Ndërlidhjet

Përplasen serbët


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Serbët e Kosovës vazhdojnë të përplasen lidhur me çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, mbështet dokumentin, i cili ka dalë nga i ashtuquajturi Kuvend i madh i popullit serb të Kosovës, që e cilësoi dialogun si tradhti ndaj shtetit serb. Ndërkaq, Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica dhe deputete e Kuvendit të Kosovës, thotë se dialogu dhe marrëveshjet e arritura nuk janë akt tradhtie - as nga Prishtina, e as nga Beogradi.


Miratimi i një dokumenti nga rreth 600 përfaqësues të të ashtuquajturave komuna serbe të Kosovës, me të cilin kundërshtohet dialogu dhe marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nxitur reagime të ndryshme të politikanëve serb të Kosovës.

Në dokumentin që të hënën ka dalë nga i ashtuquajturi Kuvend i madh i popullit serb të Kosovës, të cilin e ka organizuar i ashtuquajturi Kuvendi i Bashkësisë së Komunave Serbe të Kosovës, thuhet se marrëveshjet që Beogradi zyrtar i ka arritur me Prishtinën, janë një akt i tradhtisë kombëtare dhe kundër interesave të shtetit serb.

Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, e mbështet këtë dokument, duke thënë se serbët e Kosovës kanë ngritur zërin kundër, siç thotë ai, tradhtisë ndaj interesave të shtetit.

Marko Jakshiq

“Unë mendoj se serbët e Kosovës e kanë obligim që ta ngrenë zërin e tyre kundër një tradhtie të tillë, siç edhe është thënë në mbledhje. E rëndësishme është se nuk mund që të mos e pranosh pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që i pranon dokumentet e Kosovës së pavarur”.

“Për këtë shkak, serbët thjesht nga logjika dhe mendja e shëndoshë i kanë dërguar Beogradit porosi se kjo nënkupton shkelje të Kushtetutës si dhe të tërësisë së shtetit serb”,
thotë Jakshiq.

Por, mendim krejtësisht të kundërt me Jakshiqin jep Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica dhe deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe.

Trajkoviq thotë se të ashtuquajturit përfaqësues të komunave serbe të Kosovës nuk e përfaqësojnë popullin serb, sepse nuk janë njerëz të zgjedhur nga populli përmes votës së lirë. Ajo thotë se dialogu dhe marrëveshjet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradi nuk mund të quhen fare si tradhti.

“Unë mendoj se kjo nuk është tradhti, nga cilado palë qoftë. Të gjithë e kemi ditur se, edhe Prishtina, e edhe Beogradi, në bisedime po hyjnë me korniza të qarta. Do të thotë, njëra palë nuk do ta pranojë pavarësinë dhe pala tjetër nuk do ta pranojë sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe në cilindo segment të pranojnë pushtetin e Beogradit në hapësirën e Kosovës".

Rada Trajkoviq

"Por, ajo që është reale, ndërmjet këtyre dy qëndrimeve të ngurta, është dashur që të gjendet një përgjigje kompromisi për ato që janë probleme të njerëzve”, shprehet Trajkoviq.

Sipas Trajkoviqit, marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jenë të rrezikshme dhe kërcënuese vetëm për grupet kriminale, për shkak se, siç shprehet ajo, do t’ua vështirësojë funksionimin e lehtë, të cilin e kanë pasur deri më tash.

Ndryshe, Jakshiq thotë se megjithatë, nga takimi i së hënës, serbët kanë kërkuar që Kuvendi i Serbisë të gjykojë dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne kemi kërkuar nga Kuvendi i Serbisë që të mbajë mbledhje dhe të nxjerrë gjykimin e saj lidhur me marrëveshjet e arritura, por që nuk janë nënshkruar, gjë që është e rrallë. Është mjaft domethënëse dhe reale se këto bisedime po mbahen në errësirë. Do të thotë se po bëhet një tradhti e interesave kombëtare dhe shtetërore serbe”, thekson Jakshiq.

Ndërkaq, Rada Trajkoviq vlerëson se përpjekje për të penguar realizimin e marrëveshjeve do të ketë, edhe në Kosovë, e edhe në Serbi, por sipas saj, institucionet e të dyja vendeve duhet të jenë këmbëngulëse për realizimin e tyre.


Qeveria e Beogradit, thotë Trajkoviq, ka mundësi që të ndikojë te serbët e Kosovës. Por Trajkoviq thekson se ajo që është thënë nga të pranishmit në të ashtuquajturin Kuvend i madh i popullit serb të Kosovës, nuk është mendim i të gjithë serbëve të Kosovës:

“Unë mendoj se kjo nuk i përgjigjet gjendjes reale të serbëve. Unë mendoj se kjo nuk do t’ju shkojë përdore, duke pasur parasysh që një ndikim bukur të madh në veri të Kosovës e ka Qeveria serbe”.
XS
SM
MD
LG