Ndërlidhjet

Hoxhaj kërkon vizat, KE-ja ndan 203 milionë euro


Bruksel
Bruksel
Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në përfundim të vizitës së tij në Bruksel, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që para fundit të vitit të shpërblejë Kosovën për sjelljen konstruktive në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se nuk do të jetë lehtë nëse qytetarët e Kosovës e shohin që ata do të vazhdojnë të mbesin të vetmit qytetarë të një shteti që nuk ka raporte kontraktuale me BE-në, nuk ka raporte tregtare me fqinjët dhe vazhdon të jetë vend i izoluar.

Hoxhaj ka thënë se nuk pret nga Bashkimi Evropian që t’i heqë menjëherë vizat për qytetarët e Kosovës, por pret që edhe Kosova të marrë udhërrëfyesin për të nisur procesin e liberalizimit të vizave.

Ministri Hoxhaj, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, ka folur para deputetëve të Parlamentit Evropian në Komitetin për Politikë të Jashtme, ndërsa ka folur edhe në një ligjëratë në Qendrën e studimeve Evropiane në Bruksel. Në të dyja këto raste, Hoxhaj ka thënë se Kosova është e gatshme të dëshmojë konstruktivitet në dialog - edhe për shkak të fqinjësisë së mirë, edhe për shkak të ripajtimit, por edhe në interes të qytetarëve të saj.

Po ashtu, Hoxhaj ka theksuar se Kosova kërkon të ketë një strategji të qartë edhe nga ana e BE-së, që Kosovës t’i jepet një perspektivë konkrete e integrimeve evropiane. Ai ka thënë se Kosova pret njohje të reja të pavarësisë së saj, pasi që pas shpalljes së mendimit të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë vitin e shkuar, më nuk ka arsye për të mos e njohur pavarësinë e vendit.

Mirëpo, Hoxhaj ka kritikuar atë që e ka quajtur ndërhyrje të Serbisë në integritetin territorial të Kosovës, duke menduar në situatën në veri dhe ka thënë se kjo sjellje e Serbisë nuk është sjellje evropiane.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka shprehur gatishmërinë e Kosovës që të ndërtojë miqësi të mirë me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe me Serbinë, prandaj edhe e sheh dialogun si një proces që ndihmon në realizimin e këtij qëllimi.

Të mërkurën në Bruksel, pos ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka qëndruar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka pasur disa takime individuale me disa parlamentarë të Parlamentit Evropian.

Ndërkohë, në Bruksel ka qëndruar edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, por për agjendën e tij nuk është thënë diçka publike në Bruksel në selinë e BE-së.

Po të mërkurën, Komisioni Evropian ka vendosur që për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë të ofrojë 5.1 miliardë euro në kuadër të programeve të para-anëtarësimit, të njohura me inicialet IPA.

Nga ky fond, për Kosovën, për periudhën 2011 deri në fund të 2013, do të ndahen 203 milionë euro, mirëpo në selinë e Komisionit Evropian tërheqin vërejtjen se këto nuk janë para që komisioni tash po i jep Kosovës, por janë të vëna në dispozicion dhe duhet të përpilohen projektet për t’i tërhequr këto ndihma financiare nga ana e Bashkimit Evropian.

Të njëjtit zyrtarë të BE-së konfirmojnë se Kosova tashmë ka humbur së pari 20 milionë nga ndihma makrofinanciare e BE-së, që është një linjë tjetër buxhetore e Komisionit Evropian dhe këtë për shkak të prishjes së marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Këto para që janë dedikuar të mërkurën për Kosovën, nuk kanë të bëjnë me këtë linjë financiare, mirëpo në BE theksojnë se në rast se Kosova vazhdon t’i shkelë marrëveshjet me FMN-në, atëherë do të ketë pasoja edhe për asistencën e ardhshme të Komisionit Evropian ndaj Kosovës.
XS
SM
MD
LG