Ndërlidhjet

logo-print

Sa shfrytëzohet telemjekësia në Kosovë?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Telemjekësia në Kosovë, sipas profesionistëve shëndetësorë konsiderohet si pikë e ndritshme në sistemin e shëndetësisë.

Por, ajo nuk po shfrytëzohet në nivelin e duhur, dhe ende nuk është bërë rutine e punës së stafit mjekësor.

Ismet Lecaj, drejtor i qendrës për telemjekësinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se telemjekësia mundëson për pacientët marrjen e ndihmës shëndetësore të kualifikuar nga çdo mjek, në cilindo vend të botës.

Por për mos përdorimin e mjaftueshëm të telemjekësisë, zoti Lecaj ka një shpjegim.

Ka shumë faktorë pse nuk përdoret aq sa duhet telemjekësia, pas 20 - 30 viteve përgatitje për tu bërë mjek, mjeku është në një pozitë që ai vrapon pas sistemit publik në sistemin privat, për të siguruar ekzistencën, dhe është jo reale të pritet nga mjeku që të kalohet në telemjekësi”, thekson ai.

Ndërkaq, sekretari permanent i ministrisë së shëndetësisë Ilir Tolaj, thotë se për t’u shfrytëzuar telemjekësia në nivelin që duhet, dhe në konceptin çfarë është paramenduar, duhet të jetë edhe një sistem shëndetësor i avancuar.

Nivelet e ndryshme, frika se gjatë atij komunikimi është e mundur që të del në pah kufizimet të cilat e kanë mjekët dhe institucionet e caktuara, e bëjnë më të ndrojtur dhe më të kufizuar këtë komunikim dhe shfrytëzimin e telemjekësisë”, thotë Tolaj.

Sipas zotit Tolaj, edhe tash janë duke u shfrytëzuar kapacitetet ekzistuese, dhe që sipas tij, telemjekësia është një aset i mirë që mund të ndihmojë reformën e sistemit shëndetësor.

Zoti Lecaj thotë se telemjekësia, si lami e re jo vetëm te ne, por edhe në botë, ofron mundësi të mira, por që po hezitohet të shfrytëzohet në mënyrën e duhur.

Sikur edhe çdo lëmi e re në fillim hasë në rezistencë, jo në kuptimin e frikës por kalimi i një sistemi të vjetër në një sistem të ri, ekspozimi ndaj kamerës, komunikimi live (i drejtpërdrejtë), bëjnë pak që të hezitohet, por që statistikat tona tregojnë se ka rritje, e çdo vit e më shumë shfrytëzohet infrastruktura jonë”, thekson Lecaj.

E Skender Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë se qendra e telemjekësisë në Kosovë është mundësi e veçantë për gjithë profesionistët shëndetësorë, e në këtë kuadër, edhe për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, organizatë kjo që e ka shfrytëzuar në mënyrë efikase, sidomos gjatë pandemisë së gripit AH1N1, duke komunikuar drejtpërdrejt me shumë profesionistë shëndetësor në gjithë botën.

Ne gjatë gjithë këtyre viteve kemi organizuar telekonferenca të ndryshme, meqë ne kemi zyrën rajonale për Evropë në Kopenhagë, e sidomos gjatë pandemisë së gripit AH1N1, kemi pasur shumë telekonferenca dhe kjo kursen edhe aspektin kohor edhe financiar. Andaj kujtoj se qendra e telemjekësisë në Kosovë ju ka mundësuar stafit profesional shëndetësor një mundësi të veçantë për ta shfrytëzuar mënyrën më të mirë”, deklaron Syla.

E zoti Lecaj, thotë se secili pacient ka të drejtë të kërkojë mendimin e dytë përmes telemjekësisë nga cilido shtet i botës dhe nga cilido mjek. Por deri tani, pacientët nuk kanë qenë të njoftuar me këtë fakt, derisa edhe vetë mjekët e kanë shfrytëzuar shumë pak këtë sistem.

Të drejtat elementare të njeriut mes tjerash është edhe e drejta për opinionin e dytë shëndetësor. Secili pacient, në çdo kohë, ka të drejtë prej secilit mjek që të kërkojë edhe një mendim. Kemi pasur raste kur kanë kërkuar pacientët, një mendim të dytë, përpos mjekut nga i cili është pranuar, kanë kërkuar edhe nga ndonjë mjek tjetër nga cilido vend i botës”, shton Lecaj.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, duhet të riafirmohet edhe një herë roli i telemjekësisë në mënyrë që të komunikohet në fillim me vendet e rajonit, që përafërsisht e kanë nivelin e njëjtë të sistemit shëndetësor me atë të Kosovës, në mënyrë që të përgatitet stafi shëndetësor për komunikime me nivele më të larta .
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG