Ndërlidhjet

logo-print
Vrasja e qenve endacakë si praktikë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ka zgjuar reagime të shumta tek qytetarët dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).

Por, zyrtarë komunal thonë se e gjithë kjo është bërë për të mirën dhe sigurinë e qytetarëve.

Xhevdet Ibrahimi, zyrtar për ambient në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thotë se zgjedhja e mënyrës për vrasjen e qenve nuk është humane, por që rreziku nga qentë është i madh.

Ndoshta nuk është humane, por rastet që i kemi pasur në qytet dhe rrezikshmërisë së qenve, ne e kemi parë të rrugës të veprojmë në këso mënyre. Reagime nga qytetarët nuk ka pasur në drejtorinë tonë, por ka pasur kërkesa nga komuniteti që të merren masa ndaj qenve për shkak të rrezikshmërisë, sidomos ndaj fëmijëve”, thotë Ibrahimi.

Sipas tij, deri tani janë vrarë rreth 300 qenë.

Por, për vrasjen e qenve në rrugë ka reaguar KMDLNJ .

Behxhet Shala, udhëheqës i këtij këshilli, thotë se ka deklaruar disa herë publikisht për këtë veprim, siç e quan ai, të papërgjegjshëm, duke dashur të bëjë që të ndalohet kjo praktikë.

Por zoti Shala thotë se organet përgjegjëse nuk i kanë marrë seriozisht këto reagime.

Ne kemi reaguar dhe kemi konsideruar se është një veprim i keq ne kuptimin që duhet të merren praktikat e mira nga vendet e rajonit duke gjetur mënyra tjera për eliminimin qenve”, thotë ai.

Ndërsa Vlora Ismaili, qytetare, mendon se vrasja e qenve nuk do të duhet të ndodhë, por as prezenca e tyre në rrugë nuk është e mirë.

Ajo mendon se duhet gjetur mënyra tjera për eliminimin e qenve.

Unë nuk mendoj se vrasja e qenve nuk është mënyrë e mirë, sepse ka mënyra tjera të zgjidhet ky problem. Por nuk është mirë edhe të enden në rrugë qentë, sepse ka rrezik nga sëmundje të ndryshme, po mund të hapet ndonjë qendër dhe të bëhet një zgjidhje pak më njerëzore”, shprehet Ismaili.

Nexhmedin Kabashi, udhëheqës i Qendrës Kosovare për Trajnimin dhe Strehimin e Qenve Endacakë, qendër kjo që zoti Kabashi e udhëheq që nga viti 2003, ka marrë vetë iniciativën që të strehojë qentë endacakë dhe pastaj të kujdeset për ta.

Ai mendon se vrasja e qenve është mizore, dhe kjo praktikë duhet të ndërpritet, pasi që, siç thotë ai, qentë endacakë nuk janë të rrezikshëm për qytetarët dhe asnjëherë ata nuk sulmojnë.

Qentë endacakë janë qenë të cilët kryesisht nuk bëjnë ngacmime në rrugë. Ata kanë krijuar një jetë të tyre. Qentë të cilët rriten si qenë endacakë, nuk sulmojnë asnjëherë”, sqaron Kabashi.

Zoti Kabashi shton se prej kur udhëheq këtë qendër, ka strehuar 1200 qenë nga rruga , derisa 250 qenë janë adoptuar nga ndërkombëtarët e 500 të tjerë janë adoptuar nga vetë kosovarët, nga kjo qendër.

Njerëzit e kanë parë që qentë e marrë nga rruga në qendrën tonë, janë qenë që kalojnë nëpër procedura të nevojshme si sterilizimi, vaksinimi, dhe që ata kanë afërsi dhe nuk e humbin asnjë cilësi të qenit, si kafshë që është shoqëruese e njeriut, andaj edhe kërkesat për adoptimin e tyre kanë qenë të mëdha”, tregon ai.

Sidoqoftë, zyrtarë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, thonë se janë duke shqyrtuar mundësinë e një lokacioni ku do të vendosin qentë endacakë, duke mos i eliminuar ata në mënyrën si kanë vepruar deri tash.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG