Ndërlidhjet

Pse Ahmed Vali Karzai ishte aq kontravers?

  • RFE /RL

Ahmad Vali Karzai

Ahmad Vali Karzai

Ahmed Vali Karzai, vëllai i vrarë i presidentit afgan dhe kreu i Këshillit Provincial të Kandaharit, ishte një nga figurat publike më kundërthënëse në vend.


Në botën e vrazhdë të politikës afgane, nuk ka shumë figura të errëta dhe të rëndësishme sa Ahmed Vali Karzai.

Vëllai i vogël i presidentit Hamid Karzai, 49-vjeçari Ahmed, është konsideruar në masë të gjerë si politikani më i fuqishëm në Kandahar - qyteti i dytë më i madh në Afganistan dhe vendlindja e talibanëve.

Por, burimi i fuqisë së tij shkon përtej pozitës së tij si kryesues i Këshillit Provincial të Kandaharit.

Dhe, kanë qenë pikërisht pyetjet se nga ka ardhur fuqia dhe pasuria e tij - ato që e kanë bërë atë aq kundërthënës dhe të vështirë për t’u definuar.

Ahmad Vali Karzai

Që ka qenë i fuqishëm, për këtë nuk ka dyshim. Vetëm muajin e kaluar, një delegacion i fiseve të Kandaharit shkoi në Kabul për të lobuar te presidenti Karzai për ta bërë Ahmed Valin, guvernator të Kandaharit - një hap ky që do t’i jepte atij udhëheqje monopoliste mbi provincën.

“Rreth 20 ditë më parë një delegacion i përfaqësuar nga të gjitha fiset, më shumë se 100 persona, shkuan në Kabul. Ata vizituan presidentin dhe e pyetën që ta emërojë Ahmed Valin si guvernator të Kandaharit, sepse njerëzit mendonin se kjo do të zvogëlonte dhe zgjidhte problemet e tyre”, tha një nga mbështetësit e Karzait, Agha Lalai.

Një nga burimet e pushtetit të Ahmed Vali Karzait, pa dyshim se ishin lidhjet e tij të ngushta me familjen dhe vëllanë e tij.

Por, ndërsa këto lidhje familjare dhe rajonale e ndihmuan atë që të zgjidhej në Këshillin Provincial në vitin 2005, ai së shpejti dëshmoi se ishte mjeshtër në marrjen e pushtetit dhe të parave në llogari të tij.

Kur, Ahmed Vali Karzai vdiq nga dora e një sulmuesi në shtëpinë e siguruar rreptë, ai konsiderohej një nga 10 afganët më të pasur.

Fakti se ai kishte kaq shumë para, e bën të vështirë motivin e vrasësit të tij - Sardar Muhamed, një truprojë e besuar nga familja e tij - që e qëlloi për vdekje në kokë dhe gjoks, para se të vritej vetë nga truprojat tjera.

Në mes të akuzave më të qëndrueshme kundër Ahmed Vali Karzait, si nga kritikët, ashtu dhe nga aleatët,ishin ato për korrupsion dhe për tregtinë e drogës.

Në mediat dhe kryeqytetet perëndimore, ai është portretizuar shpesh si simbol i kronizmit, apo favorizimit të miqve.

Gazeta Nju Jork Tajms (New York Times) raportoi në vitin e kaluar se zyrtarë të lartë amerikanë kanë kaluar muaj të tërë duke i shqyrtuar pretendimet kundër Ahmed Vali Karzait, se ai ka shpaguar talibanët, ka spastruar para, ka konfiskuar tokë të qeverisë, se ka korrur fitime të majme nga lehtësirat e krijuara dhe dërgesat e opiumit në rajon.

Ahmed Vali Karzai qe përfshirë edhe në një raport konfidencial të gjeneralit Stenli MekKristël më 8 mars të 2010, në selinë e NATO-s në Kabul.

Por, gazeta raportoi se ky shqyrtim përfundonte se provat, disa mjaft bindëse e disa rrethanore, nuk ishin mjaft të qarta për ta bindur presidentin Karzai që ta shkarkonte të vëllanë.

Po ashtu, këshillohej që gjërat në Kandahar të liheshin ashtu siç ishin, ndërsa SHBA-të përgatiteshin që të niste një operacion masiv për të rritur sigurinë në Kandahar, që filloi vonë në vitin e kaluar dhe po vazhdon edhe sot.

Presidenti afgan Hamid Karzai (djathtas) dhe vëllai tashmë i vrarë Ahmad Vali Karzai (majtas).

Ahmed Vali Karzai në mënyrë të vazhdueshme ka mohuar akuzat kundër tij, duke thënë se janë të motivuara politikisht.

Pasi që Nju Jork Tajms publikoi një raport në tetor të 2008-ës me titullin “Raportet lidhin vëllanë e Karzait me tregtinë e heroinës”, ai doli në një konferencë për gazetarë dhe kishte thënë:

“Akuzat, me të cilat akuzohem, se jam diler i drogës qe pesë apo gjashtë vjet, janë vetëm thashetheme. Deri në këtë minutë askush nuk ka qenë në gjendje ta vërtetojë këtë. Njerëzit thonë se diku gjendet një fantazmë, por ju nuk mund ta shihni, nuk mund ta dëgjoni dhe edhe më tej supozohet se fantazma është aty. Për të gjitha akuzat e Neë York Times, jam i gatshëm që të përgjigjem një nga një”.

“Është shumë vështirë të jesh vëllai i presidentit, më besoni”,
pati thënë ai për gazetën britanike Fajnenshël Tajms (Financial Times), në vitin e kaluar.

Por, relacionet e njeriut kyç tashmë të ndjerë të Kandaharit me Uashingtonin, mund të kenë qenë edhe më të komplikuara sesa kritikat e vazhdueshme.

Se sa të komplikuara mund të kenë qenë, vunë në pah disa hulumtime të mediave në lidhje me thashethemet e vazhdueshme se ai paguhej rregullisht nga CIA.

Nju Jork Tajms në shtator të 2009-s, raportonte se Agjencia Amerikane e Zbulimit e kishte paguar atë për shërbime të ndryshme, përfshirë ndihmën në rekrutimin e forcës paramilitare afgane - Forca Sulmuese e Kandaharit - që kryente sulme kundër kryengritësve nën direktivat e CIA-s në dhe përreth Kandaharit.

Ngjashëm, gazeta raportonte se Uashingtoni e kishte paguar Karzain që të lejojë CIA-n dhe komandot amerikane të merrnin me qira një kompleks të madh jashtë qytetit.

Ahmed Vali Karzai vazhdimisht i ka quajtur raportet e gazetave “qesharake”, ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, ka refuzuar të komentojë në lidhje me raportet e Karzait me CIA-n, siç ka bërë edhe zëdhënësi i CIA-s, George Litël.

Tash, me vrasjen e Ahmed Vali Karzait në Kandahar, Uashingtoni ka humbur dikë, që varësisht se cilin raport e merr për të besueshëm, ai ishte edhe partner, edhe problem për Perëndimin.

Kjo do të dihet kur të dalin në pah më shumë detaje nga vrasja dhe motivet e vrasësit të tij. Por, vrasja nga një njeri i besueshëm, vetëm sa shton misterin në jetën e tij.

Në anën tjetër, vdekja e tij, e pllakos Kandaharin në një vakuum në një kohë thelbësore për SHBA-të, të cilat shpresonin në rritjen e sigurisë në këtë vend.

“Vdekja e tij është një humbje e madhe dhe ndodhi në kohën kur po zhvillohej tranzicioni politik dhe ripajtimi kombëtar. Për më tepër, rajoni përcillet me luftime të përditshme dhe pasiguri. Ahmed Karzai ishte një person me ndikim në të gjithë rajonin”, tha Khalid Pashtun, një anëtar i Parlamentit nga Kandahari.

Atentati ndaj Ahmed Karzai nuk është i pari në jetën e tij. Më herët Zyra e Këshillit Provincial në Kandahar është sulmuar dy herë dhe Karzai pretendonte se sulmet ishin të drejtuara kundër tij.

Ahmed Vali Karzai, që ishte i martuar dhe kishte pesë fëmijë, ka lindur në Kandahar në vitin 1961, për t’u larguar në SHBA në vitin 1982, ku jetoi në Merilend dhe Virxhinia, para se të shkonte në Çikago ku drejtonte një restorant afgan. Ai u kthye në Afganistan në vitin 1992.

I pyetur për sekretet e pushtetit të tij në Kandahar, ai i pati thënë në vitin e kaluar Uashington Post-it (Washington Post), se eksperienca e Afganistanit ishte elementi kryesor.

“E di si flas me njerëzit”, pati thënë Ahmed Vali Karzai: “E di si të merrem me këto fise. E di se për çka kanë nevojë. Kjo është mjeshtëria që e kam mësuar”.(a.i.)
XS
SM
MD
LG