Ndërlidhjet

Mbi 40 mijë njerëz shënojnë Masakrën e Srebrenicës


Mbi 40 mijë njerëz janë mbledhur sot për të përkujtuar 16-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, vetëm disa javë pas arrestimit të organizatorit të dyshuar të vrasjeve, gjeneralit Ratko Mlladiq.

Persnonalitete të Bosnjës dhe të huaja iu bashkuan të afërmëve të 8 mijë viktimave myslimane në Qendrën Përkujtimore Potoçari, pranë Srebrenicës, ku janë varrosur mbi 4,000 viktima.

Rreth 613 trupa, të identifikuar së fundmi, janë varrosur sot gjatë shërbimit përkujtimor.

Në Potoçari ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Bosnjë, Patrik Mun:

“Ne mbajmë mend se çfarë është bërë dhe çfarë ka dështuar bota të bëjë para 16 vjetësh. Ata që e mohojnë këtë gjenocid apo bëjnë përpjekje ta minimizojnë, shtojnë së tepërmi pikëllimin e atyre që janë mbledhur sot këtu. Sa herë që ata mohojnë atë që vërtet ka ndodhur këtu, mohojnë dhembshurinë dhe humanizmin e tyre”, tha ambasadori Mun.

Masës së tubuar iu drejtua edhe përfaqësuesi i lartë për Bosnjë e Hercegovinën, Valentin Incko:

“Ndoshta ka njerëz që këmbëngulin se vrasësit nuk janë vrasës, se viktimat nuk janë viktima, se njerëzit e vdekur nuk janë të vdekur. Por, ky mohim i sëmurë dhe i vazhdueshëm i fakteve do të zhduket kur të përballen me të vërtetën. Dhe, e vërteta do të mbizotërojë edhe në mesin e atyre njerëz që tani fshihen nga ajo”, ka thënë Incko.

Presidenti kroat, Ivo Josipoviq, ka folur për të ardhmen e rajonit.

“Në ndërtimin e së ardhmes, ne jemi përgjegjës për të siguruar se një fqinj nuk do të luftojë kurrë fqinjin e tij. Ne duhet të përdorim gjithë forcën tonë, dijen dhe nderin, për të mësuar fëmijët tanë të duan njerëzit tjerë, pa marrë parasysh kombësinë e tyre apo identitetin fetar”, ka thënë Josipoviq.

Masakra e Srebrenicës njihet si gjenocidi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore.
XS
SM
MD
LG