Ndërlidhjet

Plani i Ahtisaarit përmbushet me Mitrovicën


Piter Feith

Piter Feith

Ka pajtim të gjerë në Grupin Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të përdoret dhuna në veri dhe veriu nuk do të mbetet konflikt i ngrirë, tha pas takimit të radhës të këtij grupi, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith. Ai tha se përmbyllja e mandatit të zyrës që udhëheq, do të varet nga zbatimi i plotë i Planit të Ahtisarit në tërë territorin e Kosovës, përfshirë veriun.


Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën i kërkoi Zyrës Civile Ndërkombëtare që të vazhdojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës deri në zbatimin e plotë të planit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës në tërë vendin, përfshirë edhe veriun.

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, tha se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, se nuk do të ketë përdorim të dhunës në veri dhe se veriu nuk do të mbetet konflikt i ngrirë.

Zbatimi i Planit të Ahtisarit në veri të Mitrovicës, sipas diplomati holandez, ndërlidhet me përfundimin e mandatit të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

Meqë kemi arritur në këtë pikë, jemi duke i kërkuar hapat që mund t’i ndërmarrim për të punuar në drejtim të mbylljes së mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar. Nuk ka afate kohore për këtë, por mund t’ju siguroj se ka një pajtim të gjerë që kjo të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur”, u shpreh Feith duke shfaqur shpresën që në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, të gjenden mënyrat, të cilat do t’i hapnin rrugën zbatimit të Planit Ahtisaari edhe në veri të vendit.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, diplomati holandez tha se tani ka ardhur koha që Brukseli zyrtar ta bindë Beogradin për zgjidhjen e çështjes së veriut.

“Unë - si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, vetë nuk kam mundësi dhe kapacitet për ta shtyrë këtë përpara. Na duhet EULEX-i, ndoshta edhe KFOR-i, dialogu dhe Bashkimi Evropian. Është momenti që Bashkimi Evropian të ndikojë në muajt e ardhshëm për të ndihmuar që Beogradi të bindet për të bashkëpunuar, sepse veriu, në njëfarë mënyre, duhet t’i përshtatet në lëvizjet e gjëra që do të duhej t’i bëjnë Kosova e Serbia drejt anëtarësimit. Kjo mendoj se është dinamika të cilën ne e presim”, u shpreh Feith.

Ai tha se pret që në fund të këtij viti, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të vlerësojnë progresin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ndërsa shfaqi shpresën që kjo çështje të përmendet edhe në diskutimet për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE nga shteti serb.

Mirëpo, i pyetur se a do ta diskutojnë autoritetet kosovare me palën serbe çështjen e zbatimit së Planit të Ahtisarit në veri të vendit, kryeministri Thaçi u shpreh:

Dialogu është një përgjegjësi e jona në kuptimin e bashkëpunimit ndër-fqinjësor, e shtetëror me të gjitha vendet e rajonit. Për rregullimin e brendshëm të Kosovës dhe implementimin e dokumentit të presidentit Ahtisari në këtë çështje, nuk do të diskutohet në asnjë rrethanë me Serbinë. Kjo çështje është çështje e jona kushtetuese dhe ligjore dhe me obligim, në raport me dokumentin e presidentit Ahtisari dhe do të punojmë bashkërisht me ICO-në dhe zotin Piter Feith”.

Kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, shprehu bindjen se Qeveria e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare në të ardhmen ta kenë një politikë, siç e quajti ai, më proaktive dhe të harmonizuar për sundimin e ligjit në veri, për investime socio-ekonomike dhe për formimin e komunës së re, që do t’i paraprinte mbajtja e zgjedhjeve të lira.

Thaçi tha se në takim me anëtarët e Grupit Ndërkombëtar Drejtues ka paraqitur një ide tjetër lidhur me themelimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore.

“Me përgjegjësinë më të lartë shtetërore kam ngritur edhe pyetjen se nëse nuk është e mundur të formohet komuna e re, atëherë le të funksionalizohet një komunë-komuna e Mitrovicës. Pastaj, kur të krijohen kushtet, ne do të formojmë komunën e re – pra, për një zgjidhje pragmatike dhe jo largim apo devijim nga dokumenti i presidentit Ahtisaari”, theksoi Thaçi.

Çështje të tjera të diskutuara në takim thuhet se kanë qenë dhe ecuria e procesit të njohjeve për Kosovën, hetimet e EULEX-it lidhur me akuzat e raportit të Dik Martit dhe zhvillimi ekonomik e disiplina buxhetore e fiskale në Kosovë.

Anëtarëve të ISG-së iu bashkëngjit në drekën, të cilën shtroi kryeministri Thaçi pas takimit, edhe ndërmjetësuesi i BE-së në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Kuper.
XS
SM
MD
LG