Sidoqoftë, opozita nuk e ka bërë të qartë nëse do të kërkojë vendim apo rezolutë të re nga Kuvendi në lidhje me bisedimet dhe konkluzionet e arritura me Serbinë për lëvizjen e lirë, regjistrat civil dhe diplomat, të cilat i konsideron kthim prapa dhe të dëmshme për vendin.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG