Ndërlidhjet

Zotohen për thellimin e bashkëpunimit


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, Ohër 12 korrik 2011

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, Ohër 12 korrik 2011

Presidentët e katër shteteve të Ballkanit në takimin e së martës në Ohër riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin e shteteve të tyre në strukturat euroatlantike.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në Samitin e tretë rajonal, diskutuan të gjitha çështjet e interesit të përbashkët që do t'i kontribuonin integrimit të tyre më të shpejtë në familjen evropiane.

Sipas presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, temat që janë trajtuar me homologët e tij të rajonit, “do të ndihmojnë, jo vetëm për zhvillimin e shoqërive të tyre, por edhe në forcimin e sigurisë dhe të stabilitetit e prosperitetit të të gjithë rajonit”.

Vëmendje në këtë takim i është kushtuar edhe lëvizjes së lirë, bashkëpunimit në luftën kundër llojeve të ndryshme të kriminalitetit, si dhe nismave për projekte rajonale në infrastrukturë dhe energjetikë

“Qëllimet tona të përbashkëta që u theksuan në Samitin e sotëm janë para së gjithash forcimi i bashkëpunimit ekonomik, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, investimet etj.”, deklaroi Ivanov.

Presidenti maqedonas, Ivanov, shtoi se mesazhi kryesor nga takimi i së martës ishte që çështjet, të cilat janë të përbashkëta, të shqyrtohen bashkërisht për shkak të qëllimeve të përbashkëta që kanë këto shtete - siç është integrimi në Bashkimin Evropian.

Në takimin e së martës, edhe pse ishte i ftuar, nuk mori pjesë presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, për shkak të pjesëmarrjes së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila, nga ana tjetër, tha se pjesëmarrja edhe e shteteve tjera në takime të këtilla është, në radhë të parë, në interes të tyre.

“Ky takim në nivel të presidentëve të këtyre katër shteteve fqinje, tanimë tradicional, shpresojmë se nuk do të mbetet vetëm në këtë nivel, por do të zgjerohet edhe më shumë me përfaqësime më të mëdha të shteteve tjera. Inkurajoj edhe shtetet tjera dhe është në interes edhe të shteteve individuale që ky bashkëpunim bilateral dhe multilateral të zgjerohet edhe më shumë”, u shpreh Jahjaga.

Presidentja Jahjaga tha se në takimin e së martës janë diskutuar një sërë çështjesh të interesit të ndërsjellë.

Vendet dhe popujt që ne përfaqësojmë, janë të orientuar që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin drejt arritjes së agjendave tona të përbashkëta, për integrim të plotë në Bashkimin Evropian”, theksoi Jahjaga.

Ndërsa, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, pasi foli për rëndësinë që kanë takimet e këtilla për këto shtete në rrugën drejt integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, u ndal edhe në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Topi inkurajoi dialogun e nisur ndërmjet dy vendeve, që, sipas tij, do të sjell më shumë paqe dhe më pak tensione për rajonin.

Rajoni ballkanik nuk mund të kuptohet si më parë i copëzuar me politika tepër të diferencuara pasi të gjitha vendet e kanë shpallur projektin e tyre të së ardhmes - ato janë orientuar drejt Evropës dhe drejt NATO-s. Besoj në këtë kuptim dhe në këtë sens dhe unë do të kisha dëshiruar të shikoja edhe ndryshimin e natyrshëm të qëndrimit të lidershipit të Serbisë dhe do të dëshiroja të shikoja rezultate konkrete në bisedimet Kosovë-Serbi”, tha Topi.

Në Samitin e radhës që do të mbahet vitin e ardhshëm në Mal të Zi, presidenti Vilip Vujanoviq ftoi të marrë pjesë edhe presidentin e Serbisë, Boris Tadiq.

Samiti i Ohrit ishte i treti me radhë i këtij lloji. Dy samitet e kaluara, janë mbajtur në Shqipëri dhe Kosovë, përkatësisht në Vlorë dhe në Prizren.
XS
SM
MD
LG