Ndërlidhjet

HRW apelon për hetime penale kundër zyrtarëve të Bushit

  • RFE /RL

Të burgosurit në Gjirin e Guantanamos teksa falen...

Të burgosurit në Gjirin e Guantanamos teksa falen...

Organizata Human Rights Watch i ka bërë thirrje administratës Obama të urdhërojë hetimin penal të akuzave që ngarkojnë ish-presidentin Xhorxh Bush, për autorizimin e përdorimit të torturës kundër të të burgosurve. Thirrja bëhet në faqen e 107-të të raportit, të publikuar nga grupi për të drejtat e njeriut. Ai thotë se administrata e tashme ka dështuar të përmbushë obligimet e Shteteve të Bashkuara në bazë të Konventës kundër Torturës.


Ish-presidenti amerikan, Xhorxh Bush, dhe tre zyrtarë të lartë të administratës së tij duhet të hetohen për autorizim të përdorimit të torturës, vlerëson organizata Human Rights Watch.

Raporti më i ri i saj thotë se “rruga e abuzimit filloi pak ditë pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001, të kryera nga al-Kaida në Nju Jork dhe Uashington, kur administrata e Bushit nisi përpilimin e një serie të re të politikave dhe procedurave për të arrestuarit në operacionet kundër terrorizmit, jashtë Shteteve të Bashkuara”.

I titulluar: “Administrata e Bushit dhe keqtrajtimi i të paraburgosurve”, raporti, po ashtu, përmban atë që thotë se është “dëshmi e akteve të paligjshme, të miratuara nga nënpresidenti Dik Çejni, sekretari i Mbrojtjes, Donalld Ramsfelld, dhe drejtori i CIA-s, Xhorxh Tenet”.

Andrea Prasov, këshilltare e lartë në Programin Kundër Terrorizmit të Organizatës Human Rights Watch, shpjegoi më shumë...

“Raporti e bën shumë të qartë se, marrë parasysh të dhënat publike që janë në dispozicion, ka prova të shumta që zyrtarë të lartë të administratës së Bushit duhet të hetohen dhe të ndiqen penalisht për autorizimin e torturës”, tha Prasov, e cila ka shërbyer si avokate mbrojtëse në Zyrën e Komisioneve Ushtarake të SHBA-ve dhe ka përfaqësuar disa të burgosur që mbahen në Gjirin e Guantanamos.

Raporti, po ashtu, akuzon Bushin për urdhërimin e krijimit të një programi sekret të CIA-s, për rrëmbimin dhe transferimin e të dyshuarve për terrorizëm në vendet e treta, ku ata u janë nënshtruar “procedurave të ashpra të hetimit”.

Ish-zëvendëspresidenti Çejni akuzohet si “forca lëvizëse për krijimin e politikave të paligjshme të arrestimit dhe formulimin e arsyetimit ligjor për këto politika, duke përfshirë edhe torturën”. Ish-drejtori i CIA-s, Xhorxh Tenant, thuhet se ka drejtuar “metodat e torturimit me ujë dhe programe sekrete të përkthimit”.

Human Rights Watch thotë se presidenti Barak Obama ka detyrim ligjor për të hetuar aktet e torturës dhe keqtrajtimet e tjera të të burgosurve, për shkak se Shtetet e Bashkuara - së bashku me mbi 140 vende të tjera - janë nënshkruese të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës.

Drejtori i organizatës, Kenet Roth, tha se Shtetet e Bashkuara “kanë të drejtë të bëjnë thirrje për drejtësi kur krime të rënda ndërkombëtare kryhen në vendet si: Darfuri, Libia apo Shri Lanka, andaj nuk duhet të ketë standarde të dyfishta”.

“Nëse Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbron zyrtarët e saj nga hetimi dhe ndjekja penale, e bën më të lehtë për të tjerët t’iu shmangen përpjekjeve globale për të sjellë kryerësit e krimeve të rënda para drejtësisë”, tha Roth.

Akuzat se Bushi dhe disa nga ndihmësit e tij të lartë kanë autorizuar përdorimin e metodave, që, sipas ligjit ndërkombëtar konsiderohen tortura, nuk janë të reja. Ish-presidenti, madje, ka pranuar se ka urdhëruar që dy të dyshuar të “torturohen në ujë”, duke thënë se avokatët në Departamentin e Drejtësisë i kanë thënë se janë metoda të ligjshme.

Rasti më i njohur i procedurave të paligjshme gjatë epokës së Bushit është ai i Maher Ararit, i cili u arrestua nga zyrtarët amerikanë si anëtar i dyshuar i al-Kaidës, gjatë një ndalese në Aeroportin JFK të Nju Jorkut, derisa udhëtonte në Kanada nga një pushim jashtë vendit.

Qytetari me shtetësi kanadeze dhe siriane u mbajt i izoluar për dy javë dhe më pas u dërgua në Siri, ku u torturua gjatë një viti paraburgim.

Që atëherë, Siria ka pranuar pafajësinë e Ararit dhe Qeveria kanadeze, e cila ka bashkëpunuar me zyrtarët amerikanë, i ka dhënë atij 11 milionë dollarë dëmshpërblim.

Human Rights Watch i bën thirrje administratës së Obamës të nxisë hetimin penal kundër Bushit dhe ish-zyrtarëve të tjerë, por nëse kjo nuk ndodh - çfarë ka pak gjasë të ndodhë - organizata dëshiron që qeveritë e huaja ta nxisin një gjë të tillë.

Duke u thirrur në Parimin e Juridiksionit Universal të Konventës kundër Torturës, Prasov tha:

“Ky parim thotë se tortura është aq skandaloze, një krim aq i tmerrshëm, saqë ajo duhet të hetohet dhe të ndiqet kudo që ndodh. Pra, nëse SHBA-të nuk kryejnë hetime, është obligim i shteteve të tjera, nënshkruese të Konventës së Torturës, ta bëjnë atë. Dhe, në fakt, tashmë kemi parë prova të kësaj - prova se kjo ka ndikim. Xhorxh Bushi ishte planifikuar të udhëtonte në Zvicër disa muaj më parë dhe kur lajmet njoftuan se aktivistët e të drejtave të njeriut kanë përgatitur padi penale për t’ua paraqitur autoriteteve zvicerane, ai e anuloi vizitën”.

Një nga veprimet e para të Obamës si president, ishte urdhri për ndalimin e menjëhershëm të programit të CIA-s. Ai qartë ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk torturojnë. Por, Obama gjithashtu ka thënë se më shumë preferon të shohë nga e ardhmja, sesa e kaluara.

Xhejmi Fllaj, i cili ishte anëtar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në kohën e presidentit Bush, tha se nuk sheh “ndonjë gjë të re” në raportin e Human Rights Watch. Ai mendon se është e pamundur që kjo Shtëpi e Bardhë të hapë hetime për të kaluarën.

“Nuk e kuptoj nëse ka interes të vërtetë të niveleve të larta të administratës Obama në rihapjen e të gjitha këtyre çështjeve. Unë mendoj se, në fakt, shumica e zyrtarëve të lartë amerikanë duan të lëvizin përpara dhe të mos ndalojnë më në këto çështje”, u shpreh Fllaj.

Prasov pranoi se nuk ka shumë oreks në mesin e publikut për hetime të tilla, por tha se është e rëndësishme për Obamën që të bëjë më shumë sesa të deklarojë se, nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara nuk torturojnë. (v.t.)
XS
SM
MD
LG