Ndërlidhjet

Dialogu vazhdon


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës hodhi poshtë kërkesën e tri partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për ndërprerje të bisedimeve me Serbinë.

Pas një debati prej gjashtë orësh përplot replika e akuza të ndërsjella ndërmjet opozitës, në njërën anë, dhe kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryenegociatores Edita Tahiri në anën tjetër, opozita kërkoi miratimin e rekomandimeve, me të cilat kërkohej ndërprerja e bisedimeve me Serbinë.


Por, futja në votim e këtyre rekomandimeve dështoi, pasi që 46 deputetë votuan kundër, kurse 37 ishin për.

Seanca e jashtëzakonshme ishte thirrur me kërkesën e opozitës.

Fillimisht, në emër të tri partive opozitare, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, i konsideroi të dëmshme dhe kthim prapa për Kosovën marrëveshjet e arritura në dialog dhe kërkoi që Kuvendi t’i pezullojë bisedimet me Serbinë.

Ne propozojmë, edhe në emër të dy grupeve parlamentare Kuvendit që: Kuvendi i Republikës së Kosovës të marrë vendim për pezullimin e bisedimeve Kosovë - Serbi dhe të mos pranohen tri të ashtuquajturat marrëveshje, si obligative për Kosovën”, tha Beqiri.

Delegacioni kosovar per bisedime dhe ai serb në Bruksel.

Në debat u përfshi edhe kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se Kosova ka hyrë në bisedime duke respektuar vlerat e botës demokratike dhe në konsultime me aleatët perëndimorë.

Çdo përplasje e Kosovës me Uashingtonin dhe Brukselin do ta rrezikonte të ardhmen e Kosovës, tha Thaçi, duke potencuar se dialogu është obligim ndërkombëtar i Kosovës.

“Kërkesa për pezullim të dialogut, si vlerë e popullit tonë dhe vlerë euro-atlantike, është kërkesë për izolim ndërkombëtar të Kosovës, është kërkesë për konfrontim me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe Serbia do të ketë perspektivë evropiane, por asaj i është bërë e qartë se nuk mund ta pengojë rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, nuk do të ketë kurrfarë vetoje dhe nuk do të bëhet kurrë anëtare e BE-së pa e pranuar pavarësinë e Kosovës”, theksoi Thaçi.

Ndaj konstatimit të kryeministrit Hashim Thaçi reagoi deputeti i LDK-së, Skënder Hyseni. Ai tha se asnjë vend nuk e ka për obligim ndërkombëtar të bëjë koncesione në dëm të interesave të shtetësisë së vet, siç bëri Kosova me marrëveshjet e arritura.

“Bërja e koncesioneve në dëm të sovranitetit të Kosovës nuk është obligim ndërkombëtar dhe nuk guxon të ndodhë. Duhet të pezullohen këto bisedime dhe unë i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shqyrtojë këtë me maturi”, tha Hyseni.


Kritika të ashpra drejtuar Qeverisë Thaçi adresoi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Ai tha se llogaritjet politike të Qeverisë Thaçi se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën, janë të gabuara.

”Këta mendojnë se Serbia, pak para se të shkojë në BE na njeh neve, se rrugë tjetër s’ka. Por, derisa të bëhet puna të shkojë Serbia para portës së Brukselit, ajo ka për të sajuar një republikë serbe".

"Nëse ne paskemi marrëdhënie shumë të ngushta me bashkësinë ndërkombëtare, partneritet të shkëlqyeshëm, aleancë të fuqishme, pse e kemi këtë varfëri, këtë papunësi edhe e kemi Mitrovicën e ndarë? Pra, këta, marrëdhëniet me ndërkombëtarë i kanë taktiko-financiare edhe për pushtet jo për shtet”,
u shpreh Kurti.

Debati u përshkua me replika të ashpra të deputetëve opozitarë dhe kryeministrit Thaçi, sa ato kaluan edhe në kualifikime e vlerësime të ndërsjella për personalitetet se cili është më inteligjent e cili jo, pastaj cili është më patriot, e kush është kundër institucioneve e kualifikime tjera.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG