Ndërlidhjet

S’ka ikje nga Pakoja e Ahtisarit për Mitrovicën


Serbët në veri të Mitrovicës vazhdojnë mbajtjen e një pushteti paralel dhe pamundësinë e shtrirjes së kontrollit nga ana e Qeverisë së Kosovës atje.
Serbët në veri të Mitrovicës vazhdojnë mbajtjen e një pushteti paralel dhe pamundësinë e shtrirjes së kontrollit nga ana e Qeverisë së Kosovës atje.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se i ka propozuar Grupit Ndërkombëtar Drejtues që, në pamundësi të krijimit të komunës së veriut të Mitrovicës, siç e parasheh Pakoja e Ahtisarit, të shkohet me opsionin e bashkimit të Mitrovicës në një komunë. Por, ish-shefi i Ekipit të Unitetit, Blerim Shala, tha se anashkalimi i Pakos së Ahtisarit për Mitrovicën nuk është zgjidhje dhe do të çonte kah ndarja apo krijimi i entitetit serb në veri.


Vetëm Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën vendos nëse është e mundur të gjenden zgjidhje për Mitrovicën që nuk i parasheh Pakoja e Ahtisarit, thanë zyrtarët në Prishtinë.

Kryeministri Hashim Thaçi sqaroi edhe të mërkurën se ai i kishte bërë pyetje GND-së, të martën, nëse është e mundur që në vend të krijimit të dy komunave të Mitrovicës, të shkohet fillimisht me opsionin e një komune të integruar ku do të funksiononte rendi dhe ligji.

Por, ai tha se ideja e tij, mbetet në shqyrtim te Grupi Drejtues Ndërkombëtar, si instanca më e lartë e mbikëqyrjes dhe vlerësimit të zbatimit të Planit të Ahtisarit që të vendos nëse për Mitrovicën mund të ndërmerren edhe hapa tjerë, përveç atyre që parasheh Plani i Ahtisarit.

Hashim Thaçi

“Nëse, aktualisht, nuk mund të realizojmë formimin e komunës së re të Mitrovicës, atëherë le ta funksionalizojmë në tërësi funksionimin e komunës së Mitrovicës në kufijtë ekzistues, në mënyrë që të ketë funksionalizim të mirë, qeverisje të mirë, të ketë investime dhe të ketë një integrim të gjithanshëm ndër-qytetar në kuptimin shumetnik”, tha Thaçi.

Kjo ide, sipas kryeministrit Thaçi, nuk është anashkalim i Pakos së Ahtisarit. Kjo pyetje, sipas tij, kishte ngjallur diskutime të shumta te Grupi Drejtues Ndërkombëtar, por tash për tash, ka mbetur që të vazhdohet me zbatimin e dispozitave të Pakos së Ahtisarit duke i lënë anash idetë e reja.

Por, Thaçi theksoi se pyetja e tij ishte një adresim legjitim për zgjidhjen e një problemi, marrë parasysh se Pakoja e Ahtisarit atje nuk po mund të zbatohet.

“Tani për tani mbetet te Grupi Ndërkombëtar Drejtues për t’i nxjerrë konkluzionet më të drejta, në mënyrë që të vazhdohet me agjendën tonë me sundimin e ligjit në veri, formimin e komunës së re, zgjedhje të reja dhe investime socio-ekonomike apo të vazhdojmë së realizuari çështjen që e kam ngritur në mënyrë shumë legjitime, dhe pastaj, hap pas hapi, në kohën e duhur të vazhdojmë edhe me formimin e komunës së re”, theksoi Thaçi.

Idetë e reja për Mitrovicën, konsiderohen si një mision i pamundur nga ish-shefi i Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, Blerim Shala.

Si një nga ata që ka qenë në proces gjatë gjithë fazave të hartimit deri te miratimi i Pakos së Ahtisarit, Blerim Shala, tani nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se do të mirëpriste hapa e ide të reja, për të cilat ka folur edhe kryeministri. Por, tash për tash, Shala nuk sheh asnjë mundësi për kthim prapa dhe të vetmen zgjidhje për Mitrovicën, ai e sheh te Plani i presidentit Ahtisari.

Blerim Shala

“I vetmi opsion që mbetet është që të zbatohet propozimi gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisari, i cili po ashtu ka marrë, siç e dini, një përkrahje shtesë në strategjinë për veriun e Kosovës që është përgatitur vitin e kaluar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe nga Qeveria e Kosovës. Pra, nuk është koha për propozime të reja, është koha për implementimin e dokumenteve ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, u shpreh Shala.

Lansimi i ideve të reja për veriun, sipas Blerim Shalës, do të çonte në koncepte shumë të rrezikshme që tashmë i ka përgatitur Serbia - qoftë ai për ndarje apo për krijimin e një entiteti të veçantë serb në veri.

“Me automatizëm, në qoftë se hapet çfarëdo çështje në veri, ajo të çon në konceptin që tashmë është i përgatitur nga ana e Serbisë ose të fitohet ndarja e Kosovës apo të hyhet në krijimin e një entiteti të veçantë politiko-ligjor në veri të Kosovës, që do të kishte pasoja fatale për Kosovën si shtet”, deklaroi Blerim Shala.

Pamundësia e zbatimit të Pakos së Ahtisarit në veri vjen si rrjedhojë e rezistencës politike të subjekteve serbe atje të mbështetura nga Beogradi zyrtar.

Duke mos e njohur pavarësinë, institucionet e shtetit të Kosovës dhe as Pakon e Ahtisarit, serbët kanë sfiduar ndryshimin e gjendjes atje dhe kanë ruajtur një lloj status quo-je, e cila u ka mundësuar atyre mbajtjen e një pushteti paralel dhe pamundësimin e shtrirjes së kontrollit në këtë pjesë nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare.

Lexoni edhe këto:
Plani i Ahtisaarit përmbushet me Mitrovicën
Mitrovica Veriore mban ICO-në në Kosovë
Decentralizimi në veri, peng i bisedimeve
XS
SM
MD
LG