Ndërlidhjet

Kundërshtojnë deklaratat e Rexhepit


Bajram Rexhepi
Bajram Rexhepi
Deklarata e Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Baram Rexhepi, lidhur me përdorimin e dokumenteve të reja të Ministrisë së Brendshme të Serbisë nga serbët e Kosovës, ka nxitur reagimet e partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe politikanëve serb në veri të vendit, ndonëse reagimet kanë qasje të ndryshme.

Ministri i brendshëm Rexhepi ka thënë se “policia e Kosovës do të jetë tolerante dhe nuk do të konfiskoj dokumentet e reja të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë , që iu lëshon serbëve të Kosovës, deri në zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Kujtim Shala, zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka quajtur të dëmshme deklaratën e ministrit Rexhepi.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se deklaratat e Ministrit të Brendshëm janë jo konsistente, gjë që provon jo seriozitet në punën e tij dhe në deklarimet publike. Deklaratat e tilla gjithsesi janë të dëmshme, por LDK shpreson që duke e njohur jo-seriozitetin e deklaratave të tilla, vërtetë të mos merren seriozisht”, tha Shala.

Jetësimi i ideve të tilla, të cilat dalin nga deklarata e ministrit të Brendshëm, Rexhepi, sipas Shalës paraqesin ndërhyrje në sovranitetin e vendit.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, çdo ndërhyrje e Republikës së Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës është shkelje e sovranitetit të Republikës së Kosovës. Çdo tolerim i kësaj natyre, nënkupton pranim të shkeljes së këtij sovraniteti dhe të dëmtimit serioz të elementeve të shtetësisë”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, edhe politikanët serbë të veriut të Kosovës kritikojnë deklaratat e ministrit Rexhepi.

Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb thotë se ministri Rexhepi po i ndryshon deklaratat, varësisht nga rrethanat.

Është e dukshme që zoti Rexhepi sot flet një gjë, ndërkaq dje ka folur diçka tjetër. Ai fillon me konfiskimin e dokumenteve dhe tentimin për t’ua marrë identitetin dhe t’ua vështirësoj jetën serbëve në Kosovë, madje edhe me arrestime për shkak të atyre dokumenteve. Pastaj, më vonë, thotë se nuk do ta bëjë më këtë. Është e dukshme që zoti Rexhepi ka marrë leksion nga dikush dhe nën presion i ka ndryshuar qëndrimet e veta”, tha Ivanoviq.

Ai ka theksuar se ministri Rexhepi nuk ka të drejtë që në këtë mënyrë t’i ngritë tensionet dhe ti shqetësojë njerëzit, sidomos duke thënë se toleromi ndaj dokumenteve të Serbisë do të zgjasë deri në zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai mendon se një gjë e tillë do të ndodhë deri në zbatimin e marrëveshjeve dhe pastaj prapë do të vazhdojë me të vjetrën, me kërcënime. Ne nuk do t’i respektojmë vendimet e tij. Ne kemi të drejtë në identitetin, emrin dhe nacionalitetin tonë, dhe ne do t’i mbajmë dokumentet tona, i pëlqeu atij ose jo. Se a do të tentojë ai të arrestojë serbët për këtë shkak, kjo mbetet të shihet”, theksoi Ivanoviq.

Sidoqoftë, ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi ka bërë të ditur se, ndryshe nga çështja e dokumenteve, vendimi për ndalimin e automjeteve me targa të reja me iniciale të qyteteve të Kosovës që i lëshon Ministria e Brendshme Serbe, mbetet ende në fuqi.
XS
SM
MD
LG